Konsumatorët familjarë të fashës së mesme do të paguajnë më shtrenjtë , ndërsa konsumatorët e pasur të energjisë do të paguajnë më lirë.
Enti Rregullator i Energjisë kreu të premten seancën dëgjimore publike në lidhje me aplikimin e operatorëve të tregut të energjisë elektrike për tarifat e reja të vitit 2015, duke publikuar edhe tarifat e kërkuara nga këta operatorë.
Aplikimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE kërkon një tarifë fundore mesatare prej 12.32 lekë pa TVSH, me një rritje prej 29.3 për qind në krahasim me tarifën mesatare aktuale prej 9.53 lekësh. Rritja e çmimit është kërkuar për të gjithë operatorët, përfshirë industrinë, biznesin dhe ndërmarrjet publike, por rritja më e madhe kërkohet te konsumatori familjar.
Për konsumatorin familjar, OSHEE kërkon një tarifë të njehsuar prej 11.08 lekë pa TVSH, (13.3 lekë me TVSH), nga tarifa aktuale dynivelëshe. Për konsumatorët e varfër, të cilët harxhojnë 300 kWh në muaj, kjo përkthehet në rritje të kostos së energjisë elektrike me 1,200 lekë në muaj ose rreth 44 për qind nga tarifa aktuale. Për konsumatorët më të pasur, formula e kërkuar sjell rritje më të vogël çmimi, ndërsa për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kWh në muaj, çmimet e reja sjellin praktikisht ulje.
Tarifa aktuale e shitjes së energjisë për konsumatorin familjar është 7,7 lekë për konsumin deri në 300 kWh në muaj dhe 13.5 lekë për konsumin mbi 300 kWh.
BIRN kreu llogaritjet me çmimet aktuale dhe çmimet e reja të propozuara nga OSHEE, nga ku rezulton se familjet që konsumojnë deri në 200 kWh do të paguajnë 811 lekë më shumë në muaj, ndërsa ato që konsumojnë 300 kWh, do të paguajnë 1,217 lekë më shumë. Familjet që konsumojnë 700 kWh në muaj, do të marrin një rritje prej vetëm 55 lekësh të rinj në muaj, ndërsa konsumatorët e tjerë do të kenë ulje të faturës.
OSHEE shet aktualisht rreth 1.6 miliardë kWh në vit me tarifën e parë dhe rreth 620 milionë kWh me tarifën 13.5 lekë. Në rast se kërkesa e kompanisë për tarifën e re të unifikuar prej 11.08 lekësh do të miratohet nga ERE, atëherë OSHEE do të marrë në total 4.1 milardë lekë më shumë nga xhepat e konsumatorit familjar vitin e ardhshëm. Bashkë me tatimin mbi vlerën e shtuar, konsumatorët pritet të paguajnë rreth 5 miliardë lekë (35 milionë euro) më shumë në vit.
Qeveria ka premtuar se do të kompensojë konsumatorët në nevojë ekonomike për një shumë jo më të madhe se 1.6 miliardë lekë, (rreth 12 milionë euro). Kjo do të thotë që për konsumatorin, tarifa e re e energjisë elektrike do të krijojë një taksim indirekt shtesë prej 3.4 miliardë lekësh.
Sistemi dytarifor i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u vendos për herë të parë në Shqipëri në vitin 2001, me synimin e uljes së konsumit të energjisë elektrike nga popullsia dhe zëvendësimin e energjisë elektrike me burime të tjera energjie, për ato shërbime që mund të zëvendësohen.
Deri në atë kohë, arsyetohej se konsumatori familjar qe i inkurajuar të përdorte energjinë elektrike për ngrohje gjatë dimrit ose për ajër të kondicionuar gjatë verës, duke rritur konsumin dhe duke e detyruar KESH të importonte energji të shtrenjtë nga vendet fqinje. Shënjestra kryesore qe zëvendësimi i kondicionerëve me ngrohjen me gaz ose naftë.
Nafta për ngrohje në atë kohë u përjashtua nga akciza, me qëllim që të përdorej si burim më i lirë energjie se sa elektriciteti. Por disa vite më vonë, qeveria i vendosi akcizë naftës për ngrohje, e nxitur nga dyshimi se nafta e makinave po importohej duke u deklaruar si naftë për ngrohje. Që nga ajo kohë, gazi ka mbetur si burim alternativ ngrohjeje dhe gatimi, por edhe çmimi i gazit është shtrenjtuar shumë gjatë viteve të fundit.
Rritje e fortë edhe për biznesin
Edhe biznesi pritet të përballet gjithashtu me rritje në çmimin e energjisë elektrike vitin e ardhshëm. OSHEE ka kërkuar që çmimi për segmentin tregti e shërbime, të rritet nga 12.2 lekë që është aktualisht në 15.36 lekë, pra me një shtrenjtim final të faturave mujore prej 25 për qind.
Rritja më e madhe do të rëndojë sërish mbi xhepat e konsumatorëve në formën e taksave. OSHEE ka kërkuar çmim prej 17.59 lekësh për konsumatotët e sektorit buxhetor, një çmim ky jashtëzakonisht i lartë dhe i palogjikshëm. Çmimi aktual i paguar nga institucionet buxhetore është 14 lekë. Arsyeja se pse kërkohet vazhdimisht rritja e këtij çmimi është se ai paguhet nga taksapaguesit përmes buxhetit të shtetit dhe rrjedhimisht, ndjehet më pak në xhepat tonë.
Edhe furrat e bukës e fabrikat e miellit do të përballen me rritje të çmimit të energjisë nga 7.6 në 9.56 lekë, por pjesa më e madhe e furrave të bukës prej kohësh punojnë me furra gazi. Të paktën, impakti i energjisë në çmimin e bukës nuk pritet të jetë i madh.