Vendet në rajon kanë ngritur nivelet e sigurisë dhe kanë prezantuar masa të reja kundër kërcënimit të sulmeve terroriste të Shtetit Islamik.
Policë me antiplumb, siguri e rritur në ndërtesa publike dhe patrullime të përbashkëta në kufij javë vetëm disa nga masat e prezantuara nga shërbimet e sigurisë në rajon pasi ISIS publikoi një video ku nxiste mbështetësit në Ballkan të vrasin “të pafetë” në vendet e tyre.
Video e publikuar më 5 qershor shfaq luftëtarët ballkanas që bëjnë thirrje te “vëllezërit myslimanë” t’i bashkohen Shtetit Islamik, i njohur si ISIS ose ISIL ose të sulmojnë ata që nuk janë myslimanë në shtetet e tyre.
“Për ata që nuk mund të vijnë këtu, luftoni atje… Nëse mundni helmoni pijet dhe ushqimet e tyre. Lërini të vdesin. Vritini ata në çdo vend, kudo që mundeni. Lërini të vdesin. Vritini ata në çdo vend, kudo që mundeni. Në Bosnje, në Serbi, në Sanxhak,” thotë një luftëtar që duket se është nga Bosnja dhe që e quan veten Salahuddin Al-Bosni.
Ekspertët thonë se është i nevojshëm bashkëpunim më i afërt mes shërbimeve të sigurinë në rajon, përfshirë komunikimin e vazhdueshëm me agjencitë globale të inteligjencës, për të ndaluar sulme të tilla.
Rreth 200 deri 600 luftëtarë nga shtete të ndryshme të rajonit përfshirë Bosnjën, Serbinë dhe Kosovën kanë udhëtuar drejt Sirisë që nga viti 2012 sipas një studimi në qershor nga Qendra e Kundër-Terrorizmit, një institucion kërkimor në Uest Point.
Bosnja, Kosova dhe Shqipëria janë vendet kryesore të rekrutimit në Ballkan për islamistët radikalë që kërkojnë luftëtarë për luftërat në Siri dhe Irak.
Në shifra, ata vijnë pas Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Tunizisë, raportoi së fundmi CIA.
Për nga konteksti, të paktën 500 francezë mendohet se luftojnë për ISIS, si dhe 700 nga Mbretëria e Bashkuar dhe rreth 120 nga Spanja.
Burgosjet dhe arrestimet në Ballkan:
Zyrtarët e sigurisë boshnjake thanë për BIRN se video e ISIS ishte bërë me gjasa gjysmë viti përpara publikimit meqënëse disa nga luftëtarët e filmuar dihet se janë vrarë në muajt e fundit.
Disa burime pretendojnë se video ishte planifikuar të publikohej në fillim të qershorit, përpara vizitës së Papës Françesk në Sarajevë.
Policia boshnjake ka burgosur dhjetëra persona si të dyshuar për lidhje me rrjetet terroriste islamike.
Bilal Bosnic, i cili u arrestua në dhjetor 2014 si i dyshuar për rekrutim të luftëtarëve islamik për Siri dhe Irak, është tani në gjyq.
Denis Hadzovic, drejtor i Qendrës për Studimet e Sigurisë, një organizatë në Sarajevë, tha për BIRN se rreth 150 deri 350 persona nga Bosnja kanë shkuar në fushëbeteja në Lindjen e Mesme ose ishin të lidhur me ISIS. Sipas tij, rreth 3000 persona shfaqin rrezik terrorizmi në Bosnje.
Përveç Bosnjes, baza më e madhe e rekrutimit të luftëtarëve islamikë në Ballkan është shumë e madhe në Kosovën myslimane.
Deri sot, nuk ka pasur incidente terrorizmi brenda në vend, por vlerësohet se rreth 200 kosovarë luftojnë në Lindjen e Mesme.
Policë të shumë me antiplumb kanë patrulluar rrugën në Prishtinë në ditët e fundit si përgjigje e shqetësimeve për një sulm, sipas një komunikimi të brendshëm të policisë të cilin BIRN e ka parë.
Gjashtë anëtarë të grupeve terroriste ndërkohë janë në arrest shtëpie teksa gjykohen.
Policia e Kosovës arrestoi shtetasit Kujtim Bllaca, Bejtim Ibrahimaj, Adil Bushi, Hajrush Lajci, Skender Syla, Muxhahid Brava në shtator 2014 së bashku me 80 të dyshuar të tjerë.
Shumica e të arrestuarve më vonë u liruan për mungesë provash. Megjithatë, 32 të tjerë, përfshirë Bllacën, Ibrahimajn, Bushin dhe Lajcin, u vunë përpara akuzave dhe tanimë janë në gjyq. Të 32 ata akuzohen për anëtarësi ose lidhje me ISIS apo Al-Nusran.
Folësi në videon e ISIS publikuar në qershor është Abu Muqatil Al Kosovi, i njohur më parë si Ridvan Haqifi, një shitës akulloresh dhe një imam i vetëdeklaruar nga Gjilani i Kosovës.
“Ditë të errta po ju afrohen… Ne do t’ju vrasim me lejen e Allahut. Ne do të vijmë te ju me eksplozivë,” thotë Al Kosovi në video.
Kërcënimet e tij janë marrë seriozisht, arsye për të cilën, së bashku me informacione shtesë për sulme të mundshme në Prishtinë dhe Shkup, policia në të dyja vendet ka ngritur nivelet e alarmit.
