Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi të martën dënimin e Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë me 64 vite burgim, për akuzat e shtrëngimit për dhënie pasurie, shkatërrim të pronës me lëndë plasëse dhe kanosjen e disa biznesmenëve.
Prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka dhënë paraditen e të martës konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Emiljano Shullazi dhe të akuzuarve të tjerë si bashkëpunëtorë të tij në kryerjen e katër akteve penale, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, duke kërkuar dënimin e tyre në total me 64 vite heqje lirie. Konkluzionet përfundimtare janë lexuar nga prokurorët Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gentian Osmani, ndërkohë që përfaqësuesja tjetër në këtë çështje, drejtuesja e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Donika Prela nuk ka qenë e pranishme, ku sipas kolegëve të saj ka qenë në një angazhim tjetër.
Lexo më shumë:
Nën masa të rrepta sigurie jashtë dhe brenda ambienteve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në orën 09:00 është çelur seanca gjyqësore, në mungesë të pesë të pandehurve, por në prani të avokatëve të tyre mbrojtës. Fillimisht mbrojtësit i kanë kërkuar trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Fran Prendi, Luan Hasmeziri, Liljana Baku, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca që të marrin në konsideratë prezumimin e pafajësisë, duke cilësuar se ecuria e procesit dhe “shfaqja” e prokurorisë e ka bërë të pamundur paanshmërinë. Avokati mbrojtës i të pandehurit Emiljano Shullazi, Vladimir Meçe ka theksuar se prokurorët që kanë marrë në dorë dosjen më datë 21 shtator, e kanë pasur të pamundur të njiheshin me fashikujt që sipas tij përbëhen nga 10,000 faqe dhe do të duheshin të paktën 14 ditë nëse do të lexonin pa ndalim. Më tej ai shtoi se klima e krijuar për këtë proces, forcat e shumta policore dhe snajperët krijojnë presion ndaj gjykatës që ta japi një dënim maksimal. Ndërsa avokati Ravik Gura ka kërkuar që në sallën e gjyqit të mos ketë persona të armatosur.
Avokati i të pandehurit Gilmando Dani, Denion Bogdani e ka vlerësuar hetimin e prokurorisë si selektiv dhe jo të drejtë, duke pretenduar se një prej prokurorëve të çështjes ishte në paligjshmëri, pasi kishte hetuar më parë klientin e tij dhe se një pjesë e provave të siguruara nga ai procedim ishin përdorur në dosjen e tanishme, ndërsa të tjera prova që kanë të bëjnë me këtë çështje, nuk janë administruar. Sipas tij, nuk është administruar transkripti i bisedës mes Gilmando Danit dhe Ylvi Beqajt i datës 5 mars 2018, për të cilën avokati Bogdani ka pretenduar se kjo bisedë sqaron situatën e klientit të tij dhe se është me interes për gjykimin, por pa sqaruar detaje të kësaj bisede. Trupa gjykuese është tërhequr për pak minuta për t’u konsultuar lidhur me kërkesën e avokatit Bogdani.
Gjatë kësaj kohe, në sallën e gjyqit kanë mbërritur edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe asaj Gjermane, të cilët ishin të pranishëm deri në përfundim të dhënies së konkluzioneve përfundimtare nga ana e prokurorisë.
Pas rinisjes së seancës, trupa gjykuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e avokatit Bogdani duke e vlerësuar si provë të parëndësishme për çështjen në gjykim. Për rreth një orë e gjysmë, prokurorët Anton Martini, Besnik Muçi dhe Gentian Osmani kanë lexuar me radhë, katër faktet penale për të cilat akuzohen Shullazi dhe të pandehurit e tjerë: shtrëngim për dhënie pasurie; shkatërrim të pronës me lëndë plasëse e kanosje ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku, si edhe kërcënimin për t’u tërhequr nga gara kandidatin për rektor të dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Koni, e kanosjen e rektorit Dhori Kule.
Lexo më shumë:
Prokurori Gentian Osmani ka lexuar masat e dënimeve të kërkuara për pesë të pandehurit. Duke e cilësuar të pandehurin Emiljano Shullazi si krijuesin e grupit të strukturuar kriminal dhe ideatorin e kryerjes së veprave penale që po gjykohen, e duke kërkuar në total, dënimin e tij me 17 vjet heqje lirie. Gilmando Dani është cilësuar nga prokuroria si personi mbështetës i Emiljano Shullazit, ndërsa tre të tjerët, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi si pjesëmarrës në këtë organizatë dhe si personat veprues në terren. Sipas organit të akuzës, në disa episode dyshohet se i pandehuri Emiljano Shullazi ka vepruar edhe vetë. “Personat që e shoqëronin Emiljano Shullazin krijonin ankth dhe pasiguri tek viktimat”, shkruhet në konkluzionet përfundimtare të prokurorisë.
Ndërkohë, prokuroria kërkoi dënimin e Gilmando Danit me 15 vjet heqje lirie, për Endrit Qyqjan e Endrit Zelën nga 11 vite burg për secilin dhe për Blerim Shullazin 10 vjet heqje lirie. Prokurorët kanë theksuar se për shkak të rrethanave të veçanta të kësaj çështjeje, gjykata duhet t’u japë rëndësi deklarimeve të dhëna gjatë hetimit paraprak. Duke i cilësuar veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit me rrezikshmëri të lartë dhe për shkak se të pandehurit kanë qenë të dënuar edhe më parë, prokuroria ka kërkuar, që vuajtja e dënimit të realizohet në një burg të sigurisë së lartë.
Avokatët mbrojtës kërkuan dy javë kohë për tu njohur me pretencën e prokurorisë dhe për të përgatitur konkluzionet e tyre përfundimtare. Pasi gjykata u njoh me kërkesën e pranoi atë, por për shkak të axhendës së ngjeshur caktoi datën 9 shtator, orën 10:00 për zhvillimin e seancës tjetër.
Pak ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, kërkoi hetim disiplinor për disa prej prokurorëve pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për krime të Rënda, të cilët nuk pranonin të ishin pjesë e shortit për të marr përsipër çështjen. Pas debateve mes prokurorëve, u vendos që organi i akuzës të përfaqësohet në këtë proces gjyqësor nga prokurorët Donika Prela, Anton Martini, Gentjan Osmani dhe Besnik Muçi.