Gjykata e Kukësit pranoi në fund të vitit 2017 kërkesën e prokurorisë për të pushuar hetimet ndaj dy ish-drejtorëve dhe ish-financierit të aeroportit të Kukësit të cilët akuzoheshin për “shpërdorim detyre” në punësimin fiktiv të rreth 40 punonjësve, ndërkohë Autoriteti i Aviacionit Civil i tha BIRN se numri i të punësuarve tani ishte reduktuar në 10, me 1 vend të mbetur vakant.
Pak javë pasi pati kërkuar pranë gjykatës tëheqjen e dosjes për hetime më të thelluara, mbi atë që u konsiderua si “skandali i punësimit fiktive” të rreth 40 personave në aeroportin e Kukësit, prokuroria e këtij rrethi i kërkoi gjykatës në nëntor 2017 pushimin e çështjes ndaj dy ish-drejtorëve dhe financierit të aeroportit të qytetit verior të Kukësit.
Në vendimin e dhjetorit 2017 gjykata thotë se prokuroria nuk gjeti prova të “shpërdorimit të detyrës” dhe se kërkoi pushimin e procedimit penal ndaj dy ish-drejtorëve Agron Xhafa e Arben Carkanjit dhe po ashtu edhe ndaj financierit Faredin Noka. Gjykata thotë se pas shqyrtimit të dosjes doli në përfundimin se “fakti nuk parashikohet nga ligji” dhe se çështja ishte administrative dhe jo penale.
Si bazë të vendimit për pushimin e çështjes gjykata citon, pa dhënë datë dhe referencë të qartë, Vendimin e Këshillit të Ministrave 811, i cili sipas vendimit përmbante “një plan strategjik për hapjen e aeroportit të qytetit të Kukesit”.
Megjithatë BIRN gjeti, se kjo VKM e publikuar në fletoren zyrtare 230 të vitit 2016 “Për miratimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe planit të veprimit 2016 – 2020”, ishte më shumë një listë evazive “dëshirash”, ndërsa flet për hapjen e aeroportit dhe në të njëjtën fjali edhe për moshapjen e tij.
“Të merren vendime politikash për fushëveprimin e zbatimit të punimeve civile dhe pajisjeve të shërbimit ose të mos merret asnjë vendim për asnjë zhvillim të aeroporit të Kukësit, në pritje të Master-Planit”, thuhet ndër të tjera në faqen e cila mban numrin 24058.
Po kaq i paqartë është edhe sqarimi i Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), i cili për ndryshe nga gjykata në përgjigje të një kërkese për informacion të BIRN, deklaroi se punësimet ishin bërë me dy vendime të Këshillit Drejtues të tij, i cili po ashtu planifikonte vendosjen në punë të aeroportit në fjalë, por edhe “aeroporteve të tjerë në mbarë vendin”, megjithëse nuk ka asnjë të tillë që pret hapjen. Ndërkohë përkundër këtij pretendimi se do të kishte ndonjë hapje të shpejtë të aeroportit, në të njëtën përgjigje AAC i bën me dije BIRN se tashmë numri i të punësuarve ishte reduktuar sërish në 11.
Një nga mbrojtësit e të akuzuarve i tha BIRN në një bisedë telefonike se ata ishin të kënaqur me pushimin e dosjes dhe kjo ishte ajo që ata kishin kërkuar.
Hetimi dhe pushimi i çështjes
Aeroporti i Kukësit, i cili u ndërtua me një grant të qeverisë së Emirateve të Bashkuara me një vlerë prej 24 milionë dollarësh është ndërkohë larg të qenit në funksion. Fillimisht shkak për bllokimin e tij u bë kontrata koncesionare aeroportit të Rinasit, e cila i jepte kësaj të fundit një monopol mbi fluturimet ndërkombëtare nga Shqipëria. Ndërkohë që edhe pas rinegocimit të kontratës koncesionare të Rinasit dhe heqjes së ekskluzivitet për fluturimet ndërkombëtare, aeroporti i Kukësit vazhdon të qendrojë i mbyllur.
Hetimet për punësimet fiktive në aeroport nisën nga prokurorja Rita Gjati, e cila më 25 korrik 2017 mori edhe miratimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për arrestimin e 2 ish-drejtuesve të aeroportit, respektivisht drejtorit Agron Xhafa dhe ish-drejtorit Arben Carkanji dhe masën e arrestit të shtëpisë për financierin e këtij aeroporti, Fahrudin Noka. Njëri prej ish-drejtorëve që akuzohej, Agron Xhafa qe edhe kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Tiranë.
