Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini ka caktuar një ekspert ligjor të pavarur për të hetuar pretendimet për korrupsion në misionin e Brukselit për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.
Mogherini tha të hënën se profesori francez veteran i ligjit, Jean Paul Jacque, një këshilltar ligjor i lartë në BE, do të kryejë një rishikim katër-mujor të situatës së EULEX pas pretendimeve për korrupsion të bëra nga një prej prokuroreve të brendshme.
“Përveç një hetimi juridik që vazhdon që prej 2013 për pretendimet, caktimi i Jacque tregon vendosmërinë tonë për të hedhur dritë mbi të gjitha zhvillimet,” tha Mogherini në një deklaratë.
“Ky rishikim është në përputhje me dëshirën time për politikë zero tolerancë ndaj korrupsionit,” shtoi ajo.
Pretendimet përfshijnë pretendimin se një gjykatës i EULEX, Francesco Florit mori ryshfet për të mbyllur çështjet kundër të akuzuarve për krime serioze. Florit ka mohuar me forcë akuzat.
Prokurorja e EULEX, e cila publikoi pretendimet javën e shkuar dhe që është pezulluar, ka pretenduar gjithashtu se EULEX në fillim dështoi të hetonte dyshimet e saj rreth Florit, dhe në vend të kësaj e shinjestroi atë si një bilbilfryrëse.
Anëtarët e lartë të Parlamentit Europian paralajmëruan javën e shkuar se akuzat mund të kërcënonin reputacionin e BE-së në Kosovë.
“Nëse akuzat konfirmohen, do të ishte një situatë shkatërrimtare. Besueshmëria e misionit EULEX dhe e BE-së në Kosovë janë në lojë,” thoshin Brok dhe Lunacek në letrën që ia dërguan Mogherinit.
EULEX merret me çështjet e krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimet e luftës që konsiderohen shumë të rëndësishme apo të ndjeshme për t’u përballuar nga gjyqësori i Kosovës.