Për dekada, Ballkani është parë si eksportues i destabilitetit në Europën Perëndimore. Tani ekstremi i djathtë i Gjermanisë po përpiqet ta shtrijë ideologjinë e tij në Europën Juglindore.
Një valë zemërimi kaloi si hije mbi fytyrën e Markus Frohnmaier. Deputeti i Bundestagut zemërohet teksa portretizohet në media si një radikal i krahut të djathtë i kontrolluar nga Rusia me lidhje me ekstremistët.
Është “çmenduri” të thuash se ai është racist, shprehet ai, duke marrë parasysh historinë e jetës së tij – i lindur në Rumani, i birësuar nga një familje gjermane dhe i martuar me një grua nga Uzbekistani.
“Ne jemi ajo që gjermanët e quajnë një familje “multi-kuli”, tha Frohnmaier për BIRN në tarracën e një kafeneje buzë liqenit në qytetin e vogël verior gjerman të Boblingenit, afër Shtutgartit.
“Unë mendoj se mbroj pozicionet normale.”
Në moshën 28 vjeçare, Frohnmaier është deputeti më i ri për Alternativa për Gjermaninë, ose AfD, partia populiste e krahut të djathtë që u ngrit në Gjermani pjesërisht për shkak të tubimeve kundër një fluksi refugjatësh dhe emigrantësh kryesisht myslimanë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që nga viti 2015. Tani ajo është partia e tretë më e madhe në Bundestag.
Sfondi emigrant i Frohnmaier nuk ka treguar të jetë një pengesë për për ngritjen e tij të shpejtë në radhët e AfD-së.
Dhe që nga marrja e një platforme kombëtare, deputeti po vë në përdorim të mirë rrënjët e tij nga Ballkani, duke kërkuar figura të njëjta si ai në rajon, në veçanti në Kroaci dhe Serbi.
Përkundër një perceptimi të mbajtur gjerësisht në Perëndim për Ballkanin si një burim nacionalizmi etnik dhe paqëndrueshmërie që rrezikojnë Europën, vitet e fundit kanë parë shfaqjen e një tendence të kundërt, me eksportin e ideologjisë së ekstremit të djathtë nga Europa Perëndimore në vendet e Ballkani, duke nxitur flakët e islamofobisë dhe revizionizmit historik.
Objektivat nuk janë vetëm politikanë dhe parti politike, por edhe figura të kishës dhe intelektualë, përmes dhjetëra takimeve, konferencave, paneleve të diskutimeve, seminareve dhe eventeve të tjera, sipas gjetjeve të një investigimi të realizuar nga BIRN.
Shpërndarja është pjektuar të ngrihet mbi ndasitë e rrënjosura në luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990.
Ndërsa të tjerë në AfD po avancojnë në Kroaci, Frohnmaier tha se partia po ftonte në mënyrë aktive serbët dhe Kishën Ortodokse Serbe që ta shohin AfD-në si “një vend ku nevojat e tyre merren seriozisht”, duke shtypur një armiqësi të pasur ndaj NATO-s dhe BE-së dhe një afinitet për Rusinë midis serbëve.
“Ne jemi partnerë të natyrshëm”, tha ai. Dhe AfD nuk është e vetmja palë që i ka kthyer sytë nga Ballkani.
Boris Buden, një filozof dhe një analist i tendencave fashiste në Europë nga Berlini, tha për BIRN:
“Në rrjetet ndërkombëtare të këtyre grupeve, ne po dëshmojmë krijimin e Internacionales së djathtë pro-fashiste. Dhe ajo po krijohet në zemër të Perëndimit.”
Paris-Berlin-Beograd-Moskë
E themeluar në vitin 2013, AfD është në krye të një ringjalljeje të së djathtës ekstreme në Europë, duke eklipsuar gjasat e Partisë Demokratike Kombëtare Neo-Naziste, NPD, e cila është më shumë se gjysmë shekulli e vjetër.
NPD-ja, tha Kai Arzheimer, një profesor politike në Universitetin e Mainzit, është “një parti klasike ekstremiste e krahut të djathtë”. AfD-ja, nga ana tjetër, është “shumë më afër modelit radikal të partisë populiste të krahut të djathtë”.
Elementet më radikale të AfD-së janë organizata e saj rinore, Alternativa e Re, JA, dhe Krahu (Flugel), një fraksion i ashpër që shpesh ka qenë në kundërshtim me më shumë konservatorë brenda partisë. Të dyja monitorohen nga agjencia e brendshme e inteligjencës e Gjermanisë, BfV, për kërcënimin e tyre të mundshëm “ndaj parimeve liberale demokratike të kushtetutës së Gjermanisë”, konfirmoi BfV në janar.
