Dy gra të afta me CV mbresëlënëse po konkurrojnë për të qenë kandidatura e Bullgarisë për Europën Lindore në OKB, megjithatë e shkuara komuniste e njërës prej tyre dhe vetoja e Rusisë për tjetrën po vonojnë procesin dhe po ndezin edhe më shumë debatin.
Me afrimin e zgjedhjeve për zëvendësimin e Ban Ki-moon si Sekretar i Përgjithshëm i OKB këtë vit, tensioni mbi njeriun që do të nominohet si kandidati bullgar për këtë pozicion janë rritur.
Arsyeja pas trazirës diplomatike prapa-skenës është se vendi i Ballkanit ka një votë të rëndësishme në procesin e nominimit të OKB.
Zgjedhja për një Sekretar të Përgjithshëm është subjekt i një skeme informate rajonale rotacioni dhe Europa Lindore është i vetmi rajon që nuk ka drejtuar organizatën. Ka gjithashtu një fushatë globale ndërkombëtare që një grua të marrë pozicionin drejtues të OKB.
Bullgaria i përmbush të dyja kriteret. Por sfida kryesore e qeverisë është përballja e ashpër mes dy kandidateve po njëlloj të forta – Drejtorja e Përgjithshme e Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore UNESCO, Irina Bokova dhe zv. Presidentja e Komsionit Europian, Kristalina Georgieva.
Duket se koha që kryeministri bullgar Boyko Borisov të ndajë mendjen po mbaron, pasi Georgi Parvanov, lideri për Rigjallërimin Alternativ Bullgar, ABV, që është pjesë e këtij koalicioni qeveritar, i dha kryetarit një ultimatum.
Në një konferencë për shtyp më 14 janar, Parvanov, që është gjithashtu ish-president i Bullgarisë, lajmëroi se nëse qeveria nuk nominon shefen e UNESCO-s Bokova menjëherë partia e tij mund të largohet koalicioni qeveritar.
“Ministria e Çështjeve të Jashtme duhet të ndalojë shtyrjen e procesit dhe menjëherë të çojë përpara letrën e nominimit të Irina Bokova për Sekretare e Përgjithshme e OKB,” tha Parvanov.
Ai paralajmëroi se nëse ndërmerrej vendimi i gabuar, kjo mund të çonte në vendime drastike të pjesëmarrjes sonë në qeveri.
Bokova u nominua fillimisht për pozicionin e punës në vitin 2014 nga qeveria e koalicionit të drejtuar prej socialistëve.
Ndonëse letra nga OKB për nominimin ka mbërritur një muaj më parë ministria e çështjeve të jashtme është shprehur se lajmërimi i kandidatit do të bëhet në çastin më të përshtatshëm.
Burimet diplomatike bullgare i kanë shpjeguar BIRN se qeveria nuk e ka hedhur poshtë dhe as nuk e ka konfirmuar nominimin e Bokovës sepse shqetësohet rreth lidhjeve të saj me ish-Partinë Komuniste të Bullgarisë.
Sipas burimeve anonime brenda ministrisë, të dyja partitë e qendrës së djathtë Blloku Reformist, janë kundër vendosjes së një kandidateje me lidhje të mundshme me ish-elitën komuniste.
Bokova është vajza e Georgi Bokov, një komunist i nivelit të lartë që drejtonte gazetën më të madhe në vend për Partinë, Rabotnichesko delo. Edukuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe SHBA, ajo ka një eksperiencë të gjatë diplomatike dhe parlamentare, flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe rusisht.
Bokova u bë e para grua që drejtoi UNESCO-n dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në 2013.
Më 7 janar, revista amerikane Diplomatic Courier e vuri Bokovën në krye të listës si kandidate e mundshme e Europës Lindore për Sekretare të Përgjitshme, bazuar në kriterin e të shkuarës diplomatike, duke marrë parasysh aftësitë e lidershipit dhe eksperiencën në OKB.
Megjithatë asaj i mungon mbështetja në shtëpi. Një sondazh kombëtar e renditi atë me 44 për qind të mbështetjes së të anketuarve, ndërsa 62 për qind anuan nga Kristalina Georgieva.
Emri i Bokobës është përmendur gjithashtu në dy skandale politike të fundit. Në dhjetor 2015, gazeta gjermane Die Ëelt raportoi se ajo kishte pretenduar në biografinë e saj zyrtare se ishte ministre e jashtme e Bullgarisë në fund të viteve 1990, kur në fakt ajo po sillej si e tillë vetëm për disa muaj. Ajo i tha gazetës se ishte një gabim në CV e saj dhe e korrigjoi atë në uebsajtin e organizatës.
Javën e shkuar uebsajti bullgar investigativ Bivol.bg raportoi se së fundmi Bokova dhe familja e saj kishin blerë apartamente në Manhatan me vlerë më shumë se 3 milionë dollarë. Diplomatja bullgare i pranoi blerjet duke thënë se ishin të mundura falë rrogave të larta të saj dhe bashkëshortit.
Pavarësisht polemikave në të shkuarën e saj, Bokova ka një avantazh madhor ndaj rivales së saj Georgieva, mbështetjen e mundshme të Moskës. Një veto nga Rusia mbi kandidimin e Georgievas duket një skenar i mundshëm, duke qenë se ajo ka pozicion të lartë në KE, që imponoi sanksionet mbi Rusinë në konfliktin me Ukrainën.
Nga ana tjetër Georgieva ka një shans më të madh fitimi të mbështetjes në shtëpi, pasi ka lidhje të afërta me partinë kryesore GERB.
Georgieva, një ish-zyrtare e Bankës Botërore, 62 vjeçe, gëzon gjithashtu simpati nga stafi i OKB në Nju Jork falë reputacionit të saj si dinamike dhe teknokrate e kualifikuar, raportoi Financial Times më 14 janar.
Përpara se të bëhej se të bëhej zv. Presidente e Komisionit Europian dhe komisionere e BE për çështjet buxhetore, Georgieva ishte Komisionere e BE për Ndihmën Humanitare, një tjetër aset në CV e saj për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB.
Ndryshe nga Bokova që ka drejtuar një fushatë aktive reklame për nominimin e saj që nga 2014, Georgieva nuk ka shprehur ambicie të tilla publikisht.
“Jam shumë e nderuar që më është përmendur emri por kam një punë që kërkon vëmendjen time të plotë dhe unë po e bëj. Filozofia ime në jetë është të bëj punën që kam” i tha ajo uebsajtit Politico në nëntor.
Duke marrë parasysh presionin në rritje në nivel kombëtar dhe ndërkomëbtar, duket e qartë se është koha që qeveria Bullgare të çojë përpara një kandidaturë.
“Çelësi i parë për një fushatë të suksesshme të këtij lloji është shpejtësia dhe në këtë drejtim, Bullgaria po vonohet. Përgjegjësia ndodhet te kryeministri, që duhet të ndërmarrë vendimin,” tha për BIRN Solomon Passy, një ish-ministër i jashtë bullgar dhe drejtues i OSBE.
Passy beson se Bullgaria ka ende shansin të bashkojë Europën Lindore në mbështetje të kandidates së saj dhe të fitojë postin kryesor të OKB.
“Por nëse e humbim këtë shans, mundësia është që Bullgaria të pengojë të gjithë Europën Lindore është e madhe”, tha ai.