Pas përleshjes masive me shtatë të plagosur në Laç, Gjykata e Lartë vendosi “arrest me burg” për deputetin e implikuar dhe tre të dyshuar të tjerë.
Gjykata e Lartë vendosi “arrest me burg” për deputetin Armando Prenga, i cili akuzohet se ka marrë pjesë në konfliktin e armatosur me shtatë të plagosur, që ndodhi mesnatën e së premtes në Laç. Deputeti i qarkut të Lezhës u shfaq me pranga në duar në hyrjen e Gjykatës së Lartë, para se të fillonte séanca e masës së sigurisë.
Prenga u arrestua mëngjesin e së shtunës me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, pasi akuzohej se ishte protagonist i përleshjes së armatosur me familjen Cali. Prokuroria e akuzon atë për tre vepra penale; “armëmbajtje pa leje”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “kanosje serioze për jetën”.
Shkak i këtij konflikti u bë një tender i Ministrisë së Bujqësisë, që kalonte të drejtën e peshkimit në luginën e Patokut nga kompania e vëllezërve Cali tek ajo e vëllait të deputetit Armando Prenga.
Më herët, në Gjykatën e Lartë u paraqitën pesë të arrestuarit e tjerë, të cilët u përfshinë në përleshjen masive pranë komisariatit të Laçit. Gjykata ka lënë në burg edhe Gjergj Calin, i cili akuzohet për plagosjen e Eduard Prengës, vëlla i deputetit.
“Deputeti Prenga na vrau dhe tani do të na burgosë,” deklaroi Cali para Gjykatës së Lartë. Përveç Armando Prengës dhe Gjergj Calit, gjykata ka vendosur të lërë në burg edhe Gazmir Jushin e Anton Lekën, të dyshuar si të implikuar në ngjarje.
Deputeti Armando Prenga u arrestua dhe u përjashtua nga radhët e Partisë Socialiste, pas ngjarjes së ndodhur mesnatën e së premtes në Laç. Kuvendi i Shqipërisë votoi me 118 vota pro heqjes së imunitetit të tij si deputet në seancën e së hënës.