Videot e veprimeve të tyre ndaj emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin i kanë dhënë atyre kritika nga e gjithë bota, por në shtëpi “gjahtarët” e emigrantëve që patrullojnë kufirin bullgar me Turqinë po shijojnë famën prej superstari.
Hristo, Biser dhe Georgi, tre bullgarë të rinj nga qyteti bregdetar i Burgasit nuk ngjajnë si patrullë vullnetare për zbatimin e ligjit.
Është e vështirë t’i imagjinosh teksa bëhen pjesë me patrullat vetë-caktuara që janë bërë të njohura për “kapjen” e emigrantëve në kufirin bullgaro-turk.
Veshur thjesht dhe të ulur në një stol në kopshtin piktoresk të Burgas, ata nuk duken si të fortët me uniformë që shfaqen në video të shumta amatore duke patrulluar zonën kufitare.
Biser Roussimov, një 30-vjeçar promotor festash, është vazhdimisht në telefon, duke folur me media të ndryshme që duan t’i bashkohen formacionit për “ecjen” e kufirit nga Organizata për Mbrojtjen e Shtetasve Bullgarë, OPBC.
“Vëmendja e medias është e bezdisshme dhe rraskapitëse,” thotë Georgi Bratanov, 29 vjeç, pronar i një dyqani të vogël ushqimor, dhe shton se ata nuk kërkojnë popullaritet nga aktivitetet e tyre.
“Jemi të bashkuar nga patriotizmi dhe nga ideja e ndihmës së shoqërisë,” tha Roussimov për BIRN.
“Patriotizmi” është fjala kyçe që grupet ultra-nacionaliste përdorin për të justifikuar “gjuetinë” e tyre për migrantët në kufirin me Turqinë.
Pavarësisht traditës së gjatë bullgare për bashkëjetesën paqësore mes shumicës së krishterë ortodokse dhe minoritetit mysliman, që përbën mbi 13 për qind të popullatës, sjelljet raciste dhe anti-myslimane janë shtuar në vitet e fundit.
Sulmet terroriste islamike në Europë në vitin 2015 dhe 2016, si dhe kriza e vazhdueshme e refugjatëve, kanë krijuar hapësirë për retorikën ultra-nacionaliste, që shinjestron pakicat myslimane dhe rome, anëtarësimin e Bullgarisë në BE dhe NATO dhe ideologjinë politike liberale.
Tre grupe të tjera që mbikëqyrin rregullisht pyjet e malit Strandzha, në juglindje të Bullgarisë duke kërkuar për refugjatë, gjithashtu u bënë të njohur për publikun kohët e fundit.
Ato janë “Unioni Ushtarak Bullgar Vassil Levski”, “Rezistenca Kombëtare Bullgare – Shipka” dhe “Skuadroni Civil për Mbrojtjen e Grave dhe Besimit” i Petar Nizamovit, njohur ndryshe me pseudonimin “Perata”.
Ndërsa disa grupe janë haptazi kundër BE-së dhe NATO-s dhe të tjerë si Unioni Ushtarak, janë pro-rusë, të gjithë ndajnë pikëpamjen anti-establishment, anti-myslimanë dhe anti-turke.
Radoslav Sotirov, kreu i Policisë Kufitare në Elhovo, përgjegjës për kufirin jugor bullgar, thotë se “gjuetarët” vigjilentë të migrantëve janë një fenomen i ri, të cilin autoritetet kanë vëzhguar gjatë muajve të fundit.
Ai i tha BIRN se patrullat janë të vogla dhe zakonisht përbëhen nga të njëjtit njerëz, shpesh me një sfond kriminal.
“Ne kemi raste të njerëzve që thonë se po shkrojnë për “gjueti” emigrantësh. Vetëm kafshët mund të gjuhen. Thënia tjetër është anti-njerëzore, as që di si ta quaj”, tha ai për BIRN.
Sotirov vuri në dukje se formacione të tilla vullnetare nuk janë të lejuara me ligj.
Ai tha se ishte herët për të përcaktuar arsyet për formimin e skuadrave të tilla, edhe pse ato mund të jenë të lidhur me shtimin e zemërimit të publikut për kalimet e paligjshme.
Patrullat vigjilente duket se nuk i tremben opinionit publik. Duke fajësuar autoritetet për dështimin në mbrojtjen e kufijve prej emigrantëve të paligjshëm, ata kanë fituar popullaritet për marrjen e ligjit në duart e tyre.
