
Pavarësisht përpjekjeve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për të ndaluar emigrimin e paligjshëm, një dallgë njerëzish vijojnë të ikin çdo ditë. Gjatë prillit, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria u shtua me gati 60 për qind në krahasim me marsin.

Ministria e Brendshme e Gjermanisë njoftoi sot se gjatë muajit prill ka marrë 4,794 aplikime për azil nga nënshtetasit shqiptarë, shifër kjo 59 për qind më e lartë se sa numri i aplikimeve në muajin mars, kur 3020 shqiptarë ëndërruan për leje qëndrimi në këtë vend. Nga Kosova, numri i azilkërkuesve në prill qe 4,608 vetë, disa herë më e ulët se sa në mars, por sërish e barabartë me largimin e disa fshatrave njëherësh.
Pavarësisht se gjatë muajit prill qeveria shqiptare tentoi të ndalojë azilkërkuesit, duke urdhëruar kontrolle më të rrepta në pikat e kalimit kufitar dhe duke deklaruar se do të luftojë “trafikimin”, gjithnjë e më shumë shqiptarë rezultojnë se kanë ikur dhe masat parandaluese rezultojnë të paefektshme.
Mbi 11 mijë vetë brenda katër muajve
Për katër muajt e parë të këtij viti nga janari në prill, në Gjermani janë regjistruar 11,256 shqiptarë të Shqipërisë. Kjo është e barazvlefshme me largimin e një një qyteti të tërë ose sa 0.4 për qind e të gjithë popullsisë së Shqipërisë. Numri total i të larguarve është më i madh se kaq pasi kjo është shifra që përfaqëson aplikime për azil vetëm në Gjermani. Problemi kryesor është që numri i të larguarve është rritur në mënyrë dramatike nga muaji në muaj. Përgjatë të gjithë vitit 2014, 7,856 shqiptarë aplikuan për azil në Gjermani me një mesatare prej rreth 650 vetësh në vit, në katër muajt e këtij viti kanë aplikuar mesatarisht rreth 2700 vetë në muaj. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria duket se shpërtheu në janar dhe u shumëfishua në muajt në vazhdim. Shqiptarët u renditën për muajin prill në vend të parë si populli me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Gjermani ndërkohë që në mars mbanin vendin e tretë.
Emigrimi përmes aplikimit për azil në vendet e BE-së është vetëm një nga rrugët përmes të cilave shqiptarët kërkojnë një jetë më të mirë larg vendit. Të dhënat e Eurostat sugjerojnë se përgjatë viteve të fundit, aplikimi për bashkim familjar ka qenë rruga kryesore përmes së cilës mbi 36 mijë shqiptarë kanë ikur mes viteve 2008 dhe 2013.
Gati 28 mijë vetë ikën nga Kosova në Gjermani
Gjatë muajit prill numri i azilkërkuesve të rinj nga Kosova në Gjermani ra në 4600 vetë, nga gati 12 mijë që qe në mars. Por në total, përgjatë këtyre katër muajve, nga Kosova u larguan plot 27,695 njerëz, shifër kjo e barazvlefshme me gati 1.6 për qind të popullsisë së vendit. Këto janë vetëm ajo pjesë e popullsisë që ka kërkuar azil në Gjermani.
Nga Kosova shqiptarët ikin duke hyrë në zonën e Bashkimit Europian në mënyrë ilegale, më së shumti nga Hungaria, pasi nënshtetasit e Kosovës nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza. Rrjedhimisht, disa dhjetëramijëra nënshtetas të Kosovës kanë kërkuar azil në Hungari përgjatë muajve të fundit. Në dhjetor të vitit të kaluar, azilkërkuesit në Hungari qenë 10 mijë vetë ndërsa në shkurt të këtij viti qenë 13 mijë vetë.
Eurostat nuk i ka përditësuar ende të dhënat mbi aplikimet për azil nga të gjitha vendet anëtare për periudhën janar-prill dhe këto janë të dhëna të pjesshme.
Sido që të jetë, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës po largohen në shifra marramendëse.
Largime edhe nga rajoni
Ministria e Brendshme e Gjermanisë thotë se azilkërkuesit nga Serbia për muajin prill qenë 2,279 vetë ndërsa nga Maqedonia ikën 972 vetë. Për periudhën katërmujore janar-prill 2015, nga Serbia kërkuan azil 11,416 vetë ndërsa nga Maqedonia ikën 4,090 vetë.