Pas debateve të shumta politike mbi ekstradimin në Itali të Nezar Seitit, i akuzuar në Katania të Sicilisë si anëtar i bandës së Habilajve në trafikimin e lëndëve narkotike, Këshilli i Lartë i Drejtësisë njoftoi se gjykon se “ka vend për fillimin e hetimit disiplinor” për gjyqtarin Kastriot Gramshi.
Nezar Seitaj u arrestua në 20 tetorin e vitit të kaluar pasi një hetim i autoriteteve italiane e identifikoi atë si pjesëtar të organizatës kriminale të udhëhequr nga vëllezërit Habilaj, përgjegjës për eksportimin e disa tonelatave me marijuanë në drejtim të Italisë. Por paralelisht me drejtësinë Italiane, drejtësia shqiptare hapi hetime për të njëjtin grup kriminal, të cilit iu sekuestruan në Babicë të Vogël të Vlorës 4.5 tonë marijuanë. Vetë Seitaj deklaroi para gjykatës se parapëlqente të ekstradohej në Itali për t’u përballur me akuzat, por legjislacioni shqiptar thotë se ai duhej të përballej fillimisht me drejtësinë në Shqipëri për hetimet e nisura nga prokuroria shqiptare. Seitaj u ekstradua pak ditë më parë pasi Gjykata e Tiranës pati vendosur për ekstradimin dhjetorin e kaluar dhe vendimi duket se hyri në fuqi pa u apeluar.
Ekstradimi i Seitajt shkaktoi menjëherë një debat politik, ku Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim argumentuan se largimi i tij nga Shqipëria po bëhet me synimin për të penguar hetimin në Shqipëri, ku nën hetim gjendet edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Lëvizja e fundit erdhi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili drejtohet nga Presidenti Ilir Meta. Sipas një njoftimi të KLD-së, ky institucion ka vendosur të nisë hetim disiplinor ndaj gjyqtarit Kastriot Gramshi, i cili dha vendimin për ekstradimin e Seitajt dhjetorin e kaluar.
“KLD njofton opinionin publik se nga shqyrtimi paraprak i ngjarjes, konstatohet se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për të verifikuar dyshimet e arsyeshme të ngritura në media dhe në opinionin publik për shkelje në procedurat gjyqësore të ekstradimit dhe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë,” deklaroi KLD në një njoftim për shtyp. Sipas KLD-së, kodi i procedurës penale në nenin 491 pika ç, ndalon ekstradimin e një personi në rast se ai “ka kryer një vepër penale në Shqipëri” si dhe nenin 498 pika 2, i cili autorizon gjykatën të mos kryejë ekstradimin në këto raste.
E përballur me akuzat, Ministria e Drejtësisë deklaroi javën e kaluar se Seitaj “është arrestuar për llogari të drejtësisë Italiane” dhe se është ekstraduar pasi gjykata e Tiranës ka argumentuar “se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në përputhje me parashikimet ligjore të brendshme dhe ato ndërkombëtare”.
Të martën, Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi përmes zëvendëskryetarit Luan Rama duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme si dhe të ministres së Drejtësisë.
“Në kushte normale, të një vendi normal, të një qeverisje normale, edhe Prokurori I Përgjithshëm, edhe Ministri i Drejtësisë, më e pakta do të kishin dhënë dorëheqjen,” deklaroi Rama.
Por Partia Demokratike, iu përgjigj të mërkurën se Seitaj nuk mund të ekstradohej sepse ishte arrestuar për llogari të hetimit shqiptar. Deputeti Enkelejd Alibeaj publikoi një dokument për të cilin tha se është procesverbali i ndalimit të Seitajt. Dokumenti shkruan se Seitaj është arrestuar për llogari të procedimit penal 134 të vitit 2016, 164 të vitit 2017 dhe 313 të vitit 2017. BIRN nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur dokumentin e publikuar nga Alibeaj.
Ky është procedimi penal në bazë të së cilit, prokuroria kërkoi në kuvend arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Organizata kriminale e Habilajve u godit nga autoritetet italiane tetorin e kaluar. Dokumenti i kërkimit të urdhërarresteve në Gjykatën e Katanias zbuloi katër vjet përgjime, ku përmendej mes shumë gjërave edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Ky i fundit deklarohet i pafajshëm. Zbulimi i organizatës në Itali shkaktoi debate të shumta politike në Shqipëri si dhe ekspozoi një bashkëpunim në nivele të larta të strukturave policore të Vlorës me organizatën e trafikut të narkotikëve. Disa punonjës policie janë shpallur në kërkim në lidhje me hetimet për këtë grup.