Vila luksoze, vendpushime në ishull, vila gjuetie dhe jahte: pronat e shumta të Josip Broz Titos ishin të shpërndara nëpër republikat e ish-Jugosllavisë, edhe pse disa prej tyre kanë ngelur në gjendje të keqe që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Kreu jugosllav Josip Broz Tito përdori shumë shtëpi dhe shtëpi pushimi gjatë periudhës së gjatë të sundimit të tij nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1980.
Presidenti komunist shijonte një mënyrë jetese luksoze gjatë kohës që ishte në detyrë dhe kur vdiq, pasuritë e tij vlerësoheshin të ishin me vlerë dhjetëra milionë euro. Çështja se kush duhet të trashëgojë pasuritë e tij është një mosmarrëveshje ligjore e cila vazhdon edhe sot.
Disa nga pronat e Titos janë shitur ose janë dhënë me qira, por të tjera janë ende atraksione të njohura për turistët jugo-nostalgjikë, si Shtëpia e Luleve në Beograd, ku ai u varros, apo vila në fshatin e tij Kumrovec në Kroaci, ku ditëlindja e tij festohet nga admiruesit e tij çdo vit.
Serbi: Shpërngulet Millosheviçi
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Beogradit, Tito u zhvendos në kryeqytetin serb dhe jetoi në një vilë në rrugën 15 Uzicka në zonën e bukur të Dedinjes të qytetit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, vilë, e cila ishte ndërtuar në vitin 1934, u përdor nga komandantët gjermanë derisa u mor nga partizanë jugosllavë. Komandanti i forcave partizane, Peko Dapceviç, e udhëhoqi operacionin përfundimtar për çlirimin e Beogradit nga vila. Nga viti 1946 deri në vitin 1979, ajo u bë shtëpia e Titos.
Tito jetonte gjithashtu në një moment pas luftës në Beli Dvor (Pallati i Bardhë), pronë e ish-familjes mbretërore të Jugosllavisë, e cila përfundoi në vitin 1937. Kur ai arriti në Beograd, solli asistenten e tij prej shumë kohësh dhe thuhet se dashurinë e tij më të madhe, Davorjanka Paunoviç. Ajo vdiq në vitin 1946 dhe u varros brenda kompleksit të pallatit.
Kompleksi tani është pronë e shtetit, por familja Karadjordjeviç, ish-dinastia mbretërore e Serbisë, lejohet ta përdorë atë. Ajo është e hapur për vizitorët.
Në vitin 1979, një vilë tjetër u ndërtua aty afër, në rrugën Uzicka 11, më vonë e quajtur Vila Mir (Paqe), por Tito kurrë nuk u zhvendos aty.
Pas vdekjes së tij, dy vila në Rrugën Uzicka, një kopsht dimëror (më vonë i quajtur Shtëpia e Luleve, ku janë varrosur Titoja dhe gruaja e tij), dy muze dhe disa ndërtesa të tjera u bënë Qendra Përkujtimore Josip Broz Tito. Shtëpia e Luleve dhe Qendra Përkujtimore e Titos tani janë pjesë e Muzeut të Jugosllavisë, i cili mbetet një vend popullor për turistët.
Pas zgjedhjeve në vitin 1997, kur Sllobodan Millosheviç u bë president i Jugosllavisë, ai dhe familja e tij u zhvendosën në vilën në rrugën Uzicka 15. Ata jetuan atje deri në prill të vitit 1999, kur ndërtesa u godit gjatë bombardimeve të NATO-s të Jugosllavisë dhe u dëmtua seriozisht.
Më pas, familja Millosheviç u zhvendos në vilën tjetër në rrugën Uzicka 11, e cila në atë kohë përmbante shumë prona të Titos. Pasi u rrëzua nga pushteti, Millosheviç u arrestua atje në vitin 2001 dhe më pas u dërgua në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte.
Sot, vila në rrugën Uzicka 5 është caktuar për përdorim nga përfaqësues të shtetit, ndërsa ajo në rrugën Uzicka 11 është klasifikuar si një “rezidencë” dhe mund të përdoret për pritje nga presidenti apo kryeministri ose për të pritur mysafirë të huaj të nivelit të lartë.
Pasi vdiq Titoja, e veja e tij Jovanka u transferua në një vilë tjetër në Bulevardin Paqja (tani Bulevardi Princi Aleksandër Karadjordjeviç) në Dedinje, ku jetoi deri kur vdiq në vitin 2013. Ajo rrallë largohej nga shtëpia, e cila ishte në gjendje shumë të keqe.
Shtëpia ka të njëjtin status si vila në rrugën Uzicka 15, por sipas njoftimeve në media, shteti nuk mund të përballojë ta rinovojë atë.
Një tjetër kompleks në Karadjordjevo, një fshat pranë Backa Palankës në Serbinë veriore, u përdor nga qeveria jugosllave dhe më pas në vitin 1973 iu dha Ushtrisë Popullore Jugosllave, por u konsiderua si Titos sepse ai kaloi shumë kohë atje – kryesisht duke bërë gjueti, por edhe duke pritur miq të huaj të profilit të lartë.