Pas anëtarësimit në AfD, në vitin 2015 Frohnmaier u bë kreu i JA dhe ishte një nga nënshkruesit e parë të Rezolutës së Erfurt, e cila çoi në krijimin e Krahut.
Frohnmaier tha për BIRN se ai nuk shikonte asgjë “super radikale” në radhët e AfD-së.
“Qëndrimet e mia do të ishin super normale në të gjitha vendet e tjera në të gjithë botën”, tha ai.
Megjithatë, në vitin 2016, një investigim i mediave gjermane e identifikoi Frohnmaierin si përkrahës fanatik të AfD-së, së bashku me bashkëpunëtorin e ngushtë Dubravko Mandiç, një anëtar i Krahut, i zgjedhur së fundmi në këshillin e qytetit të Freiburgut, një qytet universitar në Gjermaninë jugperëndimore.
Ashtu si Frohnmaier, 39-vjeçari Mandiç ka lindur jashtë, në Bosnje dhe Hercegovinë, në atë kohë pjesë e Jugosllavisë. Djali i një babai etnik kroat dhe një nëne serbe, Mandiç u rrit që në moshën tre vjeçare në Gjermani.
Midis tyre, Mandiç dhe Frohnmaier janë përpjekur të përhapin mesazhin e AfD-së në Kroaci dhe Serbi.
“Ne jemi zëri i tyre”, tha Mandiç, “edhe nëse këtu konsiderohemi si të djathtë, racistë dhe kundërshtarë të të huajve.”
“Mjedis i ngjashëm”
Frohnmaier e ka vizituar Serbinë të paktën një herë në vit në gjashtë vitet e fundit, duke ndërtuar një aleancë me Lëvizjen e Popullit për Liri të krahut të djathtë (Narodni Slobodarski PokretÇ dhe liderin e saj 35-vjeçar, Miroslav Paroviç.
Që nga viti 2014, Paroviç dhe Frohnmaier kanë thënë publikisht se ata po punojnë për krijimin e “Aksit Paris-Berlin-Beograd-Moskë”.
Në mars 2017, Frohnmaier foli në një tubim zgjedhor në qytetin Smederevska Palanka në Serbinë qendrore gjatë garës së pasuksesshme të Paroviç për presidencën serbe. Paroviç mezi mori 11.500 vota, ose 0.32 për qind, megjithatë falë aleancës së tij me Frohnmaierin, ai dhe kolegët e tij të partisë – të cilët nuk janë të përfaqësuar në parlamentin serb – janë ftuar të marrin pjesë në konferenca në Bundestag dhe Parlamentin Europian.
Në një intervistë për BIRN, Frohnmaier tha se fakti që AfD-ja dhe partia e Paroviç nuk ishin në pushtet ishte një “problem”, por se ai besonte se Serbia mund të ndërmerrte rolin e “urës” midis Perëndimit dhe Lindjes.
AfD-ja si parti mbështeti një kandidat tjetër në zgjedhjet e vitit 2017 – Bosko Obradoviçin e partisë Dveri të krahut të djathtë, e cila ka shtatë deputetë në parlamentin serb dhe ka dalë si një kritike e ashpër e konservatorëve qeverisës të vendit nën drejtimin e presidentin Aleksandër Vuçiç.
Obradoviç ishte i ftuar i një lideri të AfD-së, Jorg Meuthen, në zyrën e tij në Shtutgart në mars 2017.
“Ata folën për politikën familjare, problemet me burokracinë e Brukselit dhe emigracionin” tha për BIRN Dragana Trifkoviç, një anëtare e lartë e Dveri.
Trifkoviç tha se të dyja partitë nuk ishin takuar zyrtarisht që nga ajo kohë dhe theksoi se në mars 2019 një delegacion i AfD-së vizitoi parlamentin serb, por u takua vetëm deputetë të koalicionit qeverisës.
Në tetor, deputeti i AfD-së dhe kreu i Komitetit për Çështjet e Jashtme të partisë, Armin-Paul Hampel, shkoi një hap më tej në vizitën e tij të dytë në Beograd në pesë muaj, duke takuar Marko Djuriç, të emëruarin e Serbisë në Kosovë, ish-provincën shumicë shqiptare që deklaroi pavarësinë në vitin 2008.
Ndryshe nga qasja më zyrtare e AfD-së në Serbi, misioni i partisë në Kroaci mbështetet shumë në “nismën private” të Mandiç, tha Frohnmaier për BIRN.
