Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj premtoi se do të anulojë tarifën e pastrimit për çdo tavolinë prej 2,500 lekësh në muaj pas negociatave me biznesin, ndërsa taksa e zënies së hapësirës publike mbetet në fuqi.
Bashkia e Tiranës u tërhoq pjesërisht të mërkurën nga tarifat e rritura për zënien e hapësirës publike dhe për pastrimin, të cilat qenë miratuar në Këshillin Bashkiak në kushtet e mungesës së transparencës më 30 dhjetor 2015. Bashkia tërhoqi njërën prej tarifave të reja, pas protestave të ashpra nga ana e tregtarëve të vegjël, të cilët e konsideruan paketën fiskale të vitit 2016 si të palogjikshme dhe përtej mundësisë paguese të tyre.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj deklaroi se kishte rënë dakord me protestuesit për heqjen e tarifës së pastrimit për çdo tavolinë, ndërsa premtoi se do të lehtësonte barrën e bizneseve që shtrihen përtej zonës komerciale të Tiranës.
“Bashkia ka nevojë për taksa,” tha Veliaj, duke iu referuar tarifave. “Duke qenë se ambicia jonë është për trotuare të pazëna, u vendos që mënyra e matjes të jetë për metër katror dhe jo për tavolinë,” shtoi ai.
Gjithsesi, ai premtoi se do të tërheqë tarifën e debatuar për “pastrimin për çdo tavolinë të vënë në mjedis publik”, e cila qe përcaktuar në masën 2,500 lekë në muaj.
Para se të hyjë në fuqi, tërheqja e bashkisë do të duhet të miratohet nga Këshilli Bashkiak.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në kushtet e mungesës së transparencës më 30 dhjetor 2015, një seri vendimesh të debatueshme, përfshirë edhe vendimin për taksat dhe tarifat vendore. Mes taksave dhe tarifave të miratuara në paketën fiskale vendore, dy tarifa shkaktuan zemërim mes pronarëve të kafeneve dhe restoranteve në Tiranë; tarifa për zënie hapësire publike dhe tarifa e pastrimit për çdo tavolinë.
Bizneset kanë paguar deri më sot një tarifë prej 150 lekësh për metër katror hapësirë të zënë publike për të gjithë territorin e bashkisë së Tiranës. (kliko këtu për të parë tarifat e mëparshme).
Por Këshilli Bashkiak në mbledhjen e 30 dhjetorit 2015, miratoi kërkesën e kryetarit Veliaj për të rritur këtë tarifë në 1500 lekë për zonën e qendrës së qytetit, në 750 lekë për zonën brenda Unazës së Vogël dhe në 400 lekë në muaj për pjesën periferike të qytetit. (kliko këtu për të parë vendimin e bashkisë).
Përveç tarifës së zënies së hapësirës publike, bashkia kishte vendosur edhe një tarifë tjetër prej 2,500 lekësh në muaj për pastrimin e çdo tavoline të vënë në ambient publik. Kjo tarifë nuk ekzistonte më parë.
Kombinimi i të dyja tarifave krijoi një situatë absurde për një numër të madh biznesesh, të cilat nuk disponojnë xhiro të mjaftueshme për të përballuar taksa kaq të larta.
Në një lokal lagjeje në zonën e ish-ekspozitës Shqipëria Sot, pronari tregoi një faturë për muajin janar me vlerë 43,500 lekë, ku shkruhej se bëhej fjalë për detyrime mujore për zënien e hapësirës publike dhe për “tarifë pastrimi” për çdo tavolinë. Fatura nuk jepte sqarime se për sa hapësirë bëhej fjalë dhe për sa tavolina.
Pronari, i cili, si shumë shqiptarë, kërkoi të fliste në kushtet e anonimatit nga frika e pasojave të mundshme, tha se me biznesin e tij aktual nuk qe në gjendje të paguante faturë kaq të lartë mujore. Më herët, ai pati paguar një tarifë prej 150 lekësh në muaj. (Kliko këtu për të parë vendimin e mëparshëm të Këshillit Bashkiak Tiranë).
Një lokal tjetër pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë kishte marrë një faturë detyrimi mujor prej 75 mijë lekësh, e përshkruar si “Detyrime dhe Tarifë Pastrimi”. “Kaq është qiraja mujore e një dyqani të konsiderueshëm në Tiranë, nuk ka logjikë që tarifa për zënien e trotuarit të jetë më e lartë”, tha pronari.