Por asnjë prej të akuzuarve nuk u arrestua, pasi në momentin e kërkesës së prokurorisë u gjet se ata nuk ndodheshin në Shqipëri, ndërsa gjykata më pas e zbuti masën sigurisë në “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë në fund të shtatorit, Prokuroria e Kukësit mbylli hetimet dhe dërgoi çështjen për gjykim me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Por pas kësaj prokurorja Gjati u trasferua me urdhër të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nga drejtuese e Prokurorisë në Kukës në prokurore Tropojë, ndërsa çështjen e mori në dorëzim prokurori Edmond Karriqi.
Në 16 tetor 2017 ky i fundit i kërkoi gjykatës të tërhiqte dosjen nga gjykimi për plotësim hetimesh. Të kontaktuar nga BIRN në tetor 2017, avokati Safet Miftari i cili përfaqësonte Arben Carkanjin i mohoi akuzat dhe tha se shpresonte që dosja të pushohej pas tëheqjes së saj nga prokuroria. Ndërsa i akuzuari tjetër Agron Xhafa, njëkohësisht kandidat për deputet i LSI në zgjedhjet e fundit parlamentare kallëzoi penalisht prokuroren Gjati dhe një oficer të policisë gjyqësore, duke i akuzuar për falsifikim dokumentash.
Ndërkohë, një muaj pasi e tërhoqi dosjen për hetime më të thelluara, më 16 nëtor 2017 prokuroria e dërgoi atë sërish në gjykatë, por me kërkesë për ta pushuar çështjen, pasi siç del në vendimin e gjykatës “fakti nuk parashikohej nga ligji”. Më 15 dhjetor, gjykatësi i Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu, pasi mori në shqyrtim kërkesën vendosi ta pranojë atë duke pushuar hetimet dhe duke cilësuar se çështja në fjalë nuk ishte penale.
“Nga tërësia e akteve që ndodhen në fashikullin e hetimit, arrijmë në konkuzionin se veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve nuk përbejnë vepër pernale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal, për faktin se numri i punonjësve është përcaktaur nga ministria e linjës (me propozim të Bordit të Aeroportit Civil). Në lidhje me qënien ose jo në punë pranë aeroportit të Kukësit, kjo është një marëdhënie juridike që zgjidhet në rrugë administrative, nëpërmjet dispozitave të Kodit të Punes në RSH”, thuhet në vendimin e e gjykatës.
Fryrja dhe shfryrja e numrit të punonjësve
Ndryshe nga gjykata, e cila i referohet në vendim një VKM-je e cila nuk parashikon hapjen e aeroportit dhe një institucioni që nuk ekziston si “Bordi i Aeroportit Civil”, AAC-ja thotë se punësimet janë kryer me vendim të Këshillit Drejtues të saj.
Ndërsa sqaron se me një vendim të Ministrisë së Transporteve të vitit 2014, AAC ishte ngarkuar me detyrimet financiare për mirëmbajtjen e aeroportit, që më herët paguhej nga buxheti, kjo e fundit thotë se Këshilli Drejtues kishte vendosur rritjen e numrit të të punësuarve. “Gjatë viteve 2016-2017, për të garantuar funksionimin e Aeroportit të Kukësit, në drejtim të përgatitjes për fillimin e operimeve, Këshilli Drejtues miratoi, me vendimet nr. 63, datë 9.Dhjetor.2016 dhe nr. 66, datë 23.Shkurt.2017, plotësimin e stafit të nevojshëm përkatësisht prej 28 dhe 35 punonjësish”, thuhet në përgjigjen e AAC.
Sipas AAC kjo strukturë e re organike ishte ngritur për të “mundësuar kështu nga pikpamja teknike vënien në funksionim të tij”. Kjo strukturë përfshinte punëtorë të mirëmbajtjes, pasi siç thotë në përgjigje AAC “u pa në atë periudhë, si një domosdoshmëri për mirëmbajtjen e sipërfaqes së nevojshme për operim ku përfshihej jo vetëm pista, rrugët lidhëse, vendqëndrimi i avionëve, por edhe brezi i aeroportit si dhe sipërfaqet ndihmëse të fluturimit”.
