AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Page Positions Artikull kryesor Investigime

Fitimet marramendëse të koncesioneve dhe monopoleve

Gjergj ErebarangaGjergj Erebara
10 years më parë
në Artikull kryesor Investigime, Investigime, Në Fokus
Koha e leximit: 11 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Aeroporti i Rinasit. Foto kortezi: Aeroporti

Praktikat e dhënies me koncesion të pasurive publike janë të vjetra dhe përfshijnë të gjitha qeveritë e 20 viteve të fundit. Analizimi i bilanceve të një pjese të koncesioneve tregon se fitimet e tyre janë përrallore dhe se kanë mbetur të larta pavarësisht krizës së përgjithshme ekonomike që ka përfshirë vendin prej vitesh.

Aeroporti i Rinasit. Foto kortezi: Aeroporti
Aeroporti i Rinasit. Foto kortezi: Aeroporti

Aeroporti i Rinasit, industria e nxjerrjes së bakrit, shërbimi i koalidimit të makinave janë biznese shumë të ndryshme por që kanë disa gjëra të përbashkëta. E para, janë koncesione të dhëna nga qeveritë shqiptare përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit;e dyta, që të gjitha kanë norma fitimi marramendëse, të lakmueshme nga çdo biznes tjetër.

BIRN shqyrtoi bilancet e këtyre kompanive të krijuara përmes kontratave koncesionare për një periudhë pesëvjeçare nga viti 2010 deri më 2015, dhe zbuloi se shumica dërrmuese e koncesioneve kanë norma fitimi marramendëse në raport me të ardhurat, por në disa raste, koncesionet kanë rezultuar edhe me humbje fiskale, siç është rasti i prodhimit të pullave fiskale SICPA apo ai i markimit të karburanteve GFI.

Koncesionet po i kushtojnë shqiptarëve dhjetëra milionë euro në vit, qoftë në formën e fitimeve monopolistike të krijuara nga këto koncesione, qoftë përmes tregjeve virtuale të krijuara, tregje që jo gjithmonë përbëjnë produkt apo shërbim real publik dhe të cilat, në kushte normale nuk do të ekzistonin.

Megjithatë, qeveritë shqiptare, përfshirë qeveritë socialiste para vitit 2005, atë demokrate 2005-2013 dhe ajo aktuale e qendrës së majtë e udhëhequr nga Socialistët, i kanë dhënë të drejtë vetes të krijojnë këto segmente tregu në kurriz të konsumatorëve.

Kostoja totale e koncesioneve për shoqërinë shqiptare është e vështirë të përcaktohet për shkak se disa nga kompanitë koncesionare kanë produkt real ndërsa vetëm fitimet e tyre mund të jenë të tepërta npër shkak të pozicionit monopol ndërsa disa koncesione të krijuara si mjete kontrolli fiskale përbëjnë kosto për të gjitha të ardhurat që kanë.

Shqiptarët paguajnë aktualisht rreth 6 milionë euro për pulla fiskale që në një situatë tjetër do të kushtonin dhjetë herë më pak, kanë paguar mbi 170 milionë euro përgjatë pesë viteve të fundit për pasaporta dhe karta identiteti biometrike, të cilat, nëse do të prodhoheshin nga vetë shteti do të kushtonin shumë më pak, apo paguajnë miliona euro fitime ekstra për koncesionin e aeroportit.

Bilancet e tetë kompanive koncesionare të analizuara nga BIRN tregojnë se përgjatë periudhës 2010-2014, këto kompani kanë pasur afro 40 miliardë lekë xhiro sëbashku, (rreth 285 milionë euro). Këto janë vetëm një pjesë e vogël e kompanive të krijuara përmes koncesioneve në Shqipëri. Koncesione të tjera si ai i skanimit doganor apo i analizave mjekësore falas, nuk kanë ende bilanc të shpallur për shkak se kanë filluar punë vetëm në vitin 2014.

Edhe pse kostoja e tyre është e njohur tendenca vijon të mbetet e njëjtë, qeveritë vijojnë të krijojnë monopole apo aktivitete nga asgjëja në shërbim të interesave private dhe në dëm të konsumatorëve dhe taksapaguesve.

