Rumania u rendit në vendin e fundit në të gjithë Europën për aftësitë e saj dixhitale, ndërsa ekspertët besojnë se kjo penalizon të rinjtë të sigurojnë një vend pune.
Indeksi i Komisionit Europian për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale, DESI, e renditi Rumaninë në vendin e 28 nga 28 shtete për nga zhvillimi dhe aftësitë dixhitale.
Vetëm 8 për qind e rumunëve kanë aftësitë dixhitale për t’u përballur me një mjedis pune konkurrues, ndërsa 16 për qind kanë vetëm dijet bazike, thotë indeksi.
Në të njëjtën kohë, 43 për qind e rumunëve nuk kanë asnjë aftësi dixhitale, shumë larg mesatares europiane prej 25 për qind në vendet e reja anëtare të BE-së dhe mesatares prej 14 për qind në pjesën tjetër.
Specialistët fajësojnë për situatën dallimet mes pjesëve rurale dhe urbane të Rumanisë, si dhe shkallën e lartë të varfërisë.
“Kjo situatë është shkaktuar nga një ndarje e fortë sociale … dhe një ndasi urban-rural”, deklaron një strategji e qeverisë në lidhje me zhvillimin dixhital të shtetit.
Nga ana tjetër, raporti DESI tregon se 72 për qind e familjeve të Rumanisë kanë qasje në lidhje të shpejtë interneti në mbi 30Mbps, e cila është më e lartë se mesatarja prej 71 për qind e BE-së.
“Ne jemi në një pozitë të madhe në aspektin e shpejtësisë së internetit, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ekziston një Romani e teknologjisë së lartë, sidomos në qytetet e mëdha, dhe një tjetër Rumani, e cila ka mbetur shumë mbrapa”, tha menaxher i Google për Rumaninë Dan Bulucea.
Në këtë kontekst, Google Rumania të martën filloi programin Atelierul Digital [Trajnimi Dixhital], një platformë online që ka për qëllim rritjen e mësimit dixhital për të paktën 30.000 studentë në mbarë vendin, që do të kenë qasje në kurse videosh falas për një varg temash.
Sipas një deklarate të Google, hendeku i aftësive dixhitale është një nga sfidat më të mëdha në BE në përgjithësi.
Komisioni Europian vlerëson se 47 për qind e popullsisë së BE-së nuk ka aftësitë e duhura digjitale, ndërsa në të ardhmen e afërt rreth 90 për qind e vendeve të punës do të kërkojë nivel të aftësive dixhitale.
Ekzekutivi Europian gjithashtu vlerëson se 825,000 e vendeve të punës do të mbeten bosh deri në vitin 2020 për shkak të këtij hendekut të aftësive.