Tablloidi proqeveritar Informer nisi një sulm të ri kundër medias së pavarur, duke e akuzuar publikimin investigativ KRIK se ka nisur një fushatë baltosjeje kundër kryeministrit Vuçiç.
Tablloidi proqeveritar Informer në Serbi akuzoi të enjten gazetarin e KRIK Stevan Dojcinovic se ka në plan të publikojë një artikull të pavërtetë kundër kryeministrit Aleksandar Vuçiç, ku Vuçiç pritet të akuzohet se ka fshehur asete me vlerë miliona euro.
Informer tha se KRIK kishte në plan të publikonte një artikull ku Vuçiç po fshihte pronësinë e aseteve të rëndësishme në Beograd përmes anëtarëve të familjes së tij.
Pretendimi i Informer bazohej nga një fotografi e shfokusuar e gazetarit kryesor të KRIK dhe detajeve të një artikulli investigativ ende të papublikuar.
Dojcinovic i tha BIRN se qe e qartë se dikush po i gjurmonte gazetarët si ai, për shkak se nuk kishte mënyrë tjetër se si Informer mund të kishte marrë një informacion të tillë.
“Pjesa më problematike është se Informer ka një lloj informacioni të tillë që mund të sigurohet vetëm përmes monitorimit të punës sonë,” tha ai. “Pyetja e vërtetë në Serbi sot është kush po i monitoron gazetarët,” shtoi Dojcinovic.
Informer ka sulmuar KRIK në të shkuarën, pasi ajo pati publikuar artikuj investigativë, por kjo është hera e parë që ajo po e bën para se artikulli të publikohet, vërejti ai. “Kjo është hera e parë që ata po sulmojnë paraprakisht, gjë që tregon shumë,” tha Dojcinovic.
Informer e vuri Dojcinovic në faqe të parë me titullin: “Mafia godet familjen Vuçiç” dhe me nëntitullin – “Ekskluzive: si shantazhuesit mediatikë-politikë dhe oligarkikë po planifikojnë të shkatërrojnë Shtetin”.
Informer sugjeroi se KRIK po sajonte një skandal në bashkëpunim me “trafikantët e drogës, kriminelët, policë të korruptuar por edhe agjentë të disa shërbimeve sekrete të huaja” në mënyrë që të detyrojnë Vuçiçin të heqi dorë nga pozicioni si kryeministër në qeverinë e ardhëshme.
Tablloidi pretendon se Andreë Sullivan, kreu i Projektit të Raportimit mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin nga Sarajeva, OÇRP, pjesë e të cilës është KRIK, po koordinon personalisht sulmet kundër kryeministrit.
Artikulli citon burime pa emër që thonë se Dojcinovic është “shok i ngushtë”.
“Stevan ka qenë duke këmbëngulur prej ca kohësh që ne – nuk ka rëndësi se si – të nxjerrim disa të palara mbi familjen e Vuçiçit. Dhe kur ne i themi se gjërat nuk janë ashtu siç i imagjinon ai, ai zemërohet dhe kërkon rezultate,” shkroi Informer duke pretenduar se këto fjalë ia ka dhënë një burim me njohuri nga ngjarja.
Pretendimet e tablloidit të siguruara përmes informacionit nga Geodetic Authority, RGA, thonë se KRIK ka dërguar kërkesa zyrtare për informacion mbi pronësinë e pesë apartamenteve në shkurt.
Dojcinovic thotë se RGA, për herë të parë, nuk deshi t’i jepte atyre informacionin që patën kërkuar.
“Kur ne pyetëm se jo, RGA u përgjigj duke thënë se “po prisnin instruksione’,” thotë Dojcinovic.
Dragan Vucicevic, redaktor i Informer, i tha BIRN se ai nuk do t’i tregojë burimet për artikullin e vet, duke mohuar që ky lloj shënjestrimi ndaj gazetarëve mund të rrezikojë sigurinë e tyre.
“Unë nuk ju tregoj juve burimet e mija. Mos mendoni se vetëm BIRN dhe KRIK kanë burime? Unë nuk tregoj asgjë… nuk mendoj se po rrezikoj jetën e ndokujt me këtë,” tha Vucicevic.
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, NUNS, të enjten dënoi atë që e cilësoi si “fushatë linçimi kryer nga Informer kundër publikimit KRIK.rs” dhe tha se akuzat në artikull me të vërtetë e vendosin Dojcinovic në rrezik.
NUNS i kërkoi Ministrisë së Brendshme të hetojë dhe të informojë publikun mbi pyetjen nëse informacioni i publikuar në artikullin e Informer vjen nga ndonjë institucion shtetëror.
Sulmet e Informer mbi KRIK janë bërë rutinë që kur këto gazetarë investigativë filluan të punojnë në prill 2015.
Në nëntor 2015, Informer publikoi një seri artikujsh që akuzonin KRIK, Qendrën për Gazetari Investigative, CINS dhe BIRN se po publikonin “gënjeshtra për të destabilizuar vendin.”
KRIK beson se këto sulme lidheshin drejtpërsëdrejti me publikimin e një investigimi mbi pronat që besohet se i përkasin kryebashkiakut të Beogradit Sinisa Mali dhe në rolin e tij në transferimin e tokave shtetërore për biznesin e familjes së tij.
Informer është cilësuar si zëdhënës i kryeministrit Vuçiç, për shkak të sulmeve të vazhdueshme dhe të ashpra mbi kundërshtarët dhe kritikët e kryeministrit.
Redaktori Vucicevic ka emisionin e vet televiziv në median proqeveritare PINK TV e cila e ka pasur Vuçiç si të ftuar në shumë raste.
Një rast tjetër që ngriti shqetësime mbi faktin nëse gazetarët po përgjohen ndodhi në 11 janar kur NUNS dorëzoi një kallëzim penal kundër Ministrit të Brendshëm Nebojsa Stefanovic, duke thënë se ai qe përgjegjës për përgjimin e presidentit të organizatësVukasin Obradovic.
Obradovic ngriti pyetje mbi faktin se si ministri dinte se ai kishte bërë një bisedë private me një oficer policie, i cili dorëzoi gjithashtu kallëzim penal kundër Stefanovic.