Nëpërmjet prezantuesit kroat të krahur të djathtë, Velimir Bujaneç, në korrik 2018 Mandiçi u prezantua me dy deputetë të krahut të djathtë – ish-ministrin e kulturës Zlatko Hasanbegoviç dhe gjeneralin në pension Zeljko Glasnoviç.
Mandiç u intervistua nga Bujaneç në emisionin e tij, Bujica, atë muaj duke i thënë Bujaneçit: “Gjermania është skllavëruar nga antifashistët”. Një zgjedhje e tillë fjalësh do të rezononte me kroatët konservatorë dhe të krahut të djathtë, të cilët minimizojnë krimet e kryera nga shteti kukull fashist kroat i kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe do të përçmohej nga liberalët si trashëgimtarë ideologjikë të komunistëve jugosllavë.
Në prill të vitit 2019, Mandiç dhe deputeti i AfD-së Dietmar Friedhoff organizuan një panel diskutimi në Freiberg në lidhje me “Të ardhmen e kroatëve në një Gjermani nacionaliste”. Një panel deklaroi se ishte “mbështetur nga Bujica”.
Në një intervistë për BIRN, Mandiç e përshkroi Hasanbegoviçin dhe Glasnoviçin si pjesë e një “mjedisi të ngjashëm kundër korrektësisë politike”.
Ai mbështeti një prirje në rritje në Kroaci për të pastruar krimet e kryera nën regjimin ustash të kohës së Luftës së Dytë Botërore, kur mijëra serbë, hebrenj dhe romë u vranë në kampin e përqendrimit në Jasenovac.
Mandiç tha se po ndryshonin shumë gjëra në mënyrën sesi njerëzit e shikonin Luftën e Dytë Botërore dhe rolin e fashistëve kroatë. “Nuk është mirë që të dorëzohesh menjëherë dhe të pranosh krimet nëse nuk është e nevojshme”, tha ai. “Në Kroaci, nuk ka asnjë kuptim që çdo gjë të sillet rreth Jasenovacit.”
“Ky nuk është identiteti kroat”, tha ai.
Ndërsa Glasnoviç, 65 vjeç, tha për BIRN se ai nuk e kujtonte takimin me Mandiçin dhe se ai nuk kishte bashkëpunim me AfD-në, nuk ka asnjë diskutim për lidhjet e tij të djathta gjermane.
Shtrirja neo-naziste
Në vitin 2014, tre vjet para se një gjykatë të vendoste se ajo i ngjante partisë naziste dhe ishte antikushtetues, por nuk arriti të vendoste ndalimin e saj, NPD shkoi në kërkim të bashkëpunëtorëve në Serbi dhe Kroaci.
Atë vit, një anëtar i NPD-së lidhi kontakte me anëtarë të ekstremit të djathtë të Srbska akcija (Aksioni serb), bashkëpunimi i tyre përfundimisht u bë zyrtar nga pjesëmarrja e kësaj të fundit në kongresin e përvitshëm të Nacionalistëve të Rinj të NPD-së, JN, krahu i të rinjve, tha Marko Dimitrijeviç i Srbska akcija.
Pastaj, në nëntor 2018, kongresi i përvitshëm i NPD-së ekspozoi publikisht bashkëpunimin e partisë me Glasnoviçin, një anëtar i bllokut parlamentar Të Pavarurit për Kroacinë.
“Ai është heroi i tyre”, tha Buden për Glasnoviçin. “Ai përfaqëson atë që ata dëshirojnë në vendin e tyre – të ketë një revizionist historik të armatosur pothuajse në pushtet.”
Ndërsa merrte pjesë në kongres, Glasnovic tha për Deutsche Welle se anëtarët e NPD-së luftuan nën komandën e tij gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990. Qeveria gjermane thotë se më shumë se 100 mercenarë gjermanë të ekstremit të djathtë luftuan bashkë me kroatët.
Ndërsa Glasnoviç nuk mori një vend në Parlamentin Europian në zgjedhjet në maj të këtij viti, në sajë të lidhjeve të tij me NPD-në, ish-luftëtari francez i Legjionit të Jashtëm Francez vizitoi Libanin në qershor si një delegat i Aleancës për Paqe dhe Liri, një parti politike europiane ekstreme e krahut të djathtë e bashkë themeluar nga NPD-ja.
Në Kroaci, mediat shkruan për pjesëmarrjen e Glasnoviçit në kongresin e NPD-së në vitin 2018 duke pasur parasysh faktin se nacionalistët serbë ishin gjithashtu të pranishëm, duke e vendosur NPD në pozicionin e pamundur të një ure midis armiqve të betuar.