Prona private e Titos u deklarua fillimisht si pronë e shtetit pas vdekjes së tij, por ai vendim u deklarua antikushtetues në vitin 2000. Çështja gjyqësore mbi të drejtat e trashëgimisë së tij është ende në vazhdim e sipër.
Në vitin 2013, presidenti i atëhershëm i Serbisë Tomislav Nikoliç krijoi një komision për të hapur një kasafortë të Titos në Bankën Kombëtare të Serbisë.
Kasaforta u hap, por nuk u bë publik asnjë informacion në lidhje me ato që u gjetën brenda, edhe pse mediat spekuluan se ajo ishte plot me ar dhe bizhuteri të çmuara.
Kroacia: Idilet e ishullit të Adriatikut
Rezidencat më të famshme në Kroaci të Titos janë në Ishujt Brijuni, të cilat shtrihen në veri të Detit Adriatik dhe shquhen për bukurinë e tyre natyrore.
Tito e vizitoi për herë të parë Brijunin në vitin 1947 dhe Bijela Vila u bë rezidenca e tij zyrtare në vitin 1953. Ai kalonte mesatarisht katër deri gjashtë muaj çdo vit në ishuj dhe qëndrimi i tij i fundit ishte në vitin 1979, një vit para vdekjes së tij.
Disa prej vilave të Titos atje tashmë janë transformuar në apartamente për turistë të pasur. Të tjerat janë në pronësi të shtetit dhe përdoren për qëllime rezidenciale, shpesh duke pritur politikanët e huaj dhe vendas.
Në Kumrovec, fshati ku lindi Titoja, ndodhet një vilë, e ndërtuar në vitin 1947 si një hotel dhe më pas u konvertua në rezidencën e Titos në vitin 1962. Tani ajo është në pronësi të Ministrisë së Pronës Shtetërore, e cila e nxori atë në treg për t’u dhënë me qira në vitin 2014, por askush nuk ishte i interesuar.
Në qytetin bregdetar të Splitit, gjendet Vila Dalmacija, e cila u ndërtua në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1947, vila u bë rezidenca e Titos. Sot ajo është në pronësi të qytetit të Splitit dhe mund të merren me qira për të organizuar evente, për shembull, dasma, me një çmim shumë të shtrenjtë.
Ekziston edhe një vilë tjetër që dikur i përkiste Titos në gadishullin Lapad të Dubrovnikut, një pronë që u mor nga pronarët e saj të vërtetë, familja e pasur Banac. Megjithatë, pas një beteje 12-vjeçare për rikthimin e pronës, ajo u dha dhe pronari i saj aktual është një sipërmarrës kroat.
Në pjesën lindore të Kroacisë gjendet Vila Dunavka, pranë qytetit Ilok. Në këtë pronë prej 100 hektarësh, ka një vresht, një pyll me vend për gjueti dhe qilarët e verës. Vila Dunavka është vendi ku Titoja u martua me gruan e tij Jovanka Broz në vitin 1952. Sipas mediave, kompleksi tani është në pronësi të shtetit, por nuk është në gjendje të mirë.
Kalaja Tikves, gjithashtu në pjesën lindore të vendit, e ndërtuar në shekullin e 19-të, u bë rezidenca e gjuetisë e Titos pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë Luftës për Atdhe të viteve 1991-1995, ajo u plaçkit dhe u dëmtua, por tani është në pronësi të shtetit dhe përdoret për qëllime sportive, rekreative dhe turistike.
Në Samobor, një qytet i vogël afër Zagrebit, ekziston një pronë që në fakt ishte pronë private e familjes Broz përpara shtetëzimit. Për ironi, familja Broz është përpjekur të rimarrë pronësinë e saj për dekada me radhë.
Shtëpia e fshatit u bë pronë e shtetit, por siç raportuan mediat vitin e kaluar, djali i Titos, Aleksandar Broz, vazhdon ta përdorë ndërtesën, e cila në vitin 2017 e nxiti ministri i pronës së shtetit Goran Mariç të përpiqej ta dëbonte atë që atje. Ai gjithashtu u përpoq ta akuzonte Brozin për përdorim të paligjshëm të kësaj pasurie prej miliona eurosh; procesi ligjor është ende në vazhdim.
Bosnje: Vilat lihen të shkatërrohen
Vilat e Titos në Koprivnica dhe Gorica, pranë qytetit qendror boshnjak të Bugojnos, dikur të njohura si vendi i tij i preferuar për gjueti, tani janë të shkatërruara dhe të braktisura.
Vila kanë potencial turistik, por nuk mund të zhvillohen derisa të trajtohet çështja e pazgjidhur e pronësisë së ish-pronës jugosllave në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Vila e Titos në Koprivnica ishte e rrethuar nga një kompleks pyjor për gjueti në një sipërfaqe prej rreth 80 hektarësh. Ajo u ndërtua në vitin 1972, por Tito zbuloi se lartësia nga niveli i detit s’i bënte mirë për shëndetin dhe dy vjet më vonë, u ndërtua Vila Gorica.