Ekspertët në Maqedoni thonë se të paktën 14 shtetas maqedonas kanë vdekur duke luftuar në Lindjen e Mesme dhe shumë më tepër janë ende atje dhe mund të shkaktojnë telashe në kthim.
Policia maqedonase ka rritur vigjilencën, por ekspertët e sigurisë thonë se rreziku mbetet i pranishëm.
Një profesor i sigurisë në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, Metodi Hadzi-Janev, paralajmëroi më 30 korrik se ISIS mund të përdorë valën e refugjatëve të Lindjes së Mesme për të infiltruar në vend anëtarët e tij.
Nivelet e sigurisë janë rritur edhe në Shqipëri, ku policia më 1 korrik arrestoi Baki Çokun, i kërkuar nga policia italiane si anëtar i dyshuar i një organizate terroriste lidhur me ISIS.
Dy imamë dhe shtatë mbështetës të tyre po gjykohen në Shqipëri, arrestuar për rekrutim të luftëtarëve për ISIS dhe al-Nusra.
Ndërsa Kosova me shumicë myslimane, Shqipëria dhe Bosnja gjysmë-myslimane mbeten terrene të mundshme për ISIS në rajon, të tjera shtete të Ballkanit me popullatë myslimane të konsiderueshme, janë po ashtu të shqetësuara.
Në Serbi, policia e armatosur tani ruan shumicën e ndërtesave më të rëndësishme shtetërore dhe publike si dhe disa ambasada.
Ministria e Brendshme Serbe ka urdhëruar institucionet e shëndetit dhe arsimit të rrisin procedurat e sigurisë dhe të raportojnë të gjithë aktivitetin dhe personat e dyshimtë, tha një burim sigurie për BIRN.
Kompania e transportit publik në Beograd ka ndërmarrë hapa të ngjashëm.
Një burim në Serbi tha se disa qindra njerëz janë nën vëzhgim për lidhje të mundshme me islamikët radikalë.
Vetëm rreth 2 për qind e 7 milionë njerëzve në Serbi janë myslimanë, megjithatë, kërcënimi shihet si i izoluar.
“Rreth 25 shtetas serb shkuan në luftë në Siri dhe Lindjen e Mesme, shifër e papërfillshme krahasuar me Bosnjën,” tha Aleksandër Djordjeviç, kreu i Agjencisë Serbe të Sigurimit të Informacionit.
Policia serbe lajmëroi patrullime kufiri me policinë hungareze dhe austriake në kufi me Maqedoninë në fund të qershorit.
Drejtori i policisë serbe Milorad Veljoviç më 22 qershor tha se rreth 1000 persona përpiqen të hynin në Serbi në ditë përmes Maqedonisë dhe Bullgarisë, duke iu larguar konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Rumania fqinje është një vend pa interes të veçantë për ISIS pasi komuniteti mysliman në këtë vend është vetëm 40,000 persona.
Megjithatë, qeveria rumune së fundmi dëboi nëntë të huaj të akuzuar për rekrutim për grupe islamiste, shtatë në prill dhe dy në qershor.
Një raport nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës në Kroaci thotë se luftëtarët e ISIS kryesisht e përdorin Kroacinë si tranzit.
Vetëm një shtetase kroate, Dora Bilic, është e njohur për lidhje me ISIS, e larguar për në Siri së bashku me burrin e saj, një luftëtar i ISIS.
Bashkëpunimi rajonal thelbësor:
Ekspertët në Ballkan thonë se shërbimet rajonale të sigurisë duhet të bashkëpunojnë më afër për të parandaluar sulmet e mundshme terroriste.
“Agjencitë rajonale të inteligjencës janë shumë të dobëta për të luftuar vetëm kërcënimet, ndaj duhet të punojnë së bashku dhe të shkëmbejnë të dhëna me shërbimet e huaja,” tha për BIRN Aleksandër Radic, një ekspert në Beograd.
Ai tha se shërbimet e sigurisë ishin të dobëta sepse kishin si synim primar mbrojtjen e interesave politikë në vend dhe jo mbrojtjen nga kërcënimet e sigurisë nga jashtë. Rreth 25 shtetas serbë kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Lindjen e Mesme.
Në një forum global të sigurinë, organizuar në mes të korrikut, në Bratislavë të Sllovakisë, presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit mes shërbimeve rajonale.
“Pa rritje të besimit dhe bashkëpunimit mes shërbimeve të sigurisë, rajoni ynë do të vazhdojë të jetë i dobët ndaj kërcënimeve të ekstremizmit dhe radikalizmit,” tha Ivanov, duke nxitur Shtetet e Bashkuara të ofrojnë ndihmë më të madhe për agjencitë në rajon.
Raporti Kundër-Terrorizëm 2014 i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në qershor, gjithashtu thoshte se duhej më tepër bashkëpunim mes shërbimeve, veçanërisht në Bosnje, ku pushteti është i ndarë mes dy entiteteve autonome.
Një gjeneral amerikan i dalë në pension, John R Allen, i dërguar special për Koalicionin Global kundër ISIL, tha në forumin e sigurisë në Malin e Zi më 6 qershor se idetë pas terrorizmit islamik duhen luftuar po ashtu.
“Ne kemi një betejë afatgjatë përpara dhe ka gjasa të jetë më shumë se një dekadë,” tha ai. “Ne duhet të dërgojmë mesazhe që neutralizojnë mesazhin e ISIS. Ne nuk do ta mundim ISIS nëse thelbi i ideve të ISIS nuk mundet,” shtoi ai.