Diplomatët e BE-së dhe SHBA-së thanë se votimi i parlamentit të Prishtinës për ngritjen e një gjykate speciale për krime lufte, e cila do të ndjekë penalisht ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një hap drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini përshëndeti votimin e ditës së hënë për të miratuar ndryshimet e reja kushtetuese dhe ligjet e reja për krijimin e Gjykatës Speciale pavarësisht kundërshtimeve të mëdha brenda Kosovës, ku shumë e shohin atë si një ofendim ndal luftës së UÇK-së kundër sundimit represiv serb.
“Ndërsa e pranoj se ky hap nga deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk ishte aspak i lehtë, kjo është një shenjë përgjegjësie dhe vendosmërie për të përcaktuar të vërtetën dhe për të marrë vendime në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës,” tha Mogherini në një deklaratë.
Gjykata pritet të merret me akuzat se luftëtarë të UÇK-së kanë qenë të përfshirë në vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe persekutim të serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të ishin bashkëpunëtorë me regjimin serb gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1998-1999.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe shteteve anëtare të BE-së në Prishtinë thanë se vendimi për të mbështetur gjykatën tregoi se qeveria e Kosovës dhe parlamenti kishin “demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për të nderuar marrëveshjet ndërkombëtare”.
“Duke u marrë me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë,” thanë ambasadat në një deklaratë të përbashkët.
Akuzat e pretenduara kundër luftëtarëve të UÇK-së u shfaqën fillimisht në vitin 2011 në një raport të këshilltarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili pretendoi se krime kundër civilëve, si për shembull rrëmbim, torturë dhe trafik organesh ishin kryer nga anëtarë të UÇK-së gjatë konfliktit.
Raporti implikonte ministrin aktual të jashtëm Thaçi, ish-kreu politik i UÇK-së. Ai i ka mohuar akuzat kundër tij.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha ditën e hënë se themelimi i Gjykatës Speciale tregoi përkushtimin e Kosovës ndaj parimit të drejtësisë për të gjithë, dhe nuk ishte një sulm mbi luftën e armatosur të UÇK-së.
“Gjykata Speciale do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe nuk do të kalojë në gjykimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për çlirim dhe liri,” tha Jahjaga.
Por autoritetet në Beograd mbeten skeptikë, me kreun e zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Djuric, i cili tha se vendi i tij “do të jetë i lumtur vetëm pasi të shohë dënimet”.
“Ne i shohim ende me një farë skepticizmi qëllimet e Prishtinës, por mbetemi të gatshëm për të ndihmuar ata që duan të dënojnë njerëz të cilët janë fajtorë për krime lufte,” tha Djuric për televizionin publik serb RTS.
Grupi Human Rights Watch me bazë në Nju Jork megjithatë tha se Kosova kishte marrë “vendimin e duhur për drejtësi dhe dhe llogaridhënie”.
“Ky është një hap i rëndësishëm për viktimat dhe për Kosovën, për t’iu larguar modelit të mosndëshkimit dhe më në fund t’i adresohet akuzave serioze për krime pas konfliktit,” tha Lotte Leicht, drejtoreshë e Human Rights Watch të BE-së.
Qeveria duhet të punojë tani me BE-në për themelimin menjëherë të gjykatës, tha Leicht.
“Që gjykata të jetë e besueshme, është i nevojshëm një program i besueshëm, i fortë dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e dëshmitarëve,” shtoi ajo.
Ditën e hënë deputetët votuan 82 me pesë në favor të ndryshimeve kushtetuese që do të lejojnë themelimin e gjykatës së re të krimeve të luftës, nën presionin në rritje nga SHBA-ja dhe mbështetësit e BE-së, pas dështimit të një votim të mëparshëm në parlament muajin e kaluar.
Të hënën në mbrëmje vonë, deputetët në parlamentin 120-vendesh miratuan gjithashtu edhe dy projektligje të nevojshme për të themelimin e të ashtuquajturave “dhomat e specializuara”. Partitë opozitare që e kundërshtuan me vendosmëri idenë nuk morën pjesë në votimin e dytë.