Shkalla e rritjes me të cilën u përballën pronarët e lokaleve dhe të njësive të tjera tregtare për “zënie hapësirash publike” dhe për “tarifë pastrimi për tavolinë”, varion nga lloji i biznesit, por ajo shkon në deri 50 herë rritje në krahasim me vitin e kaluar.
Një grup tregtarësh dolën në protestë në mënyrë të vazhdueshme para Bashkisë së Tiranës përgjatë javëve të fundit. Bashkia fillimisht rezistoi duke argumentuar pjesërisht se protestuesit ishin të organizuar nga opozita politike dhe pastaj me argumentin se te Blloku në qendër të Tiranës, paguhet një koktej deri në 800 lekë, duke sugjeruar se bizneset i kanë mundësitë të paguajnë tarifat e reja.
Veliaj, i cili deklaroi dje se ka arritur marrëveshje me përfaqësuesit e biznesit, nuk tha se me cilët përfaqësues biznesi qe takuar, por la të kuptohet se kishte refuzuar të bisedonte me ish-deputetin Nikollaq Neranxi, i cili është njëkohësisht biznesmen dhe që gjatë kohëve të fundit, ka organizuar nisma të ndryshme të tregtarëve kundër masave represive të qeverisë.
Sipas Veliajt, Neranxi nuk mund të flasë për biznesin e vogël, pasi ai vetë është biznes i madh.
Neranxi deklaroi në faqen e tij në Facebook se ka vendosur të përballet me Veliajn në procese gjyqësore kundër taksave të reja bashkiake që sipas tij, janë të pavlefshme ligjërisht.
Në deklaratën e sotme televizive, Veliaj pranoi mungesën e transparencës në imponimin e taksave të reja.
“Sigurisht që ka një sens që ne kemi pasur vonesë në zbardhjen e vendimeve si pasojë e burokracisë shtetërore”, tha ai.Si shenjë e tërheqjes, ai deklaroi se faturat e lëshuara deri tani te një pjesë e bizneseve, të cilat, shumica dërrmuese e bizneseve nuk ka pranuar t’i paguajë, do të konsiderohen të anuluara.
“Për janarin dhe shkurtin do të zbatojmë tarifat e vjetra”, tha Veliaj.
Tani është Këshilli Bashkiak ai që do të duhet të rishqyrtojë paketën fiskale të Bashkisë së Tiranës në mbledhjen e ardhëshme. Si një shenjë tjetër e pranimit të realitetit nga ana e bashkisë, Veliaj deklaroi se e kishte kuptuar që edhe në qendër të Tiranës, numri i bizneseve fitimprurëse të llojit të “Bllokut” është shumë i vogël, ndërsa nuk është e logjikshme që tarifat “e Bllokut” të rëndojnë edhe për një mori biznesesh të vogla familjare që shpesh mezi arrijnë të mbijetojnë. Ai premtoi se do të kufizojë më tej të ashtuquajturën Zona A, ku do të vendosen tarifat më të larta në pak rrugë në zemër të kryeqytetit.
“Zona A do të kufizohet vetëm te blloku, bulevardi kryesor dhe te rruga Mustafa Matohiti ndërsa të tjerat do të quhen zonë B,” deklaroi Veliaj.
Për pjesën tjetër, bashkia thotë se tarifa e re për zënien e hapësirës publike do të jetë 750 lekë për të gjitha bizneset që gjenden brenda Unazës së Vogël, ndërsa për zonën jashtë unazës, tarifa do të ulet në 400 lekë. Në krahasim me tarifat e një viti më parë, bizneset do të paguajnë 2.7 herë deri në 5 herë më shumë vetëm për pagesën e tarifës për zënien e hapësirës publike.
Bashkia e Tiranës ka qenë në qendër të kritikave për disa vendime të Këshillit Bashkiak të vendosur më 30 dhjetorin e kaluar, përfshirë vendimin për një koncesion te Parku Rinia, vendimin për rritjen e çmimit të biletës së tansportit urban në Tiranë si dhe vendimin për ndërtimin e një parku lojërash për fëmijë në parkun e qytetit pranë Liqenit Artificial.