“Liderët në industrinë teknologjike duhet të punojnë urgjentisht për të rigjallëruar progresin drejt barazisë gjinore, ndërsa garantojnë mjedise të përshtatshme për forcën punëtore femërore”, shkruan drejtuesja e Booking.com Gillian Tans.
Unë jam një grua dhe jam krenare të them se punoj në teknologji. Por e kuptoj se kombinimi i këtyre dy fakteve më bën të jem pjesë e një pakice.
Sipas raportit më të fundit të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror, progresi ndaj barazisë gjinore ra vitin e shkuar. Për herë të parë që nga viti 2006, kur u lançua studimi i parë vjetor i punësimit, përqindja e grave që punojnë në shumicën e industrive “u përmbys”. Rrëshqitja qe veçanërisht akute për gratë në zhvillimin e softuerëve dhe teknologjisë.
Teknologjia është një nxitës kyç i ndryshimit social dhe ekonomik dhe kudo në botë, gratë si unë po transformojnë bizneset, industritë dhe komunitetet. Për fat të keq, pjesa jonë mbetet një fraksion i vogël i forcës punëtore në total. Jo vetëm që na duhen më shumë gra në sektorin e teknologjisë; por qartazi na duhet të ripërqendrojmë energjinë tonë për të përmirësuar barazinë gjinore në ekonominë globale.
Mes shumë arsyeve për ta marrë këtë seriozisht është njëra që çdo drejtues duhet ta kuptojë: punësimi i grave është gjë e mirë për biznesin. Në vitin 2013, Komisioni Europian vlerësoi se 9 miliardë euro mund t’i shtoheshin PBB së Bashkimit Europian nëse barazia gjinore do të arrihej në kompanitë teknologjike. Po ashtu, një raport i vitit 2014 nga Credit Suisse zbuloi se firmat me diversitet më të madh gjinor në bordet e drejtimit performonin më mirë në bursë, me vlerësime dhe dividentë më të mëdhenj.
Akoma megjithatë, pavarësisht logjikës ekonomike për barazi gjinore, gratë mbetet të nën-përfaqësuara në firmat teknologjike. Kudo në BE, për shembull, mes grave të moshës 30-vjeçare që diplomohen në teknologji informacioni dhe komunikimi (TIK), vetëm 20% vazhdojnë të punojnë në atë fushë. Në moshën 45-vjeçare, vetëm 9% mbeten. Në këtë aspekt, TIK po bie në të njëjtat kurthe të vjetra, teksa industritë tradicionale, dështojnë vazhdimisht të krijojnë një mjedis ku gratë mund të lulëzojnë.
Për të adresuar këtë mungesë balance gjinore, është e domosdoshme që organizatat të krijojnë mjedise që inkurajojnë diversitetin në të gjitha nivelet. Ekzekutivët duhet të kërkojnë të ndërtojnë biznese ku gratë duan të punojnë, që do të thotë, së pari dhe më e rëndësishmja, të zbatohen politika punësimi jo-diskriminuese dhe paketa përfitimesh dhe heqje të pengesave që gratë përballojnë në punë.
Por kjo gjithashtu nënkupton krijimin e një strukture dhe kulture kujdesi dhe besimi ku gratë mund të shquhen, ku idetë mund të vijnë nga kudo dhe të vlerësohen. Për fat të keq, shumë pak kompani përqendrohen në këtë fushë.
Është një perceptim i gabuar mes atyre që kërkojnë punë se mundësitë për gratë në teknologji ekzistojnë vetëm për ato që kanë eksperiencë në kodim dhe inxhinieri. Sigurisht, firmat e teknologjisë kanë nevojë për gra me këto aftësi, por ato gjithashtu kanë nevojë për gra me ekspertizë në fusha të tjera, si marketingu dhe financa. Dhe, për shkak se pasja e më shumë grave në role jo-teknologjike mund të nxisë angazhimin e grave në të gjithë kompaninë, liderët e korporatave duhet të sigurohen që diversiteti të shtrihet përtej aspektit funksional.
Një nga komentet që dëgjoj më shumë nga gratë që janë hezituese për të hyrë në sektorin teknologjik është se industrisë i mungojnë modelët frymëzues të qartë. Si një lidere teknologjike, një nga përgjegjësitë e mia është të ndaj historinë dhe mbështetjen time, për fuqizimin e të tjerave dhe për të siguruar se gratë e talentuara ta shohin industrinë si një mundësi tërheqëse.
Një mënyrë si po e bën kompania ime këtë është përmes iniciativave teknologjike vetëm femërore, përfshirë një çmim të ri që vlerëson gratë e suksesshme në këtë fushë. Synimi i Çmimeve të Personazheve të Teknologjisë është të fuqizojë talentin femëror dhe të pozicionojë gratë për të çuar përpara industrinë.
Kompania ime gjithashtu është bërë partnere e Universitetit të Oksfordit dhe Universitetit të Teknologjisë Delft për të krijuar programe bursash për gratë në teknologji; duke krijuar mundësi mentori për gratë në teknologji dhe duke mbështetur programe të trajnimit për aftësitë dixhitale në Europë.
Booking.com nuk është vetëm; shumë kompani të tjera në sektorin teknologjik po marrin veprime të ngjashme. Lidershipi dhe burimet njerëzore të Accenture së fundmi lajmëruan se deri në vitin 2025, forca punëtore e kompanisë do të jetë 50% femra. Dhe kompania amerikane e programimit cloud Salesforce së fundmi lançoi një program “nënat në teknologji” për të sjellë më shumë mama që punojnë në industri.
Hapa të mëdhenj po bëhen për të mbyllur hendekun gjinor në sektorin e teknologjisë, por si me shumë industri të tjera, barazia ka një rrugë të gjatë. Liderët nga kudo në këtë sektor duhet të bashkohen për të mbështetur gjithëpërfshirjen. Vetëm kur ta bëjmë këtë gjë, organizatat tona do të mund të tërheqin dhe mbajnë talentin kryesor femëror, një trend që do të sjellë përfitime në të gjitha hallkat e industrisë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Closing the Tech Sector’s Gender Gap