Shqipëria po përjeton ditë të pazakonta ku uji në hidrocentrale po derdhet jashtë turbinave, KESH po shet me çmime minimale ndërkohë që vendi harxhon miliona euro për të importuar energji.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk arriti të shesë të gjithë energjinë e tepërt të prodhuar në Drin dhe hapi portat e shkarkimit ndërkohë që çmimi i shitjes së energjisë për tregtarët nga KESH ra deri në çmimin minimal prej 10.75 eurosh për MWhNdërkohë, shkarkimet totale të ujit në liqenin e Vaut të Dejës u rritën gjatë ditës së sotme në 1,019 metra kub ujë për sekondë duke shtuar rrezikun për përmbytjen e zonës fushore përgjatë lumit Buna.
Shtrati i Bunës ka një kapacitet maksimal shkarkimi prej 1500 metra kub ujë për sekondë, por faktorë të ndryshëm si drejtmi i erës apo i dallgëve mund të ndikojnë në uljen e kapacitetit shkarkues të lumit më të gjerë në Shqipëri.
Hidrocentralet e Drinit nuk po shfrytëzohen në kapacitetin e tyre maksimal për shkak të mungesës së tregut të gatshëm për të thithur të gjithë energjinë. Në total nga të tre hidrocentralet e Drinit po derdhen 1,500 metra kub ujë për sekondë.
Ndërsa hidrocentralet janë përplot, KESH është përballur edhe me mungesën e kapacitetit ndërkufitar të transmetimit të disponueshëm nga tregtarët e energjisë, gjë që ka sjellë mungesë tregu dhe rënie drastike të çmimeve të shitjes.
KESH pati ofruar për shitje 61 mijë MWh ndërsa kompanitë u shprehën të gatshme të blinin më pak se 26 mijë MWh. Në tender dolën fituese tri kompani të cilat morën 15 kontrata. Por ajo që bie në sy është që blerja e energjisë nga kompanitë private është përqendruar në fasha orare të pazakonta për Shqipërinë. Disa nga kontratat janë për shitje energjie nga ora 12 e mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit ndërsa disa të tjera janë për orën 6 me 7 të mëngjesit përgjatë dy javëve të ardhshme.
Në total këto kontrata do t’i japin KESH 370 mijë euro me çmim mesatar shitjeje prej 14.39 eurosh për MWh.
Ekspertë të pyetur nga BIRN thanë në kushtet e konfidencialitetit se shkaku i eksporteve në këtë mënyrë lidhet me mungesën e kapacitetit ndërkufitar të transmetimit të disponuar nga kompanitë tregtare.
Shqipëria gjendet kështu në mënyrë të përsëritur në një situatë ku detyrohet të derdhë ujë pa prodhuar energji apo të shesë energji me çmim minimal ndërkohë që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes aktualisht importon çdo ditë mbi 300 mijë euro energji të paguar me çmimin 57 euro për MWh, ose disa herë më shtrenjtë nga çmimi me të cilin KESH po e shet.
Më 2 shkurt, KESH shiti energji me 38.5 euro për MWh ndërsa më 5 shkurt, shiti një sasi energjie për orët e natës me çmim prej vetëm 19 eurosh për MWh.
“Model tregu”
Shqipëria ndau sektorin e energjisë elektrike në tre segmente në vitin 2006 si pjesë e përpjekjeve për të privatizuar segmentin më problematik, sistemin e shpërndarjes.
Kapacitetet gjeneruese të energjisë iu lanë KESH së bashku me rolin e furnizuesit publik me shumicë, ndërsa menaxhimi i rrjetit të tensionit të lartë iu la Operatorit të Sistemit të Transmetimit, OST. Sistemi i shpërndarjes u la në menaxhimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSH. Kjo e fundit u shit në vitin 2009 dhe u riemërua CEZ Shpërndarje para se të blihej sërish nga shteti shqiptar i cili i dha emrim OSHEE.
