Mali i Zi mori ftesën e shumëpritur për t’u bërë anëtari i 29 i NATO-s, në takimin e mbajtur të mërkurën në Bruksel.
“Urojmë qeverinë dhe njerëzit për këtë arritje, kjo është një ditë shumë e mirë për Malin e Zi, një ditë shumë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë aleancën,” tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në takimin e Këshillit të ministrave të jashtëm të Atlantikut-Verior të mërkurën në Bruksel.
Ministri i jashtëm malazez, Igor Luksiç e quajti ftesën e NATO-s një “moment historik për Malin e Zi”. “Është një njohje e të gjitha përpjekjeve që kemi bërë”.
Podgorica ka ngulmuar t’i bashkohet aleancës pas ndarjes nga Serbia në vitin 2006. Asaj iu dha një Plan Veprimi për Anëtarësim në vitin 2009, që cilësohet si hapi përfundimtar përpara anëtarësimit.
Një ish-republikë Jugosllave prej 650,000 njerëzisht, qe zgjerimi i parë i aleancës që prej vitit 2009 kur iu bashkua Kroacia dhe Shqipëria. Një seancë speciale në parlamentin malazez do të planifikohet për të enjten në Cetinje.
Ndërsa qeveria e Milo Djukanoviç e sheh bashkimin në NATO si një prioritet strategjik, malazezët mbeten të mëdyshur rreth anëtarësimit.
Shumë persona nga komuniteti i madh serb janë ende të zemëruar rreth fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë në vitet 1990, që detyroi Beogradin të tërhiqej nga provinca e atëhershme e Kosovës.
Opozita pro-serbe dhe organizatat anti-NATO nxitën autoritetet të hënën të mbahet një referendum për anëtarësimin.
Rusia e ka përshkruar zgjerimin e NATO-s në Ballkan, ku Moska gëzon marrëdhënie të ngushta historike me të krishterët ortodoksë, si një “provokim”. Moska tha se një ftesë anëtarësimi për Malin e Zi do të ishte një tjetër goditje e sigurisë europiane dhe marrëdhënieve mes Rusisë dhe NATO-s.