
Autoritet kanë bërë shumë pak për të vënë përpara drejtësisë personat përgjegjës për hedhjen e përsëritur në hapësira publike të mbetjeve të rrezikshme,të cilat kërcënojnë shëndetin e shqiptarëve.

Në shkurt të këtij viti, fshati Herraj- në atë kohë pjesë e komunës Zall Herr në rrëzë të malit të Dajtit u zgjua një mëngjes nën kundërmimin e mbetjeve farmaceutike që ishin depozituar në anë të rrugës që çan përmes tij.
Rreth 1 ton barna të skaduara ishin hedhur gjatë natës në mënyrë të paligjshme dhe një pjesë e mirë e tyre kishte përfunduar në rrjedhën e lumit Tërkuzë, i cili përdoret për vaditjen e produkteve bujqësore të zonës.
Ky nuk ishte rasti i parë që zona rurale afër Tiranës ka rënë pre e kriminelëve mjedisorë, të cilët depozitojnë në mënyrë të paligjshme mbetjet farmaceutike dhe spitalore duke rrezikuar shëndetin e banorëve.
“Tre vite më parë, në të njëjtin vend përfundoi një sasi e ngjashme barnash të skaduara. Mbase është e njëjta kompani që ka mësuar vendin dhe vjen të na vdesë me këto helme,” tha një banore, e cila nuk dëshiroi të bëjë publik emrin e saj.
Ajo shtoi se dy fëmijët e saj kanë shfaqur probleme me shëndetin, temperaturë e të vjella, duke ia faturuar simptomat ndotjes së lumit.
“Ma do mendja që ka lidhje me ujin e Tërkuzës, ai tashmë është infektuar, por ku të mbytemi e ku të shkojmë,’’ spekuloi ajo.
Banorë të tjerë të zonës gjithashtu ankohen që ndotja po sjell probleme shëndetësore për familjet e tyre.
“Djali im 3 vjeçar vuan nga astma, e ma do mendja pikërisht për shkak të këtyre pisllëqeve që hamë e pimë,’’u shpreh njëri prej banorëve që jeton afër vatrës ku u hodhën mbetjet.
Edhe pse një rast i përsëritur, gati nëntë muaj më vonë agjencitë ligj-zbatuese kanë bërë shumë pak për të zbuluar fajtorët që fshihen pas ndotjes me mbeturina farmaceutike në fshatin Herraj.
Ndërkohë që strukturavetë qeverisjes vendore u kanë mbeturthasëte mbushur me ilaçe dhe një faturë të majme për asgjësimin e tyre, të cilën ato nuk mund ta përballojnë me buxhetin që kanë.
Në Shqipëri, prodhohen çdo vit2 mijë deri 3 mijë ton mbetje spitalore, të cilat asgjësohen në shumicën e tyre në autoklavat e vendosura në spitale si dhe nga kompani të licencuara që kanë lidhur kontrata me to.
Një raport monitorimi i prodhuar nga Qendra Eden në vitin 2014 përllogarit se në vend ndodhen 2,500 prodhues të mbetjeve spitalore, ndërkohë që operojnë 10 subjekte të licencuar për trajtimin e tyre.
Raporti i Eden, i cili mbulon menaxhimin e mbetjeve spitalore në 5 qytete të vendit vuri re se një pjesë e mirë e prodhuesve të vegjël i hedhin mbetjet e lëngshme në tualet, në koshat e qytetit ose në hapësira publike në periferi të tyre.
“87% e subjekteve prodhuese të mbetjeve spitalore përgjigjen që i njohin detyrimet ligjore që duhet të përmbushin në sektorin ku punojnë, por ndërkohë pjesa më e madhe e tyre nuk i zbatojnë ato,” shkruan Eden në raporti e vlerësimit.
“27% e tyre nuk janë të pajisur me leje mjedisore dhe 64% e tyre nuk i administrojnë mbetjet spitalore që prodhojnë, por më e keqja e konstatuar është se e gjithë kjo ndodh në të shumtën e rasteve me vullnet dhe dëshirë të plotë,’ shtoi ajo.

