‘Caliphatebook’ një sajt që synonte të mblidhte të gjithë anëtarët e grupeve islamike që kërkonin sundimin e botës nga ekstremistët është çaktivizuar nga vetë krijuesit e tij.
Një sajt i faturuar si alternativa e Facebook pro-Shtetit Islamik është shkëputur nga linja prej krijuesve të tij.
Uebsajti 5elefabook, emri i të cilit vjen nga fjala arabike ‘kalifat’, zëvendësoi ballinën e vet më 9 mars me një mesazh ku lajmërohej ‘çaktivizimi i përkohshëm në mënyrë që të mbroheshin të gjitha të dhënat dhe detajet e anëtarëve të tij dhe siguria e tyre”.
Individët ose grupet pas 5elafabook gjithashtu krijuan një llogari Twitter, që u pezullua më 10 mars. Sajti është krijuar një lloj lëvizje në Twitter, ku disa përdorues i referoheshin si ‘sajti social i rekrutimit Salafi’.
Uebsajti u listua si i regjistruar me regjistruesin dhe kompaninë bartëse të uebit me bazë në Arizonë GoDaddy. Personi i kontaktit është regjistruar në GoDaddy si “Abu Musab” dhe si vendi ku ai qëndronte ishte përmendur Egjipti. Megjithatë, në mënyrë të ngatërrueshëm adresa e dhënë nga “Abu Musab” është “Shteti Islamik Mosul”.
Një person anonim i lidhur me uebsajtin tha për agjencinë e lajmeve Al-Arabiya se 5elefabook nuk është në fakt i lidhur me grupin e Shteti Islamik. Megjithatë, ata që gjenden pas sajtit janë besnikë të idesë së një shteti islamik, tha personi.
Një mesazh i shfaqur në sajtin më 10 mars gjithashtu pretendonte se 5elafabook ishte ‘një faqe e pavarur dhe nuk sponsorizohej nga Shteti Islamik’.
Sipas Al-Arabiya, ndryshe nga Facebook, anëtarët e të cilit janë vazhdimisht të inkurajuar të postojë foto të vetat, anëtarët e ‘caliphatebook’, e kishin të ndaluar në mënyrë strikte të shpërndanin fotot e tyre apo ndonjë informacion personal.
Faqja e hyrjes së sajtit është zëvendësuar nga një mesazh që shpjegon se qëllimi i 5elafabook ‘ishte të qartësohej te e gjithë bota se ne nuk mbajmë vetëm armë dhe jetojmë në shpella siç imagjinojnë ata’.
Ndërsa sajti këmbëngul se anëtarët e tij ‘nuk jetojnë për të vrarë dhe për të derdhur gjakun siç na portretizon media’, 5elafabook pranon se ka ambicie për dominim global.
“Ne do të sundojmë të gjithë botën me lejen e Allahut… Na pëlqen të vdesim po aq sa të jetojmë dhe premtojmë se do të luftojmë deri te njeriu fundit,” shpjegon mesazhi.
Fillimisht, dizenjimi i faqes kryesore të uebsajtit tregonte një hartë të botës me tekst arabik të besimit islamik dhe vulën e Muhamedit – të dyja tipare të flamurit të zi të Shtetit Islamik – të mbishkruara në çdo kontinent, duke sugjeruar një pushtim global nga Shteti Islamik ose ata që kanë lidhje me të.
Ndërsa 5elefabook duket se është përpjekja e parë për të krijuar një rrjet social të dedikuar miratimit të Shtetit Islamik, ka disa uebsajte të lidhura me grupin militant. Militantët që flasin rusisht të Shtetit Islamik, të afërt me komandantin ushtarak të grupit në Siri, Umar Shishani, kanë një uebsajt, FiSyria, që poston lajme dhe video që lidhen me grupin e Shtetit Islamik dhe me islamin militant në përgjithësi. Të dhënat tregojnë se uebsajti FiSyria ka si bartën një komani me bazë në Stamboll.
Grupi i Shtetit Islamik më parë kishte një sajt zyrtar në gjuhën ruse, H-Center, që postonte përkthime zyrtare ruse të materialit propagandistik të Shtetit Islamik dhe ishte i lidhur me degën mediatike të grupit militant, Al-Hayat. Megjithatë, ky sajt u çaktivizua nga interneti në fund të vitit të shkuar. Të dhënat tregojnë se domeni është aktualisht i regjistruar në emër të Fatima Ummhamza që është me bazë në Oleksandria, Ukrainë.
Copyright (c) 2011. RFE/RL, Inc. E ribotuar me lejen e Radios Evropa e Lirë , 1201 Connecticut Ave., N.W. Uashington DC 20036.