Bashkia e Elbasani rihapi pasi shpalli tashmë të sigurt shkollën 9-vjeçare të Mengëlit. Rikonstruksioni kushtoi vetëm 700 mijë lekë. Ndërhyrja erdhi pas protestave disa ditore të prindërve dhe nxënësve.

210 nxënës i janë rikthyer shkollës në fshatin Mengël të Elbasanit, pas rikonstruksionit të pjesshëm të zhvilluar me emergjencë nga bashkia Elbasan, pas një proteste dyjavore të banorëve. Mesditën e së martës nxënësit i janë drejtuar shkollës ku u kryen riparime minimale me një fond emergjence 700 mijë lekë, ndërsa po ashtu shihej se ajo ishte lyer dhe pikturuar.
Bashkë me banorët i pranishëm ka qenë edhe deputeti i partisë demokratike Luçiano Boçi i cili mori pjesë në protestë, si dhe një përfaqësi e prindërve protestues. Boçi shkroi në faqen e tij në Facebook se rihapja e shkollës ishte “njëkohësisht dhe fitore e protestës e solidaritetit qytetar!” “Këta fëmijë e prindërit e tyre ishin prej tre javësh protagonistët e një beteje të pashembullt, kundër arbitraritetit qeveritar, shurdhërisë dhe makutërisë ministrore, harbutërisë e dhunës policore”, shkroi ai.
Ndërkohë deputeti Taulant Balla reagoi nëpërmjet një statusi në facebook duke ironizuar Boccin. “Shpifësit thanë para 3 javësh që Shkolla e Menglit do mbyllet, shpifësit e SHQUP-it thanë që Shkolla do të kthehet në dyqan peshku. Sot shkolla është e hapur dhe priti nxënësit me një pamje tërësisht të re”, shkroi Balla.
Bashkia Elbasan nëpërmjet një deklarate në faqen zyrtare konfirmoi se shkolla u rikonstruktua dhe nuk përbën më rrezik për jetën e nxënësve, por tha se nuk ka hequr dorë nga projekti për rikonstruksionin total të saj. Sipas bashkisë ky projekt përfshin zgjerimin e ambjenteve, shtimin e klasave për shkak të numrit të madh të nxënësve si dhe vendosjen e sistemit të ngrohjes dhe ambientet sportive.
Banorët e fshatit Mengël 3 kilometër larg qytetit të Elbasanit protestuan qysh në nisje të vitit shkollor në 17 shtator e deri në fillim të tetorit duke bllokuar madje për disa orë edhe rrugën kombëtare që lidh Tiranën me Korccën. Ata kërkuan hapjen e shkollës e cila ishte mbyllur me arsyetimin e se nuk ishin gjetur ende fondet për rikonstruksion. Banorët dhe përfaqësues të PD-së hodhën dyshime se shkolla do të privatizohej në favor të një kompanie private dhe në Mengël nuk do të kishte më shkollë.
Protesta u mbështet edhe nga deputeti Luçiano Boçi, për të cilin nisi një procedim penal nga policia për organizim të protestës së paligjshme bashkë me disa banorë të zonës. Bocci dhe disa protestues po ashtu u akuzuan për përdorim të fëmijëve dhe vënie në rrezik të tyre.
Ndërkohë Luçiano Boçi iu përgjigj këtij procedimi me një padi ndaj policisë për ushtrim dhune ndaj fëmijëve gjatë protestave të zhvilluara nga prindërit dhe fëmijët për hapjen e shkollës në fillim të këtij muaji.
Bashkia Elbasan dhe deputeti i qarkut Taulant Balla kundërshtuan atëherë pretendimet e banorëve dhe PD-së, duke i cilësuar shpifje. Ata thanë se shkolla ishte e dëmtuar dhe se rrezikonte jetën e fëmijëve. Bashkia me një procedurë emergjente miratoi në Këshillin Bashkiak një fond prej 700 mijë lekësh, i cili do shërbente për vendosjen e një arketrau dhe po ashtu leu shkollën dhe e hapi atë ditën e martë.