Ish-gjyqtarja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare Ekaterina Trendafilova është emëruar kryetare e Gjykatës së re Speciale me bazë në Hagë, e ngritur për të gjykuar ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ekaterina Trendafilova, një avokate bullgare dhe akademike që la qenë gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare nga viti 2009 deri në vitin 2015, u emërua të mërkurën si kryetare e Dhomave Speciale të Kosovës, gjykata e re me bazë në Hagë që do të ndjekë penalisht ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1990.
Trendafilova tha në një deklaratë se ajo u ndje “e privilegjuar” që ishte emëruar për atë post.
“E njoh përgjegjësinë e madhe dhe do të sigurohem që Dhomat Speciale të zbatojnë praktikat më të mira gjyqësore dhe të japin drejtësi të saktë dhe të paanshme për ata që nxirren para saj, si edhe për viktimat e krimeve që dyshohet se kryen,” tha ajo.
“Synoj ta përmbush këtë mision në mënyrë të pavarur, me vendosmëri, energji dhe me më të mirën e aftësive të mia. Është tepër e rëndësishme që të vëmë në zbatim mandatin tonë në mënyrë efikase, profesionale dhe të sigurt,” shtoi ajo.
Trendafilova, të cilës i është dhënë një mandat katër vjeçar për këtë detyrë që do të nisë në janar, do të jetë përgjegjëse për administratën gjyqësore të Dhomave Speciale dhe do të shërbejë gjithashtu si kryetare në panelin e saj të gjykatës së lartë.
Në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Trendafilova ishte kryetare e grupit para-gjyqësor në çështjet nga Uganda, Republika e Afrikës Qendrore, Kenia, Republika Demokratike e Kongos, Sudani, Bregu i Fildishtë dhe Mali.
Nga janari, “marrëveshja e vendit mikpritës” midis Holandës dhe Kosovës, e cila siguron bazën ligjore që Dhomat Speciale të kryejnë procedura penale në Holandë, do të hyjë në fuqi.
Figura të larta të UÇK-së pritet të ndiqen penalisht për krime të dyshuara se janë kryer gjatë dhe pas luftës me forcat serbe, edhe pse aktakuzat e para priten ende.
Gjykata e re do të dëgjojë çështje që vijnë nga një raport i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së në vitin 2014, i cili tha se luftëtarë të papërcaktuar të UÇK-së do të përballeshin me padi për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohej se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit.
Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.
Gjykata do të ketë staf ndërkombëtar, por do të veprojë sipas ligjit të Kosovës.