Mbetjet e hedhura në brigjet e lumit Tërkuzë në fshatin Herraj mund të kenë ardhur nga subjekte të ngjashme. Megjithatë, në 19 maj Inspektorati i Mjedisit e gjobiti komunën Zall Herr me një gjobë prej 500 mijë lekësh për ndotjen e shkaktuar nga mbeturinat farmaceutike.
Sipas nenit 21 të ligjit ‘‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’’ kryetarët e njësive të qeverisjes vendore janë përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve që krijohen brenda territorit të tyre administrativ, edhe pse është e paqartë nëse mbetjet e hedhura në fshatin Herraj qenë gjeneruar në të njëjtën komunë.
Komuna kontaktoi me një kompani private për zhvendosjen dhe asgjësimin e mbetjeve, por kosto financiare e operacionit qe e papërballueshme-tregon ish kryetari Gani Allushi.
‘‘Pasi mësuam emrin e kompanisë qëe ofronte këtë shërbim të asgjësimit të mbetjeve spitalore, ramë në kontakt më të, por shuma totale që duhej për një gjysmë toni të këtyre ilaçeve ishte e papërballueshme nga ne,” tha ai.
Allushi tha për BIRN se i ka shkruar të gjitha institucioneve që kanë lidhje me këtë situatë, duke nisur nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit, Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe Inspektoratit të Mjedisit, ku pas shumë kërkesash vetëm ky i fundit ktheu përgjigje përsa i përket ndihmës që kërkonte komuna, duke i sugjeruar se çfarë do të bënte më këto mbetje.
Për sa kohë nuk ekziston një landfill i specializuar vetëm për mbetje të tilla tepër të rrezikshme, duhej emri i një firme të licencuar për këtë shërbim.
‘‘I futëm në thasë me punëtorët e komunës, pastruam vendin ku këto mbetje kishin qëndruar për më shumë se 4 muaj dhe tani ato janë në një ambient ku janë në ruajtje nga ne,” tha Alushi.
Fondi prej 1 milion lekësh të reja për zhvendosjen e thasë nuk u sigurua dot nga komuna, që ishte në ditët e fundit të mandatit të saj. Ndërsa edhe sot e kësaj dite këto mbetje tepër të rrezikshme janë në thasë të vendosura në oborrin e një shtëpie të braktisur pranë zyrave të komunës.
Edhe pse të paketuara, ekspertët mjedisorëshqetësohen se këto kimikate rrezikojnë seriozisht kontaminimin e tokës dhe të ujit, e për pasojë përbëjnë një kërcënim për shëndetin e banorëve të zonës.
‘‘Për sa kohë që ato merren në sasi shumë të vogla nga individi, çerek ose gjysmë kokrre, imagjinojeni në kuptimin afatgjatë të tyre sa shumë të dëmshme janë për shëndetin. Ligji e ndalon por fatkeqësisht ne akoma bëjmë tolerime me ligjin,” u shpreh aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni.
Në lidhje me këtë rast krimi mjedisor, policia e Tiranës bëri disa verifikime në lidhje me mbetjet farmaceutike të cilat u gjendën në Zall-Herr, por burime zyrtare të saj bëjnë më dije se hetimi është në qorrsokak për shkak të mungesës së provave.
Rasti i Zall-Herrit nuk është i vetmi. Edhe në qytetin e Elbasanit, organizatat vendore mjedisore kanë denoncuar hedhjen e mbetjeve spitalore në koshat të mbetjeve urbane rreth spitalit rajonal në prill të këtij viti.
Vetë Spitali rajonal i qytetit të Elbasanit nuk ka autoklavë, por ky institucion shëndetësor ka një kontratë me një kompani të licencuar për evadimin dhe asgjësimin e mbetjeve.
Sipas Klubit Ekologjik, një organizatë mjedisore me qendër në Elbasan, mbetjet e evidentuara hidhen nga laboratorët, klinikat private dhe klinikat dentare.
‘‘Mbetjet farmaceutike nuk trajtohen fare nga asnjë nga kompanitë e licencuara për trajtimin e mbetjeve spitalore, kështu që të gjitha përfundojnë në lumin Shkumbin,” thotë Ahmet Mehmeti, kryetari Klubit Ekologjik.

“Një katastrofë ekologjike ndodh në tokë dhe në ujërat e ndotura me pasoja shumë të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve,’’ shtoi ai.
Edhe pse nuk kanë arritur t’i gjejnë fajtorët, në përgjigje të denoncimeve nga organizatat mjedisore autoritetet i kanë shtuar inspektimet në terren, gjë që ka sjellë një rënie të fenomenit.
‘‘Në kohën e monitorimit tonë për menaxhimin e mbetjeve spitalore, përgjatë vitit 2014 në të gjitha qytetet janë hedhur mbetje spitalore, si nga subjektet private ashtu edhe nga shtetërori,” tha Ermelinda Mahmutaj, drejtore ekzekutive e qendrës Eden.
“Nga momenti i bërjes publik të raportit e deri më sot janë kryer inspektime të vazhdueshme, duke respektuar kështu një prej rekomandimeve tona për të minimizuar sadopak këtë krim mjedisor,’’ përfundoi ajo.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Ju përgezoj për per evidentimin dhe publikimin e ketyre rasteve me shume ndikim ne komunitet. Rasti në fjalë është me plot kuptimin e fjalës katastrof mjedisore, por a ka ndonjë përgjegjës për këtë? Apo janë mjaftur me gjobitjen e pushtetit vendor? Ku edhe për këtë jam i bindur që ka qenë ndonjë kapriço politike, sepse paska qenë edhe prag fushate elektorale. Për mendimin tim katastrofën mjedisore e ka pasuar katastrofa institucionale që nuk ndëshkon përgjegjësit, këto pasoja po i vuan komuniteti.
Ju përgezoj për per evidentimin dhe publikimin e ketyre rasteve me shume ndikim ne komunitet. Rasti në fjalë është me plot kuptimin e fjalës katastrof mjedisore, por a ka ndonjë përgjegjës për këtë? Apo janë mjaftur me gjobitjen e pushtetit vendor? Ku edhe për këtë jam i bindur që ka qenë ndonjë kapriço politike, sepse paska qenë edhe prag fushate elektorale. Për mendimin tim katastrofën mjedisore e ka pasuar katastrofa institucionale që nuk ndëshkon përgjegjësit, këto pasoja po i vuan komuniteti.
Ju përgezoj për evidentimin, publikimin dhe përpjekjen për zgjidhje të këtyre rasteve.