Monopoli i Rinasit

Koncesioni për aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri u dha nga qeveria socialiste e ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004. Gjatë kohës që ky koncesion u debatua, u ngrit menjëherë pikëpyetja për një klauzolë ekskluziviteti që përcaktohej në kontratë.  Kjo klauzolë qe klasifikuar si sekret shtetëror por u publikua në median e kohës. Pavarësisht kritikave, qeveria e firmosi kontratën me afat 20 vjeçar duke krijuar kështu edhe një monopol ligjor.

Monopoli, jo vetëm që dënoi me vdekje aeroportin e Kukësit, i cili, në kohën kur u nënshkrua kontrata qe duke u ndërtuar, por krijoi edhe një kompani me të ardhura të bollshme dhe me fitime të garantuara. Në vitin 2014, Tirana International Airport Shpk realizoi të ardhura në masën 4.2 miliardë lekë (rreth 30 milionë euro) dhe pati fitime neto prej 1.2 miliardë lekësh (rreth 8.7 milionë eurosh).

Norma e fitimit si përqindje mbi të ardhurat për këtë kompani përgjatë pesë viteve të fundit ka variuar në 20-30 për qind dhe fitimet kanë mbetur të bollshme pavarësisht faktit që pjesa tjetër e ekonomisë ka vuajtur krizën ekonomike dhe financiare të përgjithshme.

Përgjatë pesë viteve 2010-2014, kompania e aeroportit ka siguruar fitime totale prej 6.2 miliardë lekësh (rreth 45 milionë euro).

Gjatë muajve të fundit, qeveria aktuale ka deklaruar publikisht se dëshiron të gjejë një zgjidhje me mirëkuptim me kompaninë e aeroportit që të heqë dorë nga klauzola e ekskluzivitetit, por deri më sot bisedimet kanë qenë pa rezultat.

Burime nga palët negociatore thonë se kompania e aeroportit kërkon në shkëmbim të heqjes dorë nga klauzola e ekskluzivitetit mundësinë e shtrirjes së kontratës së koncesionit përtej vitit 2024, kur kontrata aktuale skadon.

Koncesioni i aeroportit dhe klauzola e monopolit që i është dhënë kompanisë së koncesionit për fluturimet ndërkombëtare, konsiderohen si një pengesë madhore për industrinë e turizmit në Shqipëri, për shkak se normat monopolistike të koncesionarit të aeroportit i shtohen biletave finale që u tarifohen udhëtarëve.

Përveç monopolit në aeroport në Rinas ekziston edhe një monopol tjetër, i cili nuk është i sanksionuar me ligj por që ekziston thjeshtë për shkak të mungesës së konkurrencës. Furnizimi i avionëve me karburant bëhet nga kompania Air BP Albania. Sipas bilanceve të kompanisë të analizuara nga BIRN, kjo kompani ka pasur të ardhura mesatare prej 1,4 miliardë lekësh në vit përgjatë pesë viteve të fundit dhe ka pasur edhe normë fitimi mesatare prej 16 për qind, në një kohë kur norma e fitimit në tregtinë e karburanteve në Shqipëri është disa herë më e ulët.

Miliona për pasaportat

Aleat është një kompani e krijuar si pasojë e vendimit të qeverisë “Berisha” për të dhënë me koncesion procesin e prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Ajo u themelua në gusht 2008, fillimisht si një koncesion trevjeçar, i cili do të prodhonte pasaportat dhe kartat e identitetit për shqiptarët dhe pastaj do t’ia transferonte teknologjinë qeverisë shqiptare. Por me një veprim të papritur, pak para skadimit të koncesionit, qeveria vendosi ta zgjasë më tej atë. Kontrata e koncesionit është mbajtur gjatë të gjithë kohës e klasifikuar si “sekret”.

