Ndërsa pretendimet e opozitës, e cila thotë se Shqipëria është bërë një shtet policor, duken të ekzagjeruara, një gjë tjetër, më qesharake dhe po aq e rrezikshme për lirinë mund të jetë e vërtetë: Shqipëria është bërë një shtet elektricistësh.
Disa shtruan pyetjen se çfarë roli mund të kishte Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja në fushatën propagandistike kundër prerjes së lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, kur ky i fundit doli në mbështetje të aksionit të OSHEE, duke theksuar rëndësinë e operacionit në shpëtimin e vendit nga katastrofa financiare.
Por nuk qe vetëm Beqja. Të gjithë ministrat e qeverisë, pa kurrfarë lidhjeje me sektorin e energjisë elektrike, janë vënë në rresht për të mbështetur publikisht me argumente krahasuese ekonomike fushatën e qeverisë kundër vjedhjes së energjisë elektrike, duke i mëshuar edhe më shumë argumentit se qeveria ka vendosur të luftojë fenomenin në fjalë me më shumë propagandë.
Opozita pretendon se Shqipëria është bërë një shtet policor. Ky ka gjasa që është një pretendim i ekzagjeruar. Shteti policor nënkupton kur policia kryen apo zëvendëson rolin e gjykatës dhe po t’i teket, i shpall njerëzit fajtorë. Kjo është e kundërta me shtetin e së drejtës, ku policia ka të drejtë dhe detyrë të identifikojë, hetojë dhe ndalojë keqbërësit, por këta të fundit prezumohen gjithmonë të pafajshëm për sa kohë një institucion teorikisht i pavarur, dmth gjykata, t’i shpallë fajtorë.
Që të jetë e vërtetë, përdorimi i togfjalëshit “shtet policor” nënkupton ekzistencën e një strukture policore burokratike me një ideologji të caktuar, psh, ideologji nacionaliste apo komuniste. Asgjë nga këto nuk duket se është e vërtetë. Policia shqiptare, si e gjithë shoqëria shqiptare, është nën pushtetin e plotë të politikës. Asnjë drejtor, sado i lartë të jetë në rradhët e policisë, nuk ka asnjë fuqi në krahasim me ministrin apo kryeministrin. Dhe fakti është që policia e shtetit që nga viti 1998, nuk ka fuqi të nxjerrë titull ekzekutiv.
Në vitin 2001, qeveria e kohës, e pa të arsyeshme në fakt që t’i jepte të drejtën e nxjerrjes së titullit ekzekutiv kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, në atë kohë KESH dhe më vonë, kompanitë pasardhëse, OSSH, CEZ Shpërndarje dhe OSHEE.
Kjo do të thotë se OSHEE aktualisht për një faturë dritash të papaguar, ka të drejtë të vijë të lëshojë urdhër konfiskimi të një llogarie bankare, apo, teorikisht, të lopës, të televizorit apo të çfarëdolloj prone tjetër të vlefshme që disponon debitori. Policia nuk ka të drejtë të bëjë kurrfarë gjëje të tillë. Ajo maksimumi mund të asistojë përmbaruesit privatë apo publikë kur këta të fundit ekzekutojnë tituj ekzekutivë.
Kjo është një situatë normalisht absurde. Korporatat e telekomunikacionit apo bankat duhet të shkojnë nëpër gjykata për të nxjerrë tituj ekzekutivë. Ndërsa korporata e elektricistëve nuk ka nevojë.
Kështu që, elektricisti, pikërisht elektricisti, është superpolici i Shqipërisë. Veçmas ose në bashkëpunim me faturistin, ai mund të të ngopë një faturë të padrejtë për konsumin e energjisë elektrike, të të fusë një afrofe, apo të të heqë dritat. Tani, falë dalldisë së re të qeverisë, mund të të denoncojë për vjedhje dritash dhe të përfundosh në burg. Polici është vetëm ekzekutues i porositësit elektricist në këto raste. Rrjedhimisht, Shqipëria është një shtet elektricist. Dhe falë dëshirës për qeverisje përmes televizorit të qeverisë, ne tashmë kemi edhe ministrat që dalin në rolin e elektricistit për të ekzekutuar faturat e OSHEE.
Kur ne pamë ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri në krye të operacionit për prerjen e lidhjeve të paligjshme në Tiranë, psh, duhet ta kemi parasysh se edhe Tahiri qe nën urdhrat e elektricistit, i cili është autoriteti i vetëm që dallon vjedhësin nga jovjedhësi. Në rast se elektricisti nuk e kryen funksionin e tij si elektricist, edhe ministri Tahiri me gjasa nuk do të kishte gjë në dorë e aq më pak, Beqja.
Natyrisht që situata e shtetit elektricist është qesharake për ne që e shohim nga jashtë dhe një tragjedi për ata që e vuajnë. Në gjykatën e Tiranës ka mbërritur një rast ku dy njerëz janë arrestuar për të njëjtën vepër penale të identifikuar nga elektricisti. Ata janë, njëri qiramarrës dhe tjetri, qiradhënës i objektit ku u zbulua kabulli i vjedhjes së dritave.
Në përputhje të plotë me tiparet e shtetit elektricist, duket se është vendosur që të arrestohen “të dyshimtët e zakonshëm”. Ka pak rëndësi vërtetimi i faktit se cili prej tyre kreu veprën penale të vjedhjes.
Për më tepër, modeli i dënimit me masë paraburgimi me 20 ditë burg i atyre që janë kapur nga elektricistët, nën presionin publik të politikës, i ka vënë vulën shtetit elektricist që nuk ka respekt për prezumimin e pafajësisë. Prezumimi i pafajësisë është respektuar për çfarëdolloj zyrtari të lartë që e ka parë derën e prokurorisë, por jo qytetarët e zakonshëm. Për ta nuk ka të drejta në shtetin elektricist.
Megjithëse fuqia ligjore që i është lënë në dorë elektricistit është e stërmadhe dhe disproporcionale, sërish dritat nuk mblidhen. Propaganda apo daljet në televizor të ministrave si mbështetës apo ndihmës të elektricistit, vështirë se do ta zgjidhin problemin e mospagesës apo vjedhjes së energjisë elektrike. Vetëm se e gjithë situata e krijuar ngjan shumë banale.