Propozimi i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç për të krijuar një Ditë Përkujtimore që do të shërbejë për t’i dhënë nderimet të gjitha viktimave të luftërave të viteve 1990 është refuzuar nga Kroacia dhe Kosova.
Kryeministri kroat Minister Zoran Milanoviç dhe ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi të dy thanë gjatë fundjavës se ideja e Vuçiç për përkujtimin e të gjitha viktimave të luftërave të vitit 1990 në të njëjtën ditë, është e papranueshme.
“Me gjithë respektin dhe ndjesën ne nuk do të përcaktojmë ditë pushimi dhe vajtimi për të tjerët dhe askush nuk do të përcaktojë për ne,” tha Milanoviç për median.
Thaçi e akuzoi Vuçic për “rishkrim të historisë” dhe për përpjekje për të krijuar një “spektakël mediatik”.
“Ne nuk mund të barazojmë të gjithë ata që inskenuan, organizuan dhe kryen gjenocide me ata që po mbronin shtëpitë e tyre. Nuk është njerëzore dhe nuk i shërben pajtimit,” tha Thaçi të shtunën.
Vuçiç lajmëroi të premten se ai do të propozonte zyrtarisht një Ditë Kujtimi te liderët e vendeve ish-jugosllave në një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor në Vienë më 27 gusht.
Ai argumentoi se kjo do të çonte eventualisht në një pajtim dhe në një “komensim më të mirë të asaj që të tjerët përjetuan”.
“Nuk do të ketë më dallime bazuar në etni sepse kushdo do të mund të tregojë të njëjtin respekt ndaj kujtdo dhe ne do ta dimë se pati viktima nga të gjitha palët,” tha Vuçic për median.
I vetmi lider në rajon që e ka pranuar iniciativën është Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska dominuar nga serbët e Bosnjës, i cili tha se ishte pjesë e përpjekjeve të Serbisë për forcimin e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Marko Djuriç, drejtor i zyrës së qeverisë serbe në Kosovë, tha se Thaçi nuk kishte kredibilitet moral për të biseduar për iniciativën.
“Duhet të ketë një fund të abuzimit politik me viktimat dhe me komentin e tij, zoti Thaçi tregon për sjelljen që nuk duhet bërë,” tha Djuriç.
Ministri i brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç tha ndërkohë se iniciativa e Vuçiç ishte një shenjë e “paqes së përhershme, respektit dhe stabilitetit rajonal”.
“Vetëm ata që nuk e njohin dhe që kanë interesat e tyre vetjakë mund ta refuzojnë këtë,” shtoi Stefanoviç.
Por Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizim me bazë në Novi Sad, tha se kishte pasur tashmë iniciativa për ta bërë 11 korrikun ditën e kujtimit për të gjitha viktimat e luftërave të viteve 1990, por kishin dështuar për shkak të vullnetit politik në rajon.
“Propozimi i Vuçiç mund të shihet si një mënyrë për të rritur kreditin politik dhe propozimi i tyre është një konkurrencë politike. Tregon për situatën në rajon, ku gjithçka dyshohet si manipulim, përfshirë viktimat,” tha Popov për BIRN.
Propozimi i Vuçiç erdhi pas tensioneve të rritura në rajon provokuar nga dy përkujtime të mëdha në ngjarjet që ndodhën 20 vjet më parë gjatë luftës, në gjenocidin e Srebrenicës dhe Operacionin Stuhia të ushtrisë kroate.
Marrëdhëniet Serbi-Kroaci u përkeqësuan pas përkujtimeve të javës së shkuar për Operacionin Stuhia, të cilat përfunduan me Beogradin dhe Zagrebin që shkëmbenin nota proteste duke akuzuar njëra-tjetrën për fjalim urrejtjeje dhe intolerancë etnike.
Në korrik, në ngjarjen që shënoi 20-vjetorin e Srebrenicës, Vuçiç u godit me gurë dhe shishe uji dhe u detyrua të largohet nga përkujtimi.