Privatizimi i agjencisë më të njohur serbe të lajmeve po has në vështirësi, ndërsa afati për privatizimin e të gjithë mediave shtetërore po i afrohet fundit.
Asnjë ofertë nuk ka mbërritur për blerjen e Tanjug, një agjenci ikonë lajmesh që daton prej periudhës komuniste jugosllave, megjithëse ekspertët e medias besojnë se agjencia ka ende potencial.
Qeveria serbe planifikon të shesë 100 për qind të aksioneve të Tanjug me vlerë prej 760,936 euro.
Javën e shkuar, agjencia serbe e privatizimit tha se nuk kishte marrë asnjë ofertë zyrtare.
Megjithatë shitja nuk ka marrë fund. Në raundin tjetër të privatizimit, çmimi i agjencisë pritet të jetë sa gjysma e aktualit për të tërhequr blerës në këtë fushë.
Vukasin Obradovic, drejtor i Lidhjes së Gazetarëve të Pavarur Serbë, tha për BIRN se mungesa i interesit nuk do të thotë se Tanjug do të marrë fund. “Ka gjithnjë mundësi për shitje të Tanjug në raundin tjetër,” tha Obradovic për BIRN.
Obradovic foli për kushtet që po e vështirësojnë shitjen e Tanjug.
“Agjencitë nuk janë tërheqëse për blerësit, sepse është një punë e vështirë dhe me përgjegjësi. Gjithashtu, një numër i lartë punonjësish mund të jetë një nga faktorët për mungesën e interesit,” tha Obradovic.
Gushtin e shkuar, qeveria e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe miratoi një Ligj mbi Informacionin dhe Median, i cili kërkoi tërheqjen e shtetit nga zotërimi i medias deri më 1 korrik 2015.
Për shkak të vonesave, afati i privatizimit u shty në 31 tetor.
Mediat që nuk privatizohen deri në këtë datë do të përballen me shpërndarje të aksioneve te punonjësit.
Tanjug ka qenë dikur një agjenci lajmesh me famë botërore në ish-Jugosllavi dhe kishte shumë korrespondentë kudo në botë.
Formuar nga Partia Komuniste Jugosllave në 1943, fillimisht u ngrit për të propagandizuar fitoret partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Tanjug ngjasonte me agjencinë sovjetike të lajmeve TASS, por pas shpërbërjes së Jugosllavisë, filloi të punojë më e pavarur dhe u bë vetëm e serbëve.
Tanjug mbetet e agjencia më e njohur serbe e lajmeve. Një tjetër media e njohur serbe, Studio B, po mundohet shumë për të gjetur një blerës.
E parë gjerësisht si një simbol i medias në Beograd, rëndësia e saj u rrit gjatë periudhës së Sllobodan Millosheviç, kur ishte një simbol i gazetarisë së lirë dhe mendimit të pavarur.