Bashkia e Skraparit i ka kërkuar gjykatës të detyrojë prokurorinë të nisë procedim penal ndaj ish-prefektit Harila Dafa, për shpërdorim detyre, pas përplasjes për buxhetin e bashkisë në Këshillin Bashkiak. Prokuroria vendosi më herët të mosfillojë hetime.
Katër muaj pasi Bashkia e Skraparit paditi atëherë prefektin e Beratit, Harila Dafa, për “Shpërdorim detyre”, prokuroria vendosi të mosfilloj procedim penal ndaj tij duke arsyetuar se nuk kishte vepër penale, por një çështje civile.
Por për bashkinë e Skraparit, e cila për shkak se nuk mundi të siguronte votat në Këshillin Bashkiak vijon të punojë me vetëm 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar, vendimi i prokurorisë nuk është i drejtë.
“Kallëzimi ka të bëjë me dëmin që i është shkaktuar Bashkisë Skrapar, punonjësve të saj dhe gjithë komunitetit, për shkak të veprimeve apo mosveprimeve të të kallzuarit”, bëhet e ditur në ankimimin drejtuar gjykatës firmosur nga kryebashkiaku Nesim Spahiu.
Bashkia e cila kundërshtoi në rrugë gjyqësore një buxhet të miratuar në mënyrë të njëanshme nga këshilltarët e Partisë Socialiste në një mbledhje të thirrur nga ish-prefekti Dafa, beson se në këtë rast ai kishte shkelur ligjin.
“Organi i Prokurorisë duhej të fillonte hetimin me mënyrën se si prefekti ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak në Skrapar, sepse ato janë në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore për miratimin e buxhetit”, thuhet në kërkesën drejtuar gjykatës.
Përplasja politike mes Partisë Socialiste dhe LSI-së në Skrapar ka bllokuar miratimin e buxhetit të bashkisë që prej fundit të dhjetorit të vitit që shkoi. Ndërkohë, një buxhet i miratuar nga këshilltarët e PS-së në fillim të voitit 2019 konsiderohet i paligjshëm prej kryebashkiakut, i cili pas miratimit të buxhetit bëri padi në prokurori ndaj prefektit të Qarkut të Beratit, ndërsa pretendoi se buxheti i miratuar flak në rrugë 148 punonjës.
Ish-Prefekti Dafa i tha atëherë BIRN se nuk kishte bërë shkelje dhe se mbledhjen e këshillit e kishte thërritur me kërkesë të kryebashkiakut. Dafa tha se do të përballej me kryebashkiakun Nesim Spahiu sipas ligjit.
Bashkia e Skraparit u fitua nga koalicioni i madh mes PS dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2015. Kryebashkiaku u propozua nga Lëvizja Socialiste për Integrim sipas marrëveshjes së koalicionit. PS ndërkohë ka marrë shumicën e Këshillit Bashkiak.
Por me prishjen e koalicionit në rang kombëtar, pak para zgjedhjeve të vitit 2017, një sërë bashkish të fitura prej këtij koalicioni me drejtues nga LSI u gjendën me mungesë votash në këshilla që kontrollohen prej PS-së. Përplasje të ngjashme për buxhetin ka pasur më herët në Prrenjas dhe Bulqizë, por edhe në qytete të tjera.
Ndërkohë bashkia e Skraparit bëri një padi civile në Gjykatën Administrative kundër buxhetit të miratuar vetëm nga këshilltarët socialistë dhe një padi penale kundër atëherë prefektit Harilla Dafa.
Por Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Berat vendosi të mos fillojë procedim penal ndaj ish-prefektit Harilla Dafa, për “shpërdorim detyre”. Burime nga prokuroria thanë se vendosën mosfillim “pasi nuk ka bazë ligjore që ndaj prefektit të nis procedimi penal për ‘shpërdorim detyre’”.
Sipas Prokurorisë gjatë hetimeve janë pyetur palët, vetë ish-prefekti Harilla Dafa, përfaqësues së Bashkisë Skrapar, Këshillit Bashkiak atje, është bërë verifikimi i gjithë dokumentacionit të mbledhjes, ka rezultuar se nuk ka arsye për të nisur procedimin penal.
“Ministria e Financave, më datë 12.03.2019, ka autorizuar funksionimin e Bashkisë së Skraparit me buxhetin e përkohshëm vendor, duke kryer deri në 1 /12 e shpenzimeve faktike të buxhetit vendor, ndaj dhe çështja ka marrë rrugën e zgjidhjes”, arsyeton prokuroria.
Po kështu organi i akuzës arsyeton se pretendimet e ngritura në padi nga ana e Bashkisë Skrapar, firmosur nga vetë kryetari Nesim Spahiu, janë “krejtësisht të karakterit administrative-civile dhe jo penale dhe nuk përbëjnë shkak për fillimin e procedimit penal”.
Por, Bashkia e Skraparit, sapo është njohur me vendimin e prokurorisë i është drejtuar Gjykatës së Rrethit me një ankim “kundër vendimit të mosfillimit të procedimit penal num 333 viti 2019”. BIRN mësoi se seanca e parë për këtë çështje do të zhvillohet më 7 qershor.