Një shëtitje me nënën natyrë
Sipas faqes së saj, OPBC është një organizatë jo-fitimprurëse e themeluar në vjeshtën e vitit 2015 nga “bullgarë të rinj dhe ambiciozë të bashkuar rreth idesë së përparimit shoqëror, ekonomik dhe moral të kombit bullgar”. Ajo ka vetëm rreth 50 anëtarë aktivë dhe 300 mbështetës.
Edhe pse grupi me qendër në Burgas organizon aktivitete të ndryshme, si ngjarjet sportive dhe veprimet e bamirësisë, ai fitoi famë pasi anëtarët grupit ndaluan 23 emigrantë afganë – 18 burra, dy gra dhe tre fëmijë – në afërsi të fshatit juglindor Bliznak dhe i dorëzuan ata në polici. Veprimi u transmetua në TV nga programi “Toka e Askujt”.
OPBC mohon organizimin e patrullave kufitare, edhe pse anëtarët e saj janë filmuar disa herë duke kërkuar nëpër pyjet në afërsi të kufirit turk në rroba ushtarake. Pavarësisht nga uniformat, anëtarët e saj e quajnë këtë veprim “ecje” gjatë të cilës ata “kombinojnë detyrën me kënaqësinë”.
“Ne shkojmë në pyll për një shëtitje, jo për të arrestuar emigrantët,” tha për BIRN Hristo Atanasov, kreu i OPBC.
“Ne po planifikojmë të shpërndahemi në të gjithë territorin e Bullgarisë dhe të zgjojmë një ndjenjë patriotike te çdo qytetar”, tha Biser Roussimov, i cili koordinon “shëtitjen”.
Që nga krijimi, organizata e ka vizituar zonën kufitare mbi 20 herë.
Ajo ka ndaluar emigrantë dy herë, një herë në shtator 2015, kur u has me një grup prej 27 personash dhe herën e dytë në fillim të prillit, kur u njoh në mbarë botën për kapjen e 23 afganëve.
“Nuk kemi prekur askënd. Vetëm u kërkuam atyre të ndalonin dhe ata vepruan ashtu menjëherë. Pastaj telefonuam autoritetet”, shpjegoi Atanasov.
Ai tha se ekipi i tij vepron në koordinim me autoritetet. OPBC ka takuar edhe drejtuesit e policisë kufitare në Elhovo me qëllim të formalizimit të një partneriteti edhe pse policia u ka thënë atyre se kjo nuk është ligjërisht e mundur.
“Ne bashkëpunojmë në mënyrë joformale në bazë të marrëveshjeve verbale”, tha Roussimov.
Të tre anëtarët e OPBC që BIRN takoi i shohin refugjatët si një kërcënim për sigurinë kombëtare të Bullgarisë dhe besojnë se duhet ndërtuar një mur përgjatë gjithë kufirit jugor.
Ata mendojnë se kriza e migrimit është pjesë e një plani për kolonizimin e myslimanëve në Europës.
“Qëllimi i myslimanëve ka qenë gjithmonë shkatërrimi i botës së krishterë. Këtë herë, qëllimi është Europa,” tha Georgi Bratanov.
Roussimov kupton se popullariteti i OPBC e bën atë një “tërheqës” për politikanët.
Por organizata mohon të ketë lidhje me ndonjë parti politike, të cilat sipas ojq-së e kanë “përdhosur fjalën patriotizëm.
Më 19 shkurt, OPBC mbajti një marshim të përbashkët me pishtarë me partinë nacionaliste VMRO, por ata e shohin këtë si një iniciativë të përbashkët, dhe jo si një akt formal të bashkëpunimit.
Grupi ka vënë kufij edhe midis vetes dhe grupeve të tjera hakmarrëse që kanë fituar popullaritet gjatë muajve të fundit.
Një botim në faqen e saj, megjithatë thotë se OPBC organizoi një “forum të përbashkët patriotik” në shkurt me 20 organizata të ndryshme qytetare.
Mes tyre ishin “Bashkimi Ushtarak Bullgar Vassil Levski” dhe “Rezistenca Kombëtare Bullgare– Shipka”, që gjithashtu pranojnë të kenë organizuar patrulla kufitare dhe të kenë mbledhur fonde për formimin e një batalioni paraushtarak për të shpëtuar Bullgarinë “nga batakçinjtë e ISIS dhe për ta çliruar nga tradhtarët e vendit”.
