Një tender i kryer të enjten përfundoi me nëntë kontrata të nënshkruara me çmime dy herë e gjysmë më të lira se sa çmimi që paguan OSHEE për blerjen e energjisë nga tregtarët.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, nënshkroi nëntë kontrata me tregtarët privatë për shitjen e një sasie energjie gjatë orëve të natës me çmime që variuan nga 16.6 në 22.6 euro për MWh ndërsa çmimi mesatar qe 19 euro. Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të KESH, shprehën interes për blerje energjie pesë kompani nga të cilat u shpallën fituese katër. Në total u shitën 39,600 MWh energji me një vlerë të përgjithshme prej 754 mijë eurosh. Energjia do të lëvrohet gjatë dy periudhave, 7-17 shkurt dhe 8 28 shkurt 2015, nga ora 22 e mbrëmjes deri në orën 7 të mëngjesit, dmth jashtë orëve të pikut.
Energjia do të lëvrohet e gjitha në dy linjat e interkonjeksionit të vendit me Greqinë dhe Malin e Zi.
Më 2 shkurt, KESH pati zhvilluar një tender tjetër ku shiti 127 mijë MWh me çmim mesatar 38.5 euro, energji që do të lëvrohet përgjatë muajit shkurt. Vetëm tri ditë para kësaj shitjeje, kompania tjetër nën pronësi publike OSHEE, bleu energji nga të njëjtët tregtarë përkundrejt çmimit 57 euro për MWh ose gati 19 euro më shtrenjtë. Në rast se KESH do t’ia shiste OSHEE këtë sasi energjie, konsumatorëve shqiptarë do t’i kurseheshin 2.3 milionë euro vetëm për muajin shkurt.
Energji gjatë natës, bazë dhe pik
Në tregjet e energjisë elektrike, energjia shitet me furnizim 24 orësh, të njohur si bazë, me kontrata për furnizim në orët e pikut dhe me kontrata për furnizimin në orët jashtë pikut. Energjia e shitur gjatë natës ka gjithmonë çmim disa herë më të ulët se sa energjia e shitur gjatë ditës.
Shqipëria, e cila e prodhon energjinë me hidrocentrale, nuk ka shumë shpesh nevojë të shesë energji lirë gjatë natës. Por aktualisht KESH ka vendosur të shfrytëzojë kaskadën në këtë mënyrë, ndërsa një ekspert me njohuri nga tregu i energjisë i tha BIRN në kushtet e konfidencialitetit se shitja e energjisë elektrike gjatë natës me çmim të lirë ndoshta mund të shmangej duke patur parasysh se kapaciteti i hidrocentraleve dhe energjia e importuar krijojnë kapacitet të mjaftueshëm për KESH për të shitur energji 24 orëshe, ku çmimi i marrë është më i lartë. “Importi është i konsiderueshëm aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të disponueshme dhe kjo lejon që kaskada e Drinit të përdoret për të eksportuar në bazë pa patur nevojë për të shitur jashtë pikut,” tha burimi.
Ekspertët sugjerojnë se analizimi i situatës me synimin e maksimizimit të prodhimit dhe çmimit të përfituar nga eksporti duket se është e mangët ndërsa importet e OSHEE për të mbuluar humbjet pavarësisht se KESH mund të ketë energji të disponueshme sot është tërësisht i pakuptimtë nga pikëpamja ekonomike për shkak se të dyja kompanitë janë nën pronësi publike dhe që të dyja i kanë shkelur të gjitha rregullat e modelit të tregut për shkak të subvencioneve të drejtpërdrejta të qeverisë për këto kompani. Ekspertët vërejnë gjithashtu mungesën e dëshirës nga ana e KESH për të hyrë në marrëveshje shitjeje drejtpërsëdrejti me korporatën e energjisë elektrike të Greqisë pa patur nevojë të përdorin tregtarët ndërmjetës të cilët një pjesë të energjisë e shesin pikërisht në tregun grek.
KESH dhe OSHEE i kryejnë shitjet dhe blerjet e energjisë përmes një procedure tenderimi të cilën Autoriteti i Konkurrencës e ka konsideruar si jokonkurruese. Kompanitë shprehin fillimisht interes dhe më pas negociojnë me KESH dhe OSHEE për kontratën finale, model që arsyetohet se rrit rrezikun e shkëmbimit të informacionit mes tenderuesve dhe përfituesve të tenderëve. Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se OSHEE është akuzuar se ka manipuluar tenderët. Qeveria dhe Enti Rregullator kanë refuzuar rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës i cili thotë se tenderimi i energjisë duhet të ndjekë formën e ankandeve të bonove të thesarit të Bankës së Shqipërisë.
Shitja e energjisë elektrike nga KESH me çmim më të ulët nga sa e blen OSHEE ndërkohë që mes dy kompanive ekzistojnë të gjitha mundësitë e shitjes së drejtpërdrejtë nga KESH te OSHEE duke i kursyer taksapaguesve miliona euro në muaj, u kthye në një debat politik të enjten në parlament ku Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri mbrojti vendimet e KESH dhe OSHEE duke argumentuar se shitjet e fundit janë bërë për arsye emergjence dhe se shitja e drejtpërdrejtë nga KESH te OSHEE nuk është e mundur.
“Çdo lloj prodhimi në emergjencë nuk ke ku ta çosh sepse shpërndarja nuk mund të anulojë kontratat e nënshkruara, meqenëse shitja e emergjencës është me çmim të lirë. Efektet ekonomike të prishjes së kontratave do të ishin më të mëdha se sa vlera e përfituar për shkak të tyre. Ky është modeli i tregut,” tha Gjiknuri.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shfrytëzon tragjedinë aktuale të shkaktuar nga përmbytjet për t’u pasuruar.
“Blerja e fundit e çmimit të energjisë elektrike nga OSHEE është dy herë më e shtrenjtë,” tha Basha.