Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-gjyqtarin e gjykatës së Tiranës, i cili akuzohej se kishte përfituar 600 mijë lekë rryshfet për një vendim gjyqësor. Djali i tij dënohet për moskallëzim krimi.
Ibrahim Hoxha, ish-gjyqtar i Gjykatës së Tiranës u shpall fajtor për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe u dënua me 3 vjet burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Hoxha do të vuajë vetëm 2 vjet nga dënimi i tij.
Vendimi u shpall të premten nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas një procesi 6-mujor ku gjyqtari u akuzua se kishte përfituar 600 mijë lekë rryshfet. Ai u arrestua më 3 maj të vitit 2016 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me të birin, Ledjon Hoxha dhe u akuzua për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e cila parashikon dënime nga 3 deri në 10 vjet burg.
Krahas dënimit me burg, prokuroria kërkoi që Hoxha të mos ushtrojë asnjë funksion publik për tre vite, kërkesë e cila u miratua nga gjykata. Ndërsa për djalin e tij, Ledjon Hoxha, gjykata vendosi dënimin 4 muaj burg dhe 20 muaj shërbim prove për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.
Para se të akuzohej për korrupsion, Ibrahim Hoxha ka qenë më herët subjekt i inspektimeve për dhënie vendimesh në shkelje të rregullave procedurale. Në dhjetor 2013, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i kërkoi KLD-së shkarkimin e tij nga detyra, në lidhje me një vendim të Hoxhës për moslejimin e ekstradimit drejt Italisë së Paro Laçit, një ish-aksioner i skuadrës së futbollit Partizani, i kërkuar asokohe nga drejtësia italiane. Kërkesa e Naços për shkarkimin e tij nuk u miratua në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.