Gjithsesi, të ardhurat dhe fitimet e kompanisë koncesionare nuk janë të tilla. Përgjatë pesë viteve 2010-2015, të ardhurat e kompanisë kanë qenë 17,6 miliardë lekë (125 milionë euro), ndërsa fitimet e akumuluara gjatë kësaj periudhe kanë qenë 3.3 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro). Kostoja e përgjithshme e koncesionit do të vijojë të rritet për shkak se kontrata koncesionare vijon dhe se kompania është favorizuar herë pas here nga vendime të qeverive në kurriz të konsumatorëve. Në vitin 2012 psh, Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bujar Nishani, vendosi papritur të anulojë vlefshmërinë e pasaportave të vjetra pavarësisht afatit të maturimit, duke detyruar disa dhjetëra mijëra shqiptarë të blejnë pasaportë të re te koncesionari.

Një dorë e mirë parash pritet të krijohen për këtë koncesion edhe këtë vit për shkak të vendimit të qeverisë aktuale për të detyruar të gjithë shqiptarët që patën marrë pasaporta për fëmijët me toponime të gabuara, të paguajnë kostot e pasaportave edhe një herë, pavarësisht se gabimi nuk qe i tyre por i administratës publike.

ALEAT është një kompani monopol, çmimet e shërbimeve të së cilës përcaktohen nga autoriteti kontraktor, por këto çmime mjaftojnë që kjo kompani të ketë normë fitimi mesatare prej gati 20 për qind për periudhën 2010-2015.

Fitimet e bakrit

Kompania BERALB fitoi një koncesion të firmosur nga qeveria socialiste e Ilir Metës në prill të vitit 2001. Kompania u largua nga Shqipëria së fundmi, për shkak të mbarimit të rezervave të shfrytëzueshme të bakrit si dhe për shkak tëçmimeve të ulëta të bakrit në tregun ndërkombëtar. Por përgjatë pesë viteve, nga viti 2010 deri në vitin 2014, BERALB realizoi të ardhura prej 12 miliardë lekësh dhe fitime neto prej 5 miliardë lekësh. Me normë fitimi prej 42 për qind, ky mund të jetë koncesioni më fitimprurës në Shqipëri. Bilancet për periudhën para vitit 2010 nuk janë tëdisponueshme, por për pesë vitet e fundit të aktivitetit të saj, BERALB ia doli të fitojë gati 36 milionë euro. Kompania realizoi një humbje të vogël prej 441 milionë lekësh në vitin 2014.

Kromi del me “humbje”

Industria e Kromit u dha me koncesion në mënyrë të ngjashme me atë të bakrit në vitin 2000, për llogari të një kompanie italiane të quajtur DARFO. Kjo e fundit ia shiti koncesionin një kompanie austriake, e cila e riemëroi kompaninë nëAlbChrome. AlbChrome realizoi të ardhura në masën 22 miliardë lekë për periudhën 2010-2014, (rreth 158 milionë euro), por kompania rezultoi zyrtarisht me humbje totale prej rreth 2.5 miliardë lekësh (18 milionë euro). Raportohet se gjatë kohës që qe nën pronësinë e austriakëve, AlbChrome ia shiste kromin që nxirrte në galeritë e Bulqizës kompanisë mëmë me çmime më të ulëta se sa tregu, duke dalë me humbje. Për rrjedhojë, përfitimet reale të kompanisë nga koncesioni besohet se kanë qenë më të larta.

Në vitin 2013, austriakët e shitën Albchrome te grupi shqiptar Balfin. Në vitin 2014, të ardhurat e AlbChrome u rritën në 5.1 miliardë lekë dhe kompania rezultoi për herë të parë në pesë vjet me fitime prej 300 milionë lekësh dhe me normë fitimi mbi të ardhurat prej 6 për qind.

Petrolifera, 74 për qind normë fitimi

La PetroliferaItaloAlbaneseështë një kontratëkoncesionare e formës BOO, që do të thotë: Ndërto, Opero dhe Mbaje nën Pronësi, e firmosur nga ish-kryeministri Fatos Nano në vitin 2004, si pjesë e një plani më të gjerë për të krijuar dy porte të dedikuara për karburantet dhe rrjedhimisht për të hequr importet e karburanteve nga portet e tjera të vendit.

Petrolifera përfitoi tokë me çmim simbolik nga qeveria “demokrate” që pasoi në zonën e Pyllit të Sodës pranë Vlorës dhe ndërtoi rezervuarë karburanti për import dhe eksport.

