Ligji shqiptar mund t’iu garantojë fëmijëve me aftësi të kufizuar të drejtën për arsimim por në realitet prindërit përballen me shumë vështirësi për të siguruar aksesin në shkolla.
Si çdo fëmijë tjetër i moshës së tij, tetë-vjeçari Ergi është një fëmijë i shkujdesur, i cili i hap jo pak telashe nënës së tij Bruna teksa shëtisin rreth bllokut të pallateve ku ata banojnë ose në parkun pranë liqenit artificial të Tiranës.
Megjithatë, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, Ergi vuan nga autizmi dhe nuk ndjek shkollën. “Ai nuk po e jeton fëmijërinë e tij. Në vend që të ndiqte shkollën dhe të integrohej, rri me ne, në shtëpi,” thotë e ëma, Bruna.
“Unë mundohem shumë t’i flas gjatë të gjithë kohës, të realizojmë lojëra, por përsëri shoh që nuk është e mjaftueshme,” shton ajo.
Megjithëse komisioni i Drejtorisë Arsimore të Tiranës i ka dhënë Ergit dritën jeshile për regjistrimin në shkollë, kjo e fundit nuk e regjistron duke argumentuar se ata nuk kanë mundësitë për të ndjekur ecurinë e fëmijëve me aftësi të kufizuar.
Ekspertët e fushës thonë se rasti i Ergit nuk është i pazakontë. Megjithëse Shqipëria aprovoi në vitin 2012 ligjin për arsimin gjithëpërfshirës, i cili garanton të drejtën e fëmijëve me aftësi të kufizuar për të ndjekur shkollën, ata shpesh përballen me vështirësi që në momentin e regjistrimit.
Aktivistët e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar thonë se nuk janë vetëm shkollat të cilat u mohojnë këtyre fëmijëve të drejtën për arsimim. Të frikësuar nga paragjykimet me të cilat do të përballen këta fëmijë, prindërit shpesh hezitojnë në regjistrimin e tyre në shkolla.
Në një raport të vitit 2012 mbi edukimin gjithëpërfshirës të organizatës Save the Children raportohet se në Shqipëri janë 17,786 fëmijë me aftësi të kufizuar, ndër të cilët 4,776 janë nën moshën gjashtë vjeçare, 8,845 i përkasin grupmoshës 6-15 vjeç dhe 4,165 prej tyre grupmoshës 15-18 vjeç.
Bazuar në këtë raport, vlerësohet se 2,289 fëmijë me aftësi të kufizuar duhet të ndjekin arsimin parashkollor, 5,477 të tjerë duhet të ndjekin arsimin 9-vjeçar dhe 1,356 duhet të ndjekin arsimin e mesëm.
Pavarësisht shifrave të mësipërme, sipas këtij raporti, numri i fëmijëve me aftësi të kufizuar të regjistruar në sistemin tonë arsimor gjatë vitit 2011 ishte vetëm 1,058.
Mamaja e Ergit tregon se vështirësitë filluan që në momentin kur ai u diagnostikua me autizëm në moshën 3-vjeçare, pas një vizite tek doktori për vaksinën e radhës. “Ai nuk kishte shfaqur asnjë shenjë autizmi deri atëherë,” kujton Bruna. “Nuk doja ta besoja,” shton ajo.
Pas diagnostikimit të Ergit, babai i tij e braktisi gruan dhe fëmijën, duke vështirësuar dhe më tej situatën e tyre familjare.
Për pothuaj një vit, Bruna trokiti në shumë dyer në kërkim të trajtimit të specializuar, duke gjetur më pas ndihmë pranë një qendre jo-fitim-prurëse në Kombinat, “Të qëndrojmë së bashku”.
Pranë kësaj qendre, Ergi mori trajtim të specializuar ditor, çka e përgatiti atë dhe për hyrjen në sistemin arsimor.
Kur Ergi u vlerësua se ishte i aftë të regjistrohej në parashkollor, Bruna shkoi pranë shkollës për të bërë regjistrimin. Megjithatë, pavarësisht se komisioni i drejtorisë arsimore i kishte dhënë miratimin, shkolla nuk e pranoi.
Drejtoresha e shkollës i tha mamasë së Ergit se në atë shkollë ishte e regjistruar sakaq një vajzë me autizëm dhe mësueset nuk kishin mundësi të përballonin dhe një fëmijë tjetër me aftësi të kufizuar.
“Nuk ta zgjidh njeri hallin që ke moj motër. Çoje në shkollë tjetër, jo tek ne,” kujton Bruna fjalët e drejtoreshës.