Ushtarë të vjetër në një ushtri të re
“Bashkimi Ushtarak Bullgar Vassil Levski” dhe “Rezistenca Kombëtare Bullgare– Shipka, të bashkuar nën organizatën ombrellë “Komiteti për Shpëtimin Kombëtar– Vassil Levski”, janë formacione ultra-nationaliste të regjistruara në qytetin verilindor të Varnas.
Sipas zëdhënësit të Komitetit, Vladimir Roussev, organizata e tij është krijuar disa vite më parë për të bërë bashkë “ish-policët dhe punonjësit e ushtrisë dhe ata aktualë” dhe ka rreth 26,000 anëtarë.
Më 19 prill, policia hoqi nga puna disa prej drejtuesve të saj në Varna, pasi faqeja e internetit të organizatës tha se ishte duke organizuar një rezistencë kombëtare më 20 prill, një datë që shënon 140-vjetorin e kryengritjes bullgare kundër osmanëve në 1876 dhe foli haptas për të rrëzim të qeverisë.
Mediat kanë raportuar se Roussev fshihet pas emrit Valter Kallashnikov në Facebook. Sipas disa raporteve, ai ishte vullnetar me luftëtarët separatistë pro-rusë në Ukrainë.
Roussev tha për BIRN se profili i Kallashnikovit përdoret nga 20 deri në 30 njerëz, të cilët kanë qasje në të. Ai nuk e ka konfirmuar apo mohuar pjesëmarrjen me forcat separatiste anti-ukrainase, duke thënë: “Nuk ka asgjë të turpshme në të qenit një vullnetar në Ukrainë, ndryshe nga të qenit një mercenar”.
“U bëj thirrje të gjithë policëve kufitarë të marrin të gjitha masat për të mbyllur plotësisht kufirin. Ne jemi të gatshëm të patrullojmë së bashku me ta”, tha Roussev në një takim proteste të mbajtur në solidaritet arrestimin e gjahtarit vigjilent të migrantëve, Petar Nizamov, në Burgas më 13 prill.
I veshur me uniformë ushtarake me spaletat e organizatës së tij, ai u brohorit nga disa dhjetëra njerëz që mbanin flamuj bullgarë dhe që brohorisnin, “Bullgaria për bullgarët!”, “Perata [pseudonimi i Nizamov] – Hero” dhe “Rroftë Bulgaria!”
“Jini të gatshëm të ngriheni për të luftuar për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin tuaj. Beteja po afrohet!” i tha ish-ushtari turmës.
Roussev dhe njerëzit e tij nuk e mohojnë që kanë çuar patrulla në kufi me Turqinë dhe thonë se ata bashkëpunojnë me policë që kanë besim duke u dorëzuar atyre emigrantë dhe kontrabandistë.
“Ne nuk mund të lejojmë që njerëzit që janë vrasësi dhe terroristë të hyjnë brenda,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë pranuan se nuk kishin takuar kurrë asnjë azilkërkues dhe nuk njohin njerëz që kanë pasur probleme me emigrantët.
“A duhet të hasim probele për të shprehur qëndrimin tonë qytetar?”pyeti ai në mënyrë retorike.
Mbrojtës të grave dhe besimit
Grupi informal “Skuadroni Civil për Mbrojtjen e Grave dhe Besimit”, që publikoi një video të tre afganëve të “kapur”, të shtirë në tokë me duart e lidhur rripa plastike – që provokoi zemërim ndërkombëtar – gjithashtu po fiton popullaritet. Ka rreth 11,000 anëtarë të të gjitha moshave që mbështesin patrullat kufitare vigjilente.
Në arrest shtëpie që prej 15 prillit, Nizamov poston në mënyrë aktive informacion në një grup nën emrin Joseph Louis Burroë [sipas boksierit të njohur afro-amerikan Jo Jeëis].
Më pak informata mund të gjenden për Skuadronet Civile, për shkak të karakterit të tyre informal, por BIRN mësoi se grupi ka organizuar protesta të rregullta anti-myslimane në qytetin Burgas, vendlindja e Nizamov, gjatë muajve të fundit.