Glasnoviç tha për BIRN se ai nuk pa ndonjë përfaqësues serb në këtë event. Por Marko Dimitrijeviç, i Srbska akcija, tha për BIRN: “Sigurisht që ne nuk na pëlqejnë kontaktet e NPD-së me ata anti-serbët, por kjo ende nuk paraqet pengesë për bashkëpunimin tonë të mirë me NPD-në.”
Dimitrijeviç tha se Srbska akcija kishte bashkëpunuar me NPD-në në panele të përbashkëta diskutimesh në Beograd, në botimin e revistës në internet në gjuhën angleze The Spear dhe në një demonstratë në kryeqytetin çek, Pragë, për të shënuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbisë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999.
BIRN ka zbuluar se Srbska akcija është përmendur disa herë në raportet vjetore në lidhje me ekstremizmin e krahut të djathtë të hartuara nga agjencia e brendshme e inteligjencës e shtetit federal gjerman të Saksonisë.
Dimitrijeviç tha se bashkëpunimi me NPD-në ishte i bazuar në “një vetëdije të përbashkët për kohezionin e të gjitha kombeve të Europës, që përfaqëson atdheun tonë më të gjerë.”
Ai “atdhe”, tha ai, “është nën okupimin e NATO-s, BE-së dhe sistemit bankar.”
Ky okupim, nga ana tjetër, “inkurajon vendosjen e emigrantëve në Europë”, islamizimin e kontinentit dhe promovimin e “ideve marksiste anti-kristiane, liberale-fondamentaliste dhe kulturore”, tha ai.
Islami i përdorur si urë
Kërcënimi i perceptuar i paraqitur nga Islami është përdorur shumë nga AfD-ja dhe NPD-ja në rrjetin e tyre ballkanik, i rregulluar sipas synimit që ka pasur.
Me serbët, theksi është tek Kosova, ku shqiptarët etnikë, shumë prej të cilëve e deklarojnë veten mysliman, u ndanë me luftë dy dekada më parë dhe shpallën pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore.
Me kroatët, fokusi është te pozicioni i të afërmve të tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku kroatët ankohen se janë në varësi të myslimanëve boshnjakë.
Paroviç, kontakti i AfD-së në Serbi, tha se ai kishte arritur në të njëjtin përfundim – në vitet 1990, tha ai, Perëndimi “i shpalli myslimanët në Kosovë dhe në Bosnje dhe Hercegovinë si myslimanë të mirë”.
Frohnmaier tha se gjermanët mund “të mësojnë nga serbët dhe përvoja e tyre me terrorizmin islamik, sidomos gjatë viteve 1990″ dhe se ai i mbështeste përpjekjet “paqësore” serbe në Kosovë “për të rimarrë mbrapsht vendin tuaj”.
Në Kongresin Europian të krahut të të rinjve të NPD-së në maj të vitit 2018, Ivan Bilokapiç u shpreh se lufta kundër Islamit në Bosnje dhe Kosovë kishte potencialin për të pajtuar serbët dhe kroatët.
Bilokapiç është një nacionalist kroat në Gjermani dhe anëtar bordi i Europe Terra Nostra, fondacioni zyrtar politik europian i Aleancës së ekstremit të djathtë për Paqe dhe Liri.
Ai tha për BIRN se Serbia dhe Kroacia duhet të kapërcejnë “shovinizmin e cekët”. Në Bosnje, tha ai, serbët dhe kroatët e Bosnjës “mund të mbështesin njëri-tjetrin në këto përpjekje për të hequr qafe ndikimin e Sarajevës dhe Islamizmit”.
Nënkryetari i NPD-së, Thorsten Heise, një neo-nazist i shquar gjerman, tha për BIRN: “Nëse mbledhim shokë europianë të cilët më parë nuk flisnin me njëri-tjetrin, ne kemi hedhur themelet për rrjetëzimin e ardhshëm.”
Përhapja fjalës së mirë
Rrjetëzimi, megjithatë, i tejkalon qarqet politike.
Intelektualët konservatorë dhe personalitetet e kishës nga Ballkani janë bërë pjesëmarrës të rregullt në tubimet AfD-së dhe NPD-së me bashkëpunëtorët e tyre serbë dhe kroatë.
Frohnmaier i AfD-së tha për BIRN se partia e tij kishte filluar bashkëpunimin me Kishën Ortodokse Serbe në Gjermani duke ftuar Peshkopin ortodoks serb të Frankfurtit dhe gjithë Gjermanisë në atë kohës, Sergije Karanoviç, dhe bashkëpunëtorët e tij që të merrnin pjesë në një konferencë mbi vlerat familjare që partia organizoi në Shtutgart në dhjetor 2015.
