Nxënësit maqedonas kanë bojkotuar për të tretën ditë mësimin për të kundërshtuar reformat e qeverisë mbi arsimin, ndërsa presioni për shtypjen e tyre po rritet.
Një numër në rritje i gjimnazistëve në Maqedoni po bojkotojnë orët e mësimit dhe po marrin pjesë në leksione dhe evente alternative të mbajtura brenda shkollave për një ditë të tretë – në një mosmarrëveshje që nuk tregon shenja të largimit.
Ata thonë se do të vazhdojnë bojkotimin derisa ministri i arsimit, Abdilaqim Ademi, të bjerë dakord për t’i takuar për bisedime.
Të bashkuar në një lëvizje të quajtur Plenumi i Gjimnazit, ata kërkojnë ndalimin e atyre që i quajnë si reforma të gabuara në arsim dhe aktualisht janë kundër një plani për të vendosur provime të jashtme të kontrolluara nga shteti për diplomimin. Ato kanë si qëllim të vlerësojnë aftësitë e nxënësve dhe të kontrollojnë nëse mësuesit e kanë bërë punën.
Nxënësit dhe mësuesit që mbështesin bojkotin i shohin provimet e propozuara si një barrë shtesë që nuk do të përmirësojë cilësinë e mësimit dhe që me gjasa do të ulë standardet e edukimit në Maqedoni.
Një nxënës nga gjimnazi Nikola Karev në Shkup, që këmbënguli për anonimitet, tha se presioni po shtohej që ata të shkonin në klasë.
“Ka presione këtu dhe në shkolla të tjera po ashtu. Na është thënë se nëse nuk largohemi nga korridorët e shkollës do të thërrasin policinë. Kërcënime të ngjashme kanë ndodhur kudo. Disa mësues na kërcënojnë me ndëshkime të ashpra nëse largohemi nga orët e mësimit,” tha nxënësi.
Sipas raportimeve të medias, bojkoti po shpërndahet edhe në qytete të tjera si Veles, Bitola, Prilep, Delcevo dhe Kumanovë.
Ministri i arsimit Ademi takoi javën e shkuar përfaqësues formalë të gjimnazistëve maqedonas nga Unioni i Gjimnazit, që është kundër protestave. Megjithatë, ai i ka shpërfillur përfaqësuesit e Plenumit të Gjimanzit, duke i acaruar më shumë protestuesit.
Ademi sugjeroi që protestuesit po përdoreshin nga partitë opozitare dhe bëri thirrje te avokati i popullit që të kërkojë mbrojtjen e nxënësve nga manipulimi politik. Megjithatë të martën avokati i popullit Ixhet Memeti, tha se ministria e arsimit duhet të respektojë të drejtën e nxënësve për të protestuar dhe se duhet të përfshihet në diskutime me ta.
Bojkoti ndjek një seri protestash të mbajtura në shumë qytete maqedonase gjatë javëve të shkuara, ku kërkuan përmbysje të reformës. Disa qindra nxënës iu bashkuan marshimit kryesor në Shkup më 15 mars.
Lëvizja e nxënësve po ndjek shembullin e Plenumit të Studentëve, që lajmëroi disa protesta në dhjetor kundër ligjit të arsimit të lartë që parashikonte provime të jashtme. Protestuesit thanë se plani ishte jokushtetues, se dhunonte autonominë e universitetit dhe krijonte vend për abuzim.
Protestat janë një lajm i keq për qeverinë e kritikuar të Nikola Gruevskit teksa përballet edhe me akuzat për korrupsion dhe mbikëqyrje ilegale. Zbulimet kanë ardhur në formën e bisedave të përgjuara të mbajtura nga figura të larta të shtetit.
Social Demokratët në Opozitë filluan publikimin e tyre në shkurt. Qeveria pretendon se përgjimet i janë dhënë opozitës nga agjenci të huaja inteligjence me synimin e destabilizimit të Maqedonisë.