Por siç del nga hetimet e prokurorisë të cituara edhe në vendimin për pushimin e çështjes dhe siç pranon AAC, këta të punësuar 38 në total, nuk u paraqitën në vendin e punës në Kukës dhe është e paqartë se si ata do të kryenin nga Tirana mirëmbajtjen e pistës së fluturimeve apo bënin gati aeroportin për fillimin e punës.
AAC thotë në përgjigje se të punësuarit, gjatë kësaj kohe po trajnoheshin në Aeroportin e Rinasit pasi më vonë do të shërbenin në Kukës, por menjëherë pas trajnimit ata janë larguar nga puna, pasi siç thotë AAC, tani numri i vendeve të punës në Aeroportin e Kukësit është sërish vetëm 11, prej të cilëve madje një prej vendeve është vakant. Në Aeroportin e Kukësit ndërkohë nuk është kryer ndonjë operacion mirëmbajtjeje.
“Me vonë kjo strukturë filloi të reduktohej dhe aktualisht, për vitin 2018, Këshilli Drejtues,me miratimin e programit ekonomiko-financiar, ka miratuar në tërësi fondet që do shpenzohen për Aeroportin e Kukësit, si dhe numrin e punonjësve në total prej 11 personash, nga të cilët 5 punonjës mirëmbajtje dhe 6 punonjës administrate. Deri tani, organika prej 11 pozicione pune,është plotësuar për 10”, thuhet në përgjigjen që ata i nisën BIRN.
Spekullime me aeroport
Ndryshimet e tilla të strukturës krijojnë dyshime nëse vërtet AAC po mendonte për një hapje të aeroportit të Kukësit dhe nëse punësimet dhe më pas shkarkimet i shërbejnë në ndonjë farë mënyrë kësaj.
Spekulimet për hapje të aeroporteve u rindezën pasi qeveria rinegocioi kontratën me koncensionarin e Aeroportit të Rinasit, e cila i jepte këtij të fundit monpol fluturimesh ndërkombëtare nga Shqipëria. Po edhe pas rinegocimit të kontratës koncesionare, ku kompania që menaxhon Rinasin do fitonte vite shtesë në kontratë për të lejuar fluturime nga aeroportet lokale që do hapeshin, nuk duket se ka sjellë ndonjë ndryshim të situatës.
Kështu megjithëse Ministria e Transporteve njoftoi më 21 maj 2015 se kompania ajrore Ëizz Air pati shprehur interes për aeroportin e Kukësit dhe 4 ditë më vonë, ish-kreu i Kuvendit Ilir Meta tani President i Republikës vizitoi Kukësin dhe deklaroi se aeroporti i qytetit do të hapet së shpejti, oferta nuk u materializuan asnjëherë.
Kryeministri Edi Rama, pranoi në një replikë me komentues në faqen e tij në Facebook në Janar të këtij viti, se ende nuk kishte një ofertë për aeroportin e Kukësit edhe dy vjet pas përfundimit të negociatave me kompaninë koncesionare të Rinasit. Situata ishte paralajmëruar nga Autotiteti i Konkurrencës, i cili u përpoq të bindte qeverinë shqiptare gjatë negociatave se Aeroporti i Kukësit qe larg të qenit funksional, për të kustifikuar zgjatjen e periudhës së koncensionit edhe me dy vjet.
Por vënia në funksion e aeroportit të Kukësit është përdorur si kartë elektorale. Në maj të vitit 2009, një avion i një kompanie të vogël vendase fluturoi mbi qytet, ditën e një mitingu elektoral të Partisë Demokratike në qeveri, dhe u ul e u ngrit nga aeroporti si për të sinjalizuar fillimin e punës. Politikanët premtuan një linjë fluturimi Tiranë-Kukës.
Premtimi për hapjen është përsëritur edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011, në zgjedhjet e pergjithshme të vitit 2013 dhe në ato vendore të vitit 2015, madje duke i shtuar emra kompanish të njohura, por pa asnjë veprim konkret.
Ndërkohë sëfundmi qeveria i ka zhvendosur premtimet për hapje aeroportesh nga Kukësi në Vlorë. Shumica miratoi në parlament fillimin e një negociate ende jo të qartë me një konsorcium kompanish turke për të ndërtuar një aeroport në qytetin bregdetar. Vetë kryeministri gjatë vizitës së fundit në Turqi përmendi këtë si një ndër pikat e bisedës me Presidentin Turk Rexhep Taip Erdogan.