Forcat speciale të policisë akuzohen për përdorim force brutale për të shpërndarë një protestë kundër qeverisë, e cila filloi në Shkup pasi opozita bëri publike disa përgjime ku tregoheshin zyrtarë që përpiqeshin të fshihnin vrasjen e një të riu.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe OJQ-të thanë se policia e Maqedonisë përdori dhunë të tepruar kur hodhi gaz lotsjellës, ujë dhe granata tymuese për të shpërndarë mijëra protestues të zemëruar që u mblodhën para selisë së qeverisë ditën e martë në mbrëmje.
Ministrja e brendshme Gordana Jankulovsa tha se 38 policë dhe një civil u plagosën gjatë trazirave dhe se 30 persona u arrestuan. Ajo mohoi që policia të ketë përdorur forcë të tepruar dhe këmbënguli se policia thjesht reagoi kur ata u sulmuan.
Me dhjetëra njerëz u arrestuan ndërsa kriza e gjatë politike midis qeverisë maqedonase dhe opozitës u përshkallëzua në mënyrë domethënëse.
Protesta filloi pasi Social Demokratët e opozitës ditën e martë pasdite transmetuan përgjime telefonatash të ministres së brendshme Gordna Jankulovska, kryeministrit Nikolla Gruevski dhe zyrtarësh të tjerë të lartë, të cilat sugjerojnë se ata komplotuan për të mbuluar përgjegjësinë zyrtare për vrasjen e një të riu të quajtur Martin Neskovski nga një polic më 6 qershor të vitit 2011.
Protestuesit e zemëruar, përfshirë edhe nëna dhe vëllai i Neskoskit, filluan të grumbulloheshin para ndërtesës së qeverisë gjatë pasdites, duke kërkuar dorëheqjen e Jankuloskës dhe qeverisë. Turma, me sa duket e ndihmuar nga një oficer policie i cili u largua nga vendi i tij i rojës, fillimisht arriti të kalonte një barrikadë policie dhe u ndalua vetëm disa metra larg hyrjes kryesore të ndërtesës së qeverisë.
Në të njëjtën kohë brenda ndërtesës së qeverisë Jankuloska po mbante një konferencë për shtyp për të përsëritur fjalimin e qeverisë se përgjimet ishin prerë, montuar dhe krijuar nga “shërbime sekrete të huaja pa emër” në bashkëpunim me opozitën për të destabilizuar vendin. Ajo tha se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.
Demonstrata para ndërtesës së qeverisë zgjati deri në mbrëmje vonë ndërsa protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe aktivistë të të drejtave të njeriut, ulën flamujt në gjysmë shtizë ppara ndërtesës, kënduan himnin kombëtar maqedonas dhe hodhën slogane si “Pa drejtësi, s’ka paqe”. Disa gjithashtu qëlluan me vezë dhe mollë në drejtim të ndërtesës së qeverisë, duke thyer disa dritare.
Pas orës 21:00 sipas orës lokale, policia solli automjete të blinduara dhe autobote me ujë ndërsa përpiqeshin të shpërndanin protestuesit. Gjatë ofensivës, dhe më vonë gjatë natës, policia arrestoi me dhjetëra protestues në qendër të Shkupit.
OJQ-ja për të drejtat e njeriut “CIVIL-Qendra për Liri”, lëvizja studentore “Plenumi i Studentit” dhe grupi i majtë “Lenka” ishin midis disa organizatave të ndryshme që u ankuan se aktivistët e tyre u rrahën nga policia dhe se dhuna policore që pasoi demonstratën ishte e pajustifikuar dhe e tepruar.
Disa pamje filmike u shfaqën gjatë natës dhe tregonin pamjet shqetësuese të arrestimeve në rrugët e Shkupit pas përfundimit të protestuesve.
Studentët postuan video të asaj që ngjante si një bastisje nga ana e policisë në bibliotekën “Brakja Miladinovici” në Shkup, ndërsa studentët ishin brenda. Një filmim tregon plagët e marra nga disa studentë pas bastisjes.
Ndërsa VMRO DPMNE fajësoi opozitën për protestën dhe “skenarin e saj të errët” që synonte të shkaktonte dhunë, lideri i Social Demokratëve, Zoran Zaev, përdori rrjetet sociale për të bërë thirrje për protesta paqësore dhe për t’i kërkuar policisë të mos përdorë forcë.
Protesta shkaktoi reagime të ndryshme mirëkuptimi nga ish-Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Erwan Fouere, dhe nga ish-ambasadori holandez Simone Filipini.
“Asnjë pallat guri, pavarësisht sa të trashë janë muret e tij, nuk do t’i mbrojë dot ata që fshihen brenda, të cilët kanë humbur të gjithë besueshmërinë dhe legjitimitetin për të qëndruar në qeveri nga vullneti i popullit. Është koha për ndryshim,” shkroi Fouere në Twitter.
Filipini shkroi: “Në Maqedoni ka ardhur koha për ndryshim. Me qeverisje pozitive dhe lidership përgjegjës, vendi mund të lulëzojë shumë shpejt.”
Neskovski, një i ri simpatizant i partisë në pushtet, u rrah për vdekje natën që partia e Gruevskit, VMRO DPMNE, festoi fitoren e saj zgjedhore më 6 qershor 2011. Vrasja, për të cilën u akuzua një oficer policie i cili më vonë u dënua, shkaktoi protesta kundër brutalitetit policor që zgjatën për rreth dy muaj.
Për rreth dy ditë, policia mohoi që ai incident kishte ndodhur, por pastaj e ndryshoi versionin e saj, duke konfirmuar identitetin e viktimës dhe duke u shprehur se kishin arrestuar të dyshuarin për vrasje – Igor Spasov, një anëtar i njësisë speciale policore të quajtur “Tigrat”.
Zyrtarët këmbëngulën se Spasov nuk ishte në detyrë në atë kohë dhe kështu ata nuk ishin përgjegjës për vrasjen. Por përgjimet e bëra publike nga opozita ditën e martë treguan se kishte një komplot për të fajësuar vetëm policin për vrasjen e të riut dhe të shmangin rënies e përgjegjësisë mbi zyrtarët e lartë.
Social Demokratët e opozitës filluan të bënin publike përgjime në muajin shkurt, duke akuzuar Gruevskin dhe kushëririn e tij, shefin e policisë sekrete Mijalkov, se kishin organizuar përgjimin e paligjshëm të më shumë se 20,000 njerëzve gjatë viteve, përfshirë këtu gazetarë, gjykatës, prokurorë, kryebashkiakë dhe madje edhe ministra qeverie.
Ndërsa kriza politike në vend mori hov, Social Demokratët lajmëruan se ata do të organizonin demonstrata të tjera këtë muaj, që do të kishin si qëllim rrëzimin e qeverisë së Gruevskit.