Pas Beogradit dhe Brijunit, Gorica u përshkrua si një nga vendet e tij të preferuara, të cilën ai vizitoi 17 herë gjatë një periudhe 10-vjeçare. Një nga mysafirët e tij ishte udhëheqësi libian Muamar Gadafi.
Një tjetër vend interesant është bunkeri i Titos, i ndërtuar në Konjic midis viteve 1953 dhe 1979 për të akomoduar rreth 350 njerëz që, në rast të një sulmi bërthamor, mund të jetonin deri në gjashtë muaj pa u dashur të dilnin në botën e jashtme.
I kamufluar nga tre shtëpi që lidhen me objektin nëpërmjet korridoreve të gjata, bunkeri – tani në pronësi të ministrisë shtetërore bsohnjake të mbrojtjes – ndodhet brenda një kodre 280 metra dhe është i hapur për vizitorët.
Një shpellë në qytetin perëndimor të Drvarit, e cila shërbeu si bazë për Titon kur në vitin 1944 pushtuesit gjermanë u përpoqën ta vrisnin atë, gjithashtu shërbeu si një atraksion turistik pasi u restaurua dhe u hap në vitin 2006.
Megjithatë, shpella u mbyll për vizitorët në mars të këtij viti për shkak të mungesës së fondeve për të rregulluar një rrëshqitje shkëmbore që e bën të pasigurt hyrjen në të.
Mali i Zi: Anijet shiten
Qeveria malazeze ka shitur ose dhënë me qira shumicën e pronës që Tito kishte në republikë, por ende mban Vila Galeb në resortin bregdetar të Igalos, ku dhomat e Titos dhe të gruas së tij ruhen si një shtëpi muze dhe mund të vizitohen.
Vila Galeb, rezidenca verore e Titos, u ndërtua në vitin 1976 dhe i ofronte mund2ësinë atij të merrte trajtim në llixhën që ishte aty pranë. Kompleksi shtrihet në 5,500 metra katror,në katër kate dhe ka një kinema, një strehë atomike, një pishinë dhe një park prej 75,000 metrash katror jashtë.
Tito qëndroi në vilë katër herë para vdekjes së tij, dhe në vitin 1985, pronësia iu dorëzua Institutit Dr Simo Milosevic, i cili operon si një resort shëndetësor.
Vila Lovcen, ish-rezidenca e Titos në Gjirin e Boka Kotorska, është marrë me qira nga kompania nga Azerbajxhani Azmont Investment, e cila po zhvillon marinën luksoze të jahteve Portofino në Mal të Zi.
Qendra për Institucionet Ushtarake Mjekësore në Meljine, ku ndodhet Vila Lovcen, u ble nga një konsorcium të kryesuar nga Grupi Atlas për 5.6 milionë euro në vitin 2008 dhe kompania nga Azerbajxhani e mori atë me qira në vitin 2013.
Tito nuk e vizitoi kurrë vilën, por atje u mbajtën takime të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes të Jugosllavisë dhe Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi dhe ajo u përdor gjithashtu për pushime nga pjesëtarë të autoriteteve politike dhe ushtarake jugosllave.
Nga anijet që zotëronte Tito në vend, qeveria malazeze ka shitur anijen e tij të famshme, Galebin dhe një prej jahteve të tij, Primorka, dhe po përpiqet ende të gjejë një blerës për një tjetër jaht, Jadranka.
Ministria e Mbrojtjes së fundmi e ofroi Jadrankan për 50,000 euro, pas vitesh të tëra përpjekje për ta shitur atë për 80,000 euro. Qeveria e nxori këtë jaht jashtë përdorimit operacional në vitin 2017, duke thënë se ai kishte nevojë për mirëmbajtje dhe përmirësim serioz.
I ndërtuar në vitin 1976, Jadranka është 34 metra i gjatë dhe ka tre sallone, dy apartamente dhe dy kabina mysafirësh. Ai u përdor nga Tito gjithsej 34 herë, sipas mediave.
Gjatë luftës në ish-Jugosllavi, ajo u ankorua në portin ushtarak Kumbor dhe u përdor për evente protokollare nga autoritetet malazeze.
Qeveria ia shiti jahtin e ndërtuar në Itali Primorka për 104,000 euro në vitin 2007 një kapiteni detar nga Kotori, Smiljan Samardziç.
Qeveria malazeze ia shiti anijen e tretë të Titos, Galeb, për 750,000 euro biznesmenit grek John Paul Papanicolaou në vitin 2000. Anija u ble nga qyteti kroat i Rijekës dhe në vitin 2006 u shpall si pjesë e trashëgimisë kulturore të Kroacisë.
Tito e përdorte anijen 117 metra të gjatë si një rezidencë lundruese dhe për argëtim. Aty janë pritur shumë liderë botërore dhe yje Hollivudi.
Tani ai planifikohet të përdoret si një muze që përfshin disa nga dhomat private të Titos.