Kompania kanadeze pranoi të ngrijë shumën e kërkuar prej 57 milionë dollarësh në garanci bankare ndërsa procesi i rivlerësimit të shpenzimeve dhe procedura gjyqësore ndërkombëtare vijojnë paralelisht.
Kompania e nxjerrjes së naftës Bankers Petroleum deklaroi se ka arritur një marrëveshje të përkohëshme me autoritetet tatimore shqiptare në lidhje me bllokimin e llogarive të kompanisë në Shqipëri, duke pranuar të vendosë një garanci bankare të barazvlefshme me shumën e kërkuar nga tatimet prej 57 milionë dollarësh ndërkohë që procedurat ligjore për të konkluduar nëse ky pretendim i tatimeve është i drejtë apo jo, do të vijojnë.
Në një njoftim për shtyp, Bankers deklaroi se do të vendosë një depozitë fillestare prej 10 për qind të vlerësimit tatimor prej 57 milionë dollarësh dhe pastaj do ta shtojë këtë depozitë me 4.275 milionë dollarë të tjera çdo muaj përgjatë vitit 2016 deri sa të plotësohet shuma e pretenduar e tatimeve prej 57 milionë dollarësh. Gjithsesi, Bankers deklaroi se këto pagesa “bëhen pa paragjykime në lidhje me mosmarrëveshjen në vijim mbi vlerfshmërinë e këtyre pretendimeve fiskale dhe me rezervat e plota të të drejtave të Bankers”.
Bankers hyri në mosmarrëveshje të thella me qeverinë e Shqipërisë më 20 nëntor, pasi administrata tatimore shqiptare urdhëroi bllokimin e llogarive bankare të kësaj kompanie, duke kërkuar të mbledhë me forcë një faturë fiskale me vlerë 75 milionë dollarë, të nxjerrë nga një rivlerësim tatimor mbi kostot e zbritshme të kompanisë.
Menjëherë pas dhënies së lajmit, aksionet e Bankers në bursën e Torontos ranë vazhdimisht nga 2.1 dollarë për aksion në ditën para bllokimit të llogarive, në më pak se 1 dollarë të premten në mëngjes. Bursa e Torontos pezulloi shkëmbimin e aksioneve të Bankers të premten rreth orës 10 të mëngjesit me orën vendore, pasi u informua paraprakisht nga kompania për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje. Gjatë ditës së premte, gati 17 milionë nga 261 milionë aksionet e kompanisë u shitën ndërsa çmimi i aksioneve ra në mënyrë dramatike nga 1.24 dollarë që qe në hapje të bursës në më pak se 95 centë. Bursa e Torontos rifilloi tregtimin e aksioneve pas orës 13 me orën vendëse, kur u publikua lajmi për arritjen e marrëveshjes. Çmimi i aksioneve të kompanisë u rrit në 1.1 dollarë për aksion.
Vlera e Bankers në bursë ra gjatë kësaj periudhe nga mbi 500 milionë dollarë në minimumin prej 250 milionë dollarësh. Vlera e kompanisë në bursë llogaritet si shumëzim i çmimit të aksionit me numrin total të aksioneve të emetuara.
Mosmarrëveshja mes Bankers dhe qeverisë lidhet me një rivlerësim të kryer mbi shpenzimet e kompanisë në vitin 2011. Autoritetet shqiptare thonë se kompania ka kryer këtë vit rreth 300 milionë dollarë shpenzime të panevojshme, duke sjellë largimin nga Shqipëria të parave që në një situatë normale, do të shpalleshin në bilancin e kompanisë si fitime. Sipas kontratës së koncesionit mes kompanisë dhe qeverisë shqiptare, fitimet e kësaj kompanie duhet t’i nënshtrohen tatimit në masën 50 për qind.
Kompania pretendon se të gjitha investimet e saj janë të vlefshme dhe ka kërkuar që, në zbatim të kontratës së saj koncesionare, mosmarrëveshja të zgjidhet përmes punësimit të një auditori të pavarur të pranuar nga të dyja palët. Në shtator këtë vit, Bankers deklaroi se e ka arritur një marrëveshje me qeverinë për të filluar procedurat e punësimit të auditorit të pavarur.
Qeveria shqiptare nuk ka dhënë shpjegime mbi detajet e çështjesh, por ka shprehur gadishmërinë që të përballet me Bankers në arbitrazh nëse është e nevojshme.
Bankers Petroleum dhe nafta e nxjerrë prej saj në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës është përgjegjëse për rreth 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Bankers thotë se kontribuon në ekonominë shqiptare me rreth 1500 vende pune dhe me pagesë taksash të ndryshme që variojnë në rreth 15-20 për qind të të ardhurave bruto nga shitja e naftës. Megjithatë, shumë në Shqipëri besojnë se përfitimet e Shqipërisë nga nafta që po nxirret në Patos-Marinzë janë më të pakta nga sa duhej të ishin për shkak të manovrave fiskale të kryera nga kjo kompani.