Bilancet e kompanisë për periudhën katërvjeçare 2011-2014 tregojnë se ajo ka realizuar të ardhura totale prej 4.4 miliardë lekësh (rreth 31 milionë euro) nga qiraja që u merr kompanive për magazinimin e karburanteve në depozitat e saj. Fitimet e kompanisë përgjatë kësaj periudhe kanë qenë afro 1.8 miliardë lekë, (rreth 13 milionë euro) dhe janë rritur në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit. Në vitin 2014, kompania pati 1.2 miliardë lekë të ardhura dhe 910 milionë lekë fitime neto, me normë fitimi prej 74 për qind.

Monopoli i kontrollit teknik

Në vitin 2009, qeveria “Berisha” nënshkroi një kontratëkoncesionare dhe monopol me afat dhjetë vjet me kompaninë zvicerane SGS, e cila mori përsipër të kryejë kontrollin e detyruar teknik të automjeteve në Shqipëri. Të ardhurat e kompanisë janë rritur me shpejtësi që nga viti 2010 dhe fitimet e saj janë shumëfishuar gjithashtu. Përgjatë pesë viteve, kompania ka realizuar të ardhura në masën 2.8 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro) dhe fitime të akumuluara prej 1,4 milionë eurosh. Fitimet e saj shënuan kulmin në vitin 2014 me 94 milionë lekë neto.

Pavarësisht fitimeve të konsiderueshme, kontrolli teknik i automjeteve vijon të ofrojë shërbim shumë të keq. Qytetarët detyrohen shpesh të presin me ditë të tëra nërradhë për të bërë kontrollin, i cili është detyrim ligjor.

SICPA me “humbje”

Kompania SICPA është një koncesion tjetër i shumëdebatuar i dhënë nga qeveria “Berisha” në vitin 2010 me argumentin se do të ndihmonte në luftën kundër evazionit fiskal. Ajo ka monopolin e prodhimit të pullave fiskale në Shqipëri, të cilat duhet t’i bashkangjiten disa produkteve që i nënshtrohen akcizës, si cigare, birrë dhe pije alkoolike të forta. Nga viti 2012, kur kjo kompani nisi aktivitetin, shërbimet e saj i kanë kushtuar shqiptarëve 2.7 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro) dhe sipas kontratës, do të duhet të kushtojnë së paku dy herë më shumë se kaq. Efekti i pritur në formalizimin e ekonomisë dhe në shmangien e evazionit fiskal dhe kontrabandës në mallrat e forta gjithsesi nuk ndodhi. Konsumatorët hasin në treg shpesh cigare kontrabandë apo birrë pa pullë akcize. Pulla e akcizës aktualisht kushton 14.4 euro për mijë copë, ose rreth 2 lekë të rinj për copë. Pulla e mëparshme kushtonte disa herë më pak.

Gjithsesi, SICPA në Shqipëri është formalisht një aktivitet me humbje. Sipas bilancit të kompanisë, ajo pret të dalë me fitime vetëm pasi qeveria shqiptare të zbatojë kontratën deri në fund, duke i dhënë asaj monopolin e prodhimit të pullave të sigurisë së ilaçeve, segment që pritet ta shtojë koston totale në xhepat e taksapaguesve në rreth 20 milionë euro në vit. Qeveria shqiptare deri tani nuk e ka zbatuar këtë pjesë të kontratës.

Humbjet fiskale të SICPA në Shqipëri nuk janë tërësisht humbje për koncesionarin, i cili kryen blerje nga kompania mëmë.

Qeveria aktuale e kryeministrit Edi Rama ka dhënë deri tani disa koncesione të kushtueshme, të cilat

Qeveritë shqiptare përgjatë dekadave të fundit e kanë gjetur si zgjidhje të lehtë të japin pasuritë publike me koncesion ose të krijojnë segmente tregu nga asgjëja për llogari të kompanive të ndryshme, me argumentin se këto kompani do të mund të sjellin në Shqipëri kapital dhe teknologji. Por në shumë raste, kostoja që kanë krijuar këto koncesione në ekonomi rezulton e rëndë dhe bllokuese për zhvillimin ekonomik të vendit.