Ai mund të shihet edhe në videot e patrullave të përbashkëta kufitare me Dinko Valev, i pari bullgar “gjahtar” i migrantëve, i cili u bë i njohur edhe ndërkombëtarisht në muajin shkurt.
Në mesin e protestuesve të cilët erdhën për të shprehur solidaritetin me Petar Nizamov më 13 prill ishte edhe një grup të rinjsh me tatuazhe të cilët i kishin fshehur fytyrat pas posterave dhe kapuçëve.
Fillimisht, ata pranuan se e njihnin Nizamovin, por pasi u morën më shumë në pyetje rreth lidhjeve të tyre me të, i kërkuan korrespondenit të BIRN të largohej.
“Unë nuk flas me policët dhe gazetarët. Ju jeni të gjithë njëlloj dhe duheni fajësuar për të kaluarën time”, tha një anëtar i grupit për BIRN.
Ai mund të ketë qenë duke iu referuar penale bandës kriminale “Rizhite” [“kuqalashët”], që ishte aktive në Burgas deri në vitin 2009 kur një nga udhëheqësit e saj, Kaloyan Stoyanchov, u qëllua për vdekje. Vëllai i tij, Simeoni Stoyanchov, është duke vuajtur dënimin me burg për disa krime.
Petar Nizamov, i njohur edhe me nofkën “Perata” , ishte dora e tyre e djathtë.
Ai ka një sfond kriminal të shumëllojshëm, përfshirë tre dënime gjyqësore, asnjë nga të cilave nuk çoi në dënimin e tij me burg, zbuloi prokuroria e shtetit gjatë seancës së tij gjyqësore në qytetin jugor të Malko Tarnovo më 15 prill.
Nizamov i tha gjykatësit se kishte aplikuar për falje në vitin 2014 dhe pretendoi se dosja e tij penale ishte e pastër.
Ndërkohë, ai ka filluar punën për imazhin e tij të ri. Ai u regjistrua në fakultetin juridik në Burgas, dhe sipas motrës së tij, është duke planifikuar për marrë një diplomë doktorature në Sofje.
BIRN ka mësuar se Nizamov është duke punuar për Burgas Les Trading LTD, një kompani tregtare druri e regjistruar në emër të nënës së tij, Elena Nizamova.
Njerëzit të cilët kanë vuajtur nga sulmet e ish-bandës së tij, të cilët folën në mënyrë anonime, i thanë BIRN se Nizamov po përpiqet të shkëputet nga e kaluara e tij kriminale duke ndërtuar imazhin e një patrioti.
“Askush nuk e njeh atë si një person të mirë. Por propaganda në Facebook është një punë e madhe”, tha një nga “viktimat” e tij.
“Problemi është se njerëzit kanë kujtesë të shkurtër dhe tani disa nga 15-16 –vjeçarët e admirojnë atë. Ata ndoshta mendojnë se ai është si një superstar,” shtoi ai.
BIRN kërkoi që Nizamov t’i përgjigjej akuzave, por nuk ka marrë përgjigje në kohën e publikimit.
Pasi OPBC e ka bërë të qartë se nuk do të ketë lidhje me skuadrat e tij, ai e akuzoi atë për mbështetjen “të afganëve” dhe për lidhje me Frontin Patriotik, një parti e ekstremit të djathtë në parlament. “Vdekje tradhtarëve”, paralajmëroi kundërshtarët e tij Nizamov.
Goditje ndaj dështimit shtetëror
Tanyo Atanasov, avokati rajonal i popullit për Burgasiin, beson se patrullat kufitare civile janë rezultat i dështimit të sistemit shtetëror dhe mungesës së besimit në institucione.
“Për shkak të mungesës së qeverisjes adekuate, njerëzit kanë filluar të kryejnë funksionin e kontrollit të kufijve shtetërorë… por mënyra se si ata po trajtojnë emigrantët tani, mund të jetë mënyra si do të na trajojnë juve dhe mua nesër? Kushedi…” tha ai.
Ai dënoi mbështetjen fillestare që vullnetarët morën nga autoritetet publike duke e cilësuar si “të rrezikshme” dhe si një pranim të faktit se shteti është duke iu përshtatur ligjin bandave.
“Kjo është shuplaka më e fortë në fytyrë që shteti ka marrë në shoqëri”, tha për BIRN Atanasov.