
Silvana Arsoviç, një ish-administratore në zyrën e politikanit serb të Kosovës Olover Ivanoviç, ku ai u qëllua për vdekje, u arrestua nën dyshimin për manipulim të kamerave të sigurisë.

Prokurori që heton vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç tha për BIRN se sekretarja në zyrën e partisë së Ivanoviçit në Mitrovicë, Silvana Arsoviç, u arrestua të hënën nën dyshimin se ka futur duart në kamerat e sigurisë të zyrës.
“Ajo (Silvana Arsoviç) ishte një zyrtare në zyrën e Oliver Ivanoviçit dhe paguhej si administratore. Dyshimet tona janë se ajo ka manipuluar kamerat e sigurisë,” tha prokurori Syle Hoxha.
Arsoviç është personi i katërt që arrestohet në lidhje me vrasjen e Ivanoviçit në janar të këtij viti. Tre të tjerë u arrestuan të premten në mëngjes; media raportoi se dy prej tyre ishin oficerë të policisë serbe të Kosovës.
Prokuroria e Kosovës tha të premten se policia bastisi gjithashtu shtëpinë e Milan Radoiciç, nënkryetar i partisë kryesore serbe të Kosovës, Lista Serbe, por ai e shmangu arrestimin.
Radoiciç u përshkrua si mbajtësi i vërtetë i pushtetit në rajonin me shumicë serbe të veriut të Kosovës nga Ivanoviçi pak para se ai të qëllohej për vdekje më 16 janar të këtij viti, përpara zyrave të tij të partisë në qytetin verior të Mitrovicës.
Radoiciç tani është në arrati, por ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Ivanoviçit.
Ai është arratisur nga Kosova në Serbi, ku është marrë në pyetje nga policia serbe të hënën në një vend pa emër.
“Ministria e Brendshme e Serbisë veproi në përputhje me një kërkesë të Prokurorit Serb për Krimin e Organizuar dhe thirri M.R. për ta marrë në pyetje rreth njohurisë së tij për vrasjen e Oliver Ivanoviçit,” tha Ministria e Brendshme për BIRN.
Ivanoviç u qëllua me armë më 16 janar. Në kohën e vdekjes së tij, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.
Më herët të hënën, një zëdhënëse e partisë së Ivanoviçit, Ksenija Bozoviç, tha për faqen e lajmeve Kossev se Silvana Arsoviç ishte ndaluar dhe do të mbahej për 48 orë.
“Ata e thirrën Silvanën të vinte në stacionin verior të policisë sot në mëngjes në lidhje me hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, gjë të cilën Silvana tashmë e kishte bërë disa herë më parë,” citohet të ketë thënë Bozoviç.
“Në rajon asaj i thanë se prokurori special tha se ishte e nevojshme që ajo të shkonte në Prishtinë dhe pastaj, siç kuptova, diku gjatë udhëtimit, ajo më telefonoi dhe më tha t’i gjeja një avokat,” shtoi ajo.