Ajo iu drejtua sërish për ndihmë organizatës “Të qëndrojmë së bashku”; megjithatë, pavarësisht ndërmjetësimit të qendrës, shkolla vazhdon të refuzojë regjistrimin e Ergit.
Janela Faniko, psikologe pranë qendrës “Të qëndrojmë së bashku”, thotë se ata janë përballur me një sërë rastesh të fëmijëve në situatën e Ergit, të cilët janë të aftë të ndjekin shkollën por që u refuzohet regjistrimi në të.
“Edhe pse kohët e fundit është miratuar ligji i cili iu jep të drejtën këtyre fëmijëve të arsimohen, sërish dyert e shkollave mbeten të mbyllura për ta,” thotë Janela.
Po i njëjti raport i Save the Children i përmendur më lart nënvizon faktin se 60 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuar në Shqipëri jetojnë në zonat rurale.
Përballja me paragjykimet ndaj aftësisë së kufizuar dhe sigurimi i të drejtës për arsimim në këto zona duket se është dhe më e vështirë.
Flori, një djalë paraplegjik, ndjek klasën e tretë në shkollën fillore “Bajram Gashi” në Fllak, një fshat pranë qytetit bregdetar të Durrësit.
Ai duhet të ishte në klasë të pestë tashmë, por për dy vjet, drejtori i shkollës refuzonte ta regjistronte duke argumentuar se shkolla nuk ishte e pajisur me rampë për karrigen me rrota.
I pyetur nga BIRN, ish drejtori i kësaj shkolle mohoi diskriminimin e Florit bazuar në aftësinë e tij të kufizuar.
“Unë doja vetëm që familjarët e tij të mos rraskapiteshin më kot duke e marrë dhe e sjellë atë në shkollë. Plus faktit se kishte mungesë të infrastrukturës shkollore,” tha ai.
Prindërit e Florit hedhin poshtë deklaratat e ish drejtorit, duke shpjeguar se ata kanë qenë të gatshëm të bëjnë gjithçka që djali i tyre të ndiqte shkollën.
Kështu, prindërit punësuan dhe një mësues privat për t’i dhënë atij mësim në shtëpi gjatë të dy viteve që Florit i mohohej regjistrimi dhe tashmë ai është një nxënës i shkëlqyer.
“Ishte një ndëshkim i madh për djalin tim që të mbetej pa shkollë,” tha Fabiola, nëna e Florit.
“Nëse shoqëria shqiptare vazhdon me ketë paragjykime, që në klasat e shkollave mos të duket asnjë fëmijë më aftësi të kufizuar, kam përshtypjen se do i dënojnë këta fëmijë më një sindromë të dytë, atë të diskriminuarit,” shtoi ajo.
Florian Kulla, një ekspert në fushën e arsimit pranë Save the Children, shprehet se raste si ai i Ergit dhe Florit shkelin ligjin e vitit 2012 mbi arsimin gjithëpërfshirës.
Ky ligj garanton jo vetëm të drejtën e fëmijëve me aftësi të kufizuar për të ndjekur shkollën, por parashikon gjithashtu mbështetjen e klasave ku këta fëmijë regjistrohen me mësues ndihmës.
Megjithëse ligji ka hyrë në fuqi prej më shumë se dy vitesh tashmë, shumicës së shkollave u mungojnë mësuesit ndihmës duke e bërë dhe më të vështirë regjistrimin dhe ndjekjen e shkollës për këta fëmijë.
“Ligjet janë fantastike, por vetëm në Shqipëri ndodh që kur miratohet një ligj i tillë nuk llogaritet kostoja financiare,” vëren Floriani.
Entela Luadhi, nga MEDPAK, një organizatë në mbrojtje të fëmijëve me aftësi të kufizuar, shprehet se mungesa e mësuesve të trajnuar në mbështetje të këtyre fëmijëve është problematike.
Megjithatë, Luadhi thotë se disa herë duhen fajësuar dhe paragjykimet e prindërve, si dhe frika e tyre për t’u përballur me paragjykimet e shoqërisë.
“Disa prindër e kanë shumë të vështirë të pranojnë që fëmijët e tyre kanë një aftësi të kufizuar,” thotë Entela.
“Të frikësuar nga paragjykimet që ka shoqëria, këta prindër arrijnë kështu në konkluzionin se fëmijëve të tyre nuk u shërben as shkolla, sepse ata nuk do të mund të bëhen kurrë dikushi në jetë,” përfundon ajo.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Forcimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë” mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.