Zyrtarë të lartë nga shtetet e BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po takohen në Sofje në një samit që synon t’i mbajë vendet e Ballkanit të angazhuar ndaj axhendave europiane.
Liderët e 28 shteteve të BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor takohen të enjten në Bullgari, mbajtësi aktual i presidencës së BE-së, me një sërë çështjesh të pazgjidhura që do të diskutohen me anëtarët aspirantë të bllokut europian.
Burimet e BIRN në Ministrinë e Jashtme bullgare thanë gjithashtu se ka pak pritshmëri për zgjidhjet përfundimtare të dy çështjeve kryesore bilaterale në Ballkan që pengojnë përparimin e zgjerimit të BE-së të vendeve të përfshira – dialogu i normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës dhe bisedimet Greqi-Maqedoni në lidhje me çështjen e “emrit”.
Burimet e Ministrisë së Jashtme konfirmuan se ka një takim të planifikuar midis kryeministrit grek Alexis Tsipras dhe homologut të tij maqedonas Zoran Zaev. Por nuk ka sinjal se do të ketë një takim të ngjashëm midis presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe homologut të tij të Kosovës Hashim Thaçi.
“Shpresoj vërtet që Vuçiç dhe Thaçi të shtrëngojnë duart pas përfundimit të samitit dhe t’i tregojnë botës se Ballkani mund të jetë po aq i civilizuar sa dy Koretë,” tha të mërkurën kryeministri bullgar Bojko Borissov.
Për takimin midis Zaev-Tsipras ka më shumë optimizëm, i cili do të përqendrohet në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për mosmarrëveshjen e tyre të gjatë dypalëshe në lidhje me çështjen e emrit, gjë e cila po bllokon hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe BE.
Takimi shihet si një arritje e rëndësishme në bisedimet në vazhdim midis dy palëve, të cilat kanë vazhduar intensivisht gjatë katër muajve të fundit.
Shumë vëzhgues besojnë se bisedimet janë në fazën e tyre përfundimtare dhe më të ndjeshme dhe se takimi i dy kryeministrave mund të sjellë njëfarë arritjeje.
Zaevi i Maqedonisë tha këtë javë se ndërsa ai mbetet optimist, samiti nuk duhet të shihet si një afat për arritjen e një kompromisi.
Të mërkurën, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, tha se ai shpreson që samiti do t’i afrojë më shumë “miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor”.
“Nesër do të takojmë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor kolektivisht për herë të parë në 15 vjet. Do të jetë një mundësi për të dyja palët që të riafirmojnë se perspektivat e BE-së mbeten zgjedhja gjeostrategjike e Ballkanit Perëndimor,” tha Tusk.
Projektet e planifikuara infrastrukturore dhe ndërlidhëse kryesuan diskutimet zyrtare një ditë para samitit.
“Është mëkat që nuk kemi fluturime lidhëse midis të gjitha kryeqyteteve të Ballkanit,” u tha gazetarëve ministrja bullgare e presidencës së BE-së, Liylana Pavlova.
Pavlova shtoi se, përveç një deklaratë politike në samitin e së enjtes për të cilën tashmë është rënë dakord nga të 28 shtetet anëtare të BE-së dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të ketë një aneks të quajtur “Axhenda e Sofjes”.
“Ajo do të trajtojë lidhjen e transportit dhe komunikacionit në Ballkan dhe një tjetër paketë masash të ndara në tri shtylla – ndërtimi i institucioneve, siguria dhe migracioni, si edhe projekte konkrete infrastrukturore,” tha Pavlova.
Ajo shtoi se lidhja nuk është zëvendësim për zgjerimin, por është një “proces paralel shtesë që nxit lëvizjen e çdo vendi drejt anëtarësimit në BE”.
Për Bullgarinë, vetë fakti që samiti po zhvillohet konsiderohet një sukses për vendin.
“Fillimisht, njerëzve tanë (krerët e qeverive të BE-së) nuk u interesonte shumë Ballkani. Ishte shumë e vështirë t’i bindnim. Por tani ata i kanë shumë përzemër këto tema dhe kjo është për shkak të kancelares gjermane Angela Merkel. Nuk e di nëse do të marrë ndonjë Çmim Nobel për Paqen ndonjë ditë, por ne duhet ta falënderojmë për të gjitha ato që ka bërë për Ballkanin,” tha Borissov.
Disa ekspertë shprehën shqetësim sepse fjalët “zgjerim” dhe “anëtarësim” do të hiqen nga deklarata në samitin e Sofjes.
“E gjithë atmosfera më kujton atë të mëparshme, kur ne ishim shumë të lumtur të shikonim BE-në të angazhohej me vendet tona, por pas kësaj nuk pati asgjë më shumë,” tha drejtori i Qendrës së Beogradit për Integrim Europiane Jovan Teokareviç.