Qeveria serbe tha se nuk do ta arrestojë me dhunë të pandehurin për krime lufte Vojisllav Sheshel dhe shpreson që lideri i Partisë Radikale Serbe të kthehet vullnetarisht në paraburgim në Gjykatën e Hagës.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se autoritetet nuk do ta kapin Sheshelin dhe ta detyrojnë atë të kthehet në gjykatën e mbështetur nga OKB-ja pasi ajo revokoi këtë javë lirimin e tij të përkohshëm për kurim nga kanceri.
“Nëse mendoni se dikush do të organizojnë një bastisje për ta arrestuar atë, kjo nuk do të ndodhë,” tha Vuçiç për mediat të martën.
“Sot ne morëm informacione në lidhje me shëndetin e tij dhe po presim të shohim se ç‘do të ndodhë. Duhet ta marrim me ngadalë,” shtoi ai.
“Ne së pari do të shohim se çfarë ka zbuluar dhoma e apelit e Gjykatës së Hagës dhe atë që ata kërkojnë nga ne dhe më pas do të vendosim,” shtoi ai.
Qeveria e Serbisë ditën e mërkurë tha se ajo ende nuk ka marrë një kërkesë për ta kthyer Sheshelin ppërsëri në Hollandë. Megjithatë ai është i detyruar të veprojë sipas dëshirave të Gjykatës së Hagës në bazë të ligjit të Serbisë në bashkëpunimin me gjykatën ndërkombëtare.
Dhoma e Apelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë tha ditën e hënë se deklaratat e Sheshelit, i cili u lirua përkohësisht nëntorin e kaluar për arsye shëndetësore, duhet të kthehet në paraburgim.
Ajo tha se deklaratat e Sheshelit që prej kthimit të tij në Beograd, duke këmbëngulur se nuk do të kthehej më në gjykatën e mbështetur nga OKB-ja për vendimin e gjyqit ndaj tij për krime lufte, “shkatërruan kushtet thelbësore për lirimin e tij të përkohshëm”.
Meritat për një lirim të përkohshëm të mëtejshëm mund të diskutohen, por vetëm pasi Shesheli të kthehet në qelitë e paraburgimit të Gjykatës së Hagës, shtoi ajo.
Shesheli ndërkohë ka përforcuar qëndrimin e tij se ai nuk do të kthehet atje.
“Nuk do të mborhem nga arrestimi, por nuk do të kthehem vullnetarisht. Ata mundet të më fusin në një avion për në Hagë,” u tha ai gazetarëve gjatë një vizite në qytetin serb të Borit ditën e martë.
Që prej kthimit të tij në Beograd, ai ka udhëhequr protesta nacionaliste dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës.
Shesheli ka qenë në paraburgim që prej vitit 2003, kur ai u dorëzua në mënyrë vullnetare. Ai po gjykohet për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Serbi.
Vendimi për çështjen e tij ishte programuar të merrej në tetor të vitit 20013, por u shty pasi një nga gjykatësit në gjyqin e tij u hoq nga çështja se dyshohej për njëanshmëri.
Gjykatësi i ri pritet të marrë kohë të paktën deri në fund të qershorit 2015 për t’u familjarizuar me detajet e çështjes, duke shkaktuar kështu edhe një tjetër vonesë në gjyqin maratonë.