Koncesionet e reja

Kryeministri Edi Rama deklaroi pak kohë më parë se e kuptonte se koncesioni i Aeroportit të Rinasit qe i gabuar, pavarësisht se qe dhënë nga një qeveri socialiste. Deklarata e Ramës para zgjedhjeve të fundit vendore, erdhi ndërkohë që koalicioni qeverisës po premtonte vënien në punë të aeroportit të Kukësit, i cili është gati por jo funksional, si dhe ndërtimin e disa aeroporteve të tjera për qëllime turistike në jug të vendit. As aeroporti i Kukësit nuk mund të vihet në punë dhe as aeroportet e reja nuk mund të ndërtohen për shkak se kontrata e koncesionit e vitit 2004 përcakton qartë se qeveria shqiptare nuk ka kurrfarë të drejte të zhvillojë një aeroport tjetër përgjatë të gjithë kontratës së koncesionit.

Ky reflektim nuk e ndaloi gjithsesi qeverinë aktuale të krijojë koncesione të tjera. Në dhjetor 2013, qeveria dha me koncesion procesin e ndërtimit të disa laboratorëve dhe procesin e transportimit të kampioneve të analizave për popullsinë që aktualisht është jashtë sistemit të sigurimit shëndetësor, me argumentin se ky proces do të ndihmojë të parandalojë sëmundjet që do t’i rëndojnë sistemit shëndetësor në të ardhmen. Koncesioni i njohur si “Check Up” falas vlerësohet se kushton 6 milionë dollarë në vit dhe kontrata koncesionare do të vijojë për dhjetë vjet.

Këtë vit, qeveria aktuale akordoi dy koncesione të tjera në sektorin e shëndetësisë. Në nëntor, me koncesion u dha procesi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale nëpër spitalet e vendit, i cili pritet të kushtojë 100 milionë dollarë për dhjetë vjet. Ndërsa në tetor u dha me koncesion shërbimi i dializës me kosto mbi 75 milionë dollarë në dhjetë vjet.

Pas raportimeve në media, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi javën e kaluar se ka vendosur të hapë hetime të përgjithshme me nismë të vetën mbi këto koncesione duke filluar konfiskimin dhe analizimin e dokumenteve të koncesioneve. Përgjatë viteve të fundit, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur rrallë herë hetime me nismë të vet.

Qeveria aktuale miratoi një ligj në fillim të këtij viti për të dhënë një koncesion të llojit të veçantë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Dibër, koncesion që deri tani nuk është realizuar, por që besohet se do të krijonte një borxh të ri publik me interes shumë të lartë. Të gjitha këto koncesione duket se bien ndesh me përkufizimin e fjalës koncesion sipas legjislacionit europian. Pikërisht për këtë arsye, në raportin e fundit të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, zyrtarët e Brukselit kanë deklaruar se Shqipëria ka devijuar nga rruga për zbatimin e kritereve europiane në fushën e koncesioneve.

“Në lidhje me koncesionet, pati hapa pas, me vendosjen e masave të papajtueshme me acquis”, thuhet në faqen 34 të raportit, ku kërkohet që sistemi i prokurimeve publike të jetë i qartë në atë që përbën “koncesion” dhe atë që përbën sipërmarrje të punëve publike.

Për këtë arsye Raporti i Progresit kërkon mes të tjerash që Shqipëria të “përshtasë legjislacionin për ta harmonizuar atë me rregullat e BE-së për prokurimin publik, përfshirë fushën e koncesioneve dhe të prokurimeve të mbrojtjes”.

Etiketa: AlbchromeBalfinBEBIRNBulqizëcigaredemokrateEdi RamaekonomiEurohetimeKarburantKarburantetKartatKoncesionKoncesionetkontrabandëKontrolliMASMediaMjekmjekëMonopolParaProkuroriaProkuroria e PërgjithshmeQeveriaraportRaportiRinassekretSGSShqipëriShqipëriashqiptarespitaletTregTreguvdekjeVlorë
Tjetri
Të birësuarit rumunë në perëndim gjejnë rrugën për në shtëpi

Të birësuarit rumunë në perëndim gjejnë rrugën për në shtëpi

Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
hjzltqvxcaa0cwg

Grupimi i Partive Ambjentaliste Europiane kundër resortit të ‘Kushner’ në Zvërnec

16:52 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.