Modeli i tregut nënkuptonte liberalizmin e prodhimit të energjisë elektrike si dhe segmentin e transmetimit. Në vitin 2011 u liberalizua tregu i konsumit të industrisë së rëndë ndërsa aktualisht qeveria ka në plan të liberalizojë edhe segmentin e tregut konsumator që furnizohet nga linjat e tensionit të mesëm të transmetimit.
Sipas modelit të tregut, KESH ka për detyrë të furnizojë OSHEE me çmim të rregulluar vetëm për një pjesë të energjisë për të cilat ka faturime të rregullta për konsumatorët fundorë ndërsa energjia e humbur/vjedhur në treg duhet të sigurohet nga OSHEE në treg të hapur. Kjo nënkuptonte se do të krijonte një incentivë për kompaninë e shpërndarjes për të punuar për reduktimin e humbjeve teknike dhe vjedhjeve, gjë që tashmë dihet që nuk funksionoi.
Sistemi i transmetimit të energjisë lejon, përkundrejt një tarife të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë, çdo operator që kërkon, të transmetojë energjinë për sa kohë ka kapacitete të lira.
Modeli aktual i tregut nuk nënkupton që KESH të shesë te OSHEE drejtpërsëdrejti energji të destinuar për të mbuluar humbjet, por në prill 2013, Enti Rregullator i Energjisë autorizoi KESH t’i japë energji OSHEE përtej sasisë së zakonshme me tarifë të rregulluar duke marrë për bazë çmimin e energjisë të dalë nga tenderët me të cilët OSHEE e blen në treg të hapur.
Për muajt prill, maj, qershor 2013, OSHEE mori te gjithë sasinë për mbulimin e humbjeve nga KESH, pasi në atë kohë KESH, kishte prurje te mëdha dhe mund te furnizonte OSHEE për klientët tariforë dhe mbulimin e humbjeve me çmime shumë të favorshme eksporti.
Por diçka e tillë nuk ndodhi kësaj here. Më 28 janar, OSHEE kreu tender për blerjen e energjisë nga tregtarët privatë të energjisë ndërkohë që pak ditë më vonë, KESH doli në treg për të shitur me çmim shumë më të lirë.
Shitja e energjisë me çmim shumë të ulët nga ana e KESH kur kjo e fundit ka teprica energjie ndërkohë që sistemi i shpërndarjes blen energji të shtrenjtë, është një problem që është përsëritur në mënyrë të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit.
Opozita e ngriti problemin në debat politik të premten kur kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi shitjen nga KESH dhe blerjen nga OSHEE si “vjedhje”.
Ministi i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri iu përgjigj duke thënë se në kohën kur qeveriste Partia Demokratike, çmimet e blerjes së energjisë nga shpërndarja ishin edhe më të larta ndërsa ato të shitjes së energjisë nga KESh qenë edhe më të ulëta.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë deklaroi së fundmi se modeli aktual i tregut nuk e lejon shitjen e drejtpërdrejtë nga KESH te OSHEE ndërsa shtoi se të dyja kompanitë, të cilat janë nën pronësi publike, kanë nënshkruar një kontratë që do të lejojë KESH të koordinohet me OSHEE kur ka teprica dhe do të lejojë OSHEE të blejë tepricat e KESH me çmim referencë, çmimin e publikuar nga bursa e energjisë në Hungari.
Çështje koordinimi
Prodhimi i energjisë nga hidrocentralet varet nga sasia e reshjeve, të cilat, në rastin e Shqipërisë kanë luhatshmëri të mëdha nga njëri vit në tjetrin si dhe luhatshmëri stinore. Por KESH ka një eksperiencë të gjatë në menaxhimin e kaskadës ndërsa liqenet e stërmëdha janë ndërtuar posaçërisht për të shmangur këto luhatshmëri.
Disa nga ekspertët e pyetur nga BIRN thanë në kushtet e konfidencialitetit se aktualisht qe tërësisht e mundshme që të parashikohej teprica energjetike para se OSHEE të bënte tenderin për blerjen e energjisë dhe që të dy kompanitë publike mund të qenë marrë vesh më herët për të siguruar përdorim maksimal të burimeve hidrike të vendit dhe për t’i kursyer vendit miliona euro.