
Reagimi i opinionit publik shqiptarë ndaj tragjedisë në Francë duket si reagim i një të “nënshtruari”, të cilit i ka shijuar nënshtrimi në vendin e tij, ka humbur shpresën për të mposhtur “nënshtrimin” dhe reagon për ngjarje të përbotshme dhe jo vendore nën tutelë e përkujdes, nga ata që ia kanë “siguruar” lirinë e fjalës, nga politika.

Pati një reagim sigurisht nga media, politika dhe opinioni publik, kjo është gjëja më normale që mund të bëjë një shoqëri. Ajo që të bën të mendosh se gjithë ky reagim më shumë është histeri se reagim i sinqertë, duke u nisur nga fakti që të gjithë e dimë se sa dhe në ç’mënyrë reagojmë ne për hallet apo ngjarjet e përditshme tragjike që na ndodhin .
Sigurisht mendimi i mëposhtëm nuk është kurrsesi gjithpërfshirës. Por duhet thënë që kemi përjetuar mjaftueshëm ngjarje të rënda për të cilat, opinioni publik, politika dhe media duhej të kishte reaguar siç dinë të reagojnë popujt e lirë dhe demokratë. Të gjithë e pamë reagimin e francezëve natën e parë pas ngjarjes së rëndë, sheshet plotë me njerëz të indinjuar, shteti në këmbë i gjithi. Por në shqipëri, të gjithë e bënë gjumin rehat në “shpellën” e tyre edhe pse vetëm në gjashtë ditët e para të vitit ngjarjet kanë qënë se kush e kush më tragjike se tjetra, ngacmime seksuale, korrupsion, banda të armatosura, gjysma e vendit në errësirë dhe ngricë..etj.
Ngjarja në Francë ishte një tragjedi botërore, për median e lirë, për fjalën e lirë, por në kushtet e një realiteti ku media dhe fjala e lirë nuk janë të lidhura me stomakun. C’dua të them me këtë? Gazetari apo njeriu i lirë Francez nuk kushtëzohet me bukën e gojës në profesionin e tij, botuesit e medias franceze nuk e kanë të lidhur biznesin e tyre me tenderë qeveritare, me presion pushteti, nëpunësi shtetëror jo e jo, që nuk rri i frikësuar se më hoqën tani më hoqën pastaj bukën e fëmijëve nga goja. Në France veçanërisht, por dhe në të gjithë perëndimin kryesisht nuk është dëgjuar kurrë për grupe të fuqishme mafioze, të cilat kontrollojnë politikën si rrjedhojë median dhe fjalën e lire. Kjo i bëri francezët që të bëhen populli më revolucionar në botë, sepse Ata ia dinë vlerat lirisë, por më shumë dinë frytet që sjell liria. Si mund të mos të të duket hipokrizi reagimi i politikës dhe opinionit publik shqiptarë, kur tashmë dihet marrëdhënia e këtyre të dyjave në shqipëri. Politika nëpërmjet medias u jep shqiptarëve të shohin cdo natë panele “opinionbërësish” që prodhojnë, analizojnë dhe orientojnë opinionin publik, popullin, me opinione të fabrikuara nga selitë e partive politike, madje presioni i politikës dhe mafies shkon deri aty sa fjalëthënësi i fjalës së lirë, flet duke lexuar “sms” edhe në emisione të drejtpërdrejta, pra këta edhe memorien ironikisht e kanë aq të shkurtër sa nuk mësojnë dot edhe tekstet që u jepen përmendësh.
Fjalëlirët e fjalës së lirë në Shqipëri mendojnë me “plënc/stomak” dhe jo me mendje e logjike e në interes të popullit, e dinë shumë mirë që kanë të bëjnë me popull që ka alergji nga liria, fjala e lire, aq më tëpër akoma popull revolucionar si francezët. Mirëpo histeria e të nënshtruarit me nënshtruesin nuk përfundon këtu, fenomeni i “forkiadave” do ta quaja unë, bjerr edhe në rrjetet sociale në të ashtuquajturit blogistë, menddhënës dhe liridashës të mëdhenj. Për të shpjeguar fenomenin “forkiada”, dhe pse bëra këtë krahasim. Forkiada, ishin tre bija të Forkit, hyjnisë së detit dhe skëterrës, sipas legjendës përfytyroheshin si tri shtriga tmerrësisht të shëmtuara, thinjoshe, të cilat jetonin të mbyllura në një shpellë nga e cila dilnin shumë rrallë. Forkiadat kishin vetëm një sy dhe një dhëmballë gjithsej, të cilat i merrte herë njëra herë tjetra kur dilnin nga shpella në publik. Gëte tek “fausti” i përdor si figura që personifikojnë ‘mefistofelin’ . Pse më erdhi në mëndje ky shembull krahasimi? Është fakt se në median shqiptare kemi “opinionbërës” të cilët kanë vetëm një sy dhe një dhëmballë, të cilat ua jep dhe i nxjerr të “përçapin” në publik, interesi i radhës. Ndërsa një fenomen tjetër “forkiada” janë blogistët, meqë është shfaqje shumë e freskët rrjeti social në Shqipëri, janë të porsa dalë nga shpella dhe për të rënë në sy, nuk janë të vetëdijshëm, se kanë të gjithë në përdorim të njëjtin sy e përçapen me të njëjtën dhëmballë. Ka dhe shumë raste që e dine por duan të duken shumë demokretër e të lirë, pasi që edhe plënci i tyre ka filluar të zgjerohet dhe ushqehet nga pak, fillojnë duke e futur shoqi-shoqin “borxh” që tek “like-t” pëlqimet, e derisa të bien në rrjetën e madhe të kushedi se kujt “forkiadë”, ata që spikasin si më të talentuarit. Nuk është faji i tyre apo faj kolektiv as këtu, është edhe kjo punë karakteri e shoqërisë në tërësi. Përpara se të bëjmë si njerëzit më të irrituar në botë për gjëra të përbotshme, duhet së pari të sillemi, të flasim dhe të veprojmë në mënyrë të lirë dhe demokratike në vendin tonë, pastaj do të na ketë hije edhe reagimi për sy të botës se vetvetiu do të jetë më me karar. Shqiptarët do të jenë të lirë dhe do të reagojnë vërtetësish të tillë vetëm kur të shkëpusin të menduarit nga “plënci”.
Jam dakort me idenë e shkrimit ( Shqiptarët do të jenë të lirë dhe do të reagojnë vërtetësish të tillë vetëm kur të shkëpusin të menduarit nga “plënci”)
Pikërisht kjo është arsyeja që sundimtarët i lenë njerëzit në përgjegjithësi pa minimumin jetik për frymë që mesa di unë në Shqipëri qysh 20 vjet përpara ka qenë 95 USD.
Pamundësia për të menduar me barkun bosh është aq e lashtë sa edhe lindja e mendimit tek qenia njërëzore prandaj përmendja e këtij fakti, argumentimi i tij, të kujton se sa prapa jemi edhe ne Shqiptarët që si shumë, shumë pak njerëz të tjerë të rruzullit kemi bekimin që të jemi banorë të Evropës.