Frohnmaier tha se partitë politike në Gjermani “kurrë nuk ishin përpjekur të ishin një zë” për të krishterët ortodoksë në Gjermani.
“Unë do të thosha se ishte hera e parë që një parti gjermane zhvilloi një takim zyrtar me një grup kaq të madh të krishterësh ortodoksë në Gjermani”, tha ai. “Dhe për ne ishte një kënaqësi.”
“Për mua është shumë e rëndësishme të kemi një marrëdhënie të mirë me partnerët tanë në Serbi”, tha Frohnmaier, “jo vetëm me partitë, por edhe me intelektualët.”
Në të njëjtën mënyrë, Heise i NPD-së tha se NPD-ja “bashkëpunoi ngushtë” me një sekt të vogël ortodoks të njohur si Kisha e Vërtetë Ortodokse, e cila kundërshton modernizimin.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd në nëntor 2017, Heise dhe kryetari i atëhershëm i NPD-së, Udo Voigt, u takuan me Peshkopin Akakije, kreun e Kishës së Vërtetë Ortodokse Serbe.
Një grup prej të paktën gjashtë intelektualësh konservatorë dhe të djathtë serbë dhe kroatë janë gjithashtu folës të rregullt në eventet e NPD-së dhe AfD-së, sipas gjetjeve të BIRN.
Bilokapiç dhe ish-profesori dhe aktivisti kroato-amerikan i ekstremit djathtë Tomislav Suniç ishin ndër folësit kryesorë në Kongresin Europian të krahut rinor të NPD-së në maj 2018.
Në panelet e lidhura me NPD-në në Beograd në shtator 2016 dhe nëntor 2017, profesori Branislav Filipoviç dhe profesori i gjuhës ruse Zoran Buljugiç iu bashkuan Heises.
Në korrik 2018, intelektuali konservator serb Dusan Dostaniç dhe publicisti kroat dhe sekretari ndërkombëtar i grupit identitar Generacija obnove, Leo Mariç, ishin ndër folësit kryesorë në një seminar të lidhur me AfD-në në Gjermani.
Kolegët e tyre gjermanë udhëtojnë në anën tjetër.
Në Serbi, grupet e shoqërisë civile dhe aktivistët e krahut të majtë u zemëruan kur Gotz Kubitschek, një botues i krahut të djathtë dhe një nga themeluesit e Institutit për Politikë Shtetërore, i lidhur me AfD-në, IfS, mbajti dy leksione në vend në gusht 2017.
Marc Jongen, një filozof dhe deputet i AfD-së në Bundestag, mori një reagim të ngjashëm kur u shfaq në publik në Serbi në korrik 2017.
Dostaniç, një bashkëpunëtor në Institutin për Studime Politike me qendër në Beograd, tha që të dy burrat folën vetëm për çështje “akademike”.
“Ishte larg të qenit ndonjë lloj rrjetëzimi”, tha Dostaniç për BIRN.
Seminari ku mori pjesë Dostaniçnë korrik 2018 ishte takimi i rregullt i Schnellroda i organizuar nga IfS i Kubitschek dhe i mbështetur nga AfD-ja pranë qytetit lindor të Leipzigut.
“Kubitschek përpiqet të ndihmojë AfD-në”, tha Dostaniç. “Kjo është mëse normale, sepse skena konservatore gjermane e konsideroi të nevojshme partinë e saj.”
Por Arzheimer, profesori në Mainz, tha se Kubitschek kishte plane shumë më të mëdha.
“Ai pretendon të jetë një meta-politikan, një njeri që i interesojnë më pak politikat e përditshme të partisë, por synon të edukojë elitat e ardhshme dhe duke e zhvendosur konsensusin shoqëror nga e djathta”, tha Arzheimer.
“Në një farë kuptimi, projekti i tij është shumë më i madh dhe më ambicioz sesa AfD-ja.”
Mandiç tha se AfD do të dëshironte të bashkëpunonte me të gjitha partitë “alternative” të krahut të djathtë.
“Kjo është një lëvizje që ne shohim në të gjithë perëndimin”, tha ai për BIRN. “Ky është Trampizmi.”
Frohnmaier tha se pengesat e AfD në Ballkan dhe diasporën ish-jugosllave në Gjermani kishin bërë që partitë kryesore të ishin “nervoze” për shkak të fuqisë së votimit të diasporës.
“Ne po përpiqemi vërtet të kemi marrëdhënie të mira, sidomos me vendet në Lindje”, tha ai.
Ky artikull është realizuar si pjesë e Nismës Resonant Voices në BE-, financuar nga Fondi i Sigurisë së Brendshme i Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësia e vetme e BIRN dhe nuk mund të merret për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Europian.