Ministrja e brendshme deklaroi se pesë policë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në përleshje me njerëz të armatosur në qytetin e Kumanovës.
Autoritetet e Maqedonisë deklaruan se pesë policë janë vrarë dhe më shumë se 430 të tjerë janë plagosur gjatë ditës së shtunë në përleshje me njerëz të armatosur në qytetin e Kumanovës.
Ministrja e brendshme Gordana Jankulovska tha se grupimi i armatosur kishte planifikuar sulme mbi objektiva strategjike. Ajo nuk foli për identitetin e njerëzve të armatosur dhe as për viktima të mundshme mes tyre dhe mes civilëve.
“Operacioni po vijon deri sa terroristi i fundit të neutralizohet. Fakti që ka vijuar për 16 orë tregon se sa të rrezikshëm janë ata,” tha Jankulovska duke deklaruar se pjesa më e madhe e grupimit është dorëzuar.
Beteja me njerëzit e paidentifikuar dhe me uniformë filloi herët në mëngjesin e të shtunës në Kumanovë.
Lajme të pakonfirmuara flasin për disa viktima mes civilëve.
Më herët, zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski deklaroi se një operacion është duke u zhvilluar në një lagje të Kumanovës “për të shkatërruar një grupim të armatosur” që ka hyrë në Kumanovë nga një “vend fqinj” me synimin për të “sulmuar institucionet e shtetit”.
Kotevski tha se policia është përballur me rezistencë të ashpër nga grupimi “i mirëstërvitur” i cili po përdorte “armë automatike, bomba dhe snajperë”. Gazetarët raportuan për shtëllunga të mëdha tymi dhe të shtëna të armësh nga vendi i ngjarjes.
Të shtënat filluan në orën 4.30 të mëngjesit dhe vijuan përgjatë të gjithë ditës deri në mbrëmje.
Ambasadat e SHVA-ve dhe të delegacionit të BE-së në Maqedoni deklaruan se po ndiqnin situatën dhe po flisnin me udhëheqësit politikë të të dyja palëve.
“Përleshjet e përgjakshme të sotme në Kumanovë, me viktima njerëzore, tregojnë se kriza politike në Maqedoni ka mbërritur në një pikë kritike [me pasoja] për të ardhmen e vendit,” deklaroi raportuesi i Parlamentit Europian për Maqedoninë Ivo Vajgl.
Reagime pati edhe nga Shqipëria e Kosova. Ministria e Jashtme e Shqipërisë deklaroi se “përshkallëzimi i situatës duhet të ndalohet pasi nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe mirëqënies së Maqedonisë.”
Ministria e Jashtme e Kosovës tha se “ajo dënon dhunimin e rendit dhe sigurisë nga çdo individ apo grup me synimin e destabilizimit të Maqedonisë.”
Qeveria e Maqedonisë akuzohet se organizoi dhunën
Përleshjet vijnë ndërkohë që Maqedonia është zhytur në një krizë politike të shkaktuar nga zbulimi nga ana e opozitës maqedonase të një skandali që përfshin përgjimin e mbi 20 mijë nënshtetasve të vendit.
Ndërsa në Shkup çdo ditë po bëhen protesta kundër qeverisë së Gruevskit ku kërkohet dorëheqja e tij, disa analistë akuzuan qeverinë se po përpiqet të tërheqë vëmendjen e publikut nga kriza duke fabrikuar një kryengritje etnike.
Udhëheqësi i opozitës socialdemokrate Zoran Zaev deklaroi se dyshonte se qeveria fshihej pas dhunës së të shtunës në përpjekje për të hequr vëmendjen nga kriza.
“Njerëzit e kuptojnë se kush ka interes për këtë lloj skenari,” tha Zaev.
Zaev bëri thirrje për një ndërprerje të përkohëshme të protestave anti-qeveritare por ka thirrje nëpër rrjetet sociale për protesta të reja.
Disa analistë shqiptarë i bënë thirrje sot qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas të Maqedonisë të mos bien pre e këtyre tentativave të Gruevskit, i cili prej vitesh po konsiderohet si një diktator i vogël në Ballkan.
“Unë i kërkoj të gjithë qytetarëve, maqedonas, shqiptarë e të gjithë të tjerëve – të mos bien pre e provokimit të këtij konflikti të sajuar me pasojat e saj tragjike, synimi i të cilës është të shpëtojë këtë qeveri kriminale,” deklaroi Mersel Biljali në Facebook, analist dhe ish deputet.
“Ne nuk duhet të lejojmë kriminelët të na mashtrojnë. Ne duhet të përballemi me ta sëbashku. Ne kërkojmë që BDI të largohetr nga qeveria menjëherë,” tha ai.
CIVIL – Qendra për Liri, një organizatë jofitimprurëse, tha: “Koha e këtij aksioni policor dhe intensiteti i tij… ngre shumë pyetje. Para së gjithash në kuadër të krizës së thellë politike, protestat e maqedonasve në të gjithë vendin kundër brutalitetit të policisë si reagim ndaj skandalit të përgjimeve si dhe para protestave të njoftuara për datën 17 maj të cilat kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.”
CIVIL i kërkoi kryeministrit Gruevski dhe aleatit të tij shqiptar Ali Ahmeti të Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të ndërpresin heshtjen e tyre.