Me gjithë debatin mbi efikasitetin e përdorimit të maskave mjekësore nga qytetarët, shumë rrobaqepësi në Tiranë tashmë e kanë kthyer prodhimin e maskave artizanale në aktivitetin e tyre parësor, duke ofruar çmime të arsyeshme kundrejt mungesës së produkteve industriale.
Përgjatë rrugëve të Tiranës gjatë fashës orare që lejohet qarkullimi i këmbësorëve, tashmë është gati e pazakontë të shohësh dikë me fytyrë të zbuluar e të pa pajisur me maskë – simbol i mënyrës se si epidemia e koronavirusit të ri SARS-CoV-2 e ka ndryshuar jetën në Shqipëri.
E ndërsa disa javë më parë farmacitë ishin zgjidhja e vetme për t’i blerë maskat mbrojtëse, tani në dyert e gjithmonë e më shumë rrobaqepësve shihen të ngjitura njoftime në të cilat shkruhet “shesim maska”.
Gjatë muajit të fundit, masat e distancimit social për të parandaluar epideminë e COVID-19 e kanë shkurtuar ndjeshëm biznesin e rrobaqepësive artizanale të Tiranës dhe shumë prej tyre e kanë kthyer prodhimin e maskave në aktivitetin e tyre kryesor.
“Marr vazhdimisht porosi, si nga klientela ime që vjen në dyqan, ashtu edhe nëpërmjet porosive online,” shprehet pronari i rrobaqepësie së vogël “Mandrin”, në rrugën e Durrësit.
“Tani më kanë porositur për të realizuar modelin e maskave me filtër, por këto i kemi të pamundura t’i realizojmë,” shtoi ai, duke treguar një foto të modelit të maskës që i kanë dërguar për porosi klientët e tij.
Që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit të ri, disa vende e kanë përqafur përdorimin e maskave mjekësore për të parandaluar përhapjen e COVID-19, ndërsa në vende të tjera përftimet e përdorimin të maskave mjekësore nga popullata janë vënë në pikëpyetje dhe kthyer në objekt debati.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e maskave vetëm për ato persona që janë të sëmurë, kanë shfaqur simptoma të sëmundjes ose kujdesen për pacientë ose familjarë me COVID-19.
Në Shqipëri, rekomandimi i Instituti i Shëndetit Publik është në unison me OBSH-në, po kjo nuk i ka ndaluar shumë qytetarë që ta përqafojnë përdorimin e maskës mbrojtëse në publik si pjesë e masave të distancimit social.
Kërkesa e lartë për maska mjekësore mbrojtëse ka bërë që shumë farmaci ta mbarojnë stokun e tyre ndërkohë që ka çuar dhe në rritjen e çmimeve të shitjes. Për këtë arsye, një pjesë e mirë e banorëve të vendit tonë kanë gjetur si zgjidhje maskat artizanale të qepura nga rrobaqepësitë, të cilat jo vetëm kanë një çmim të arsyeshëm (100-200 lekë të reja) por edhe ofrojnë mundësinë e larjes, hekurosjes dhe ripërdorimit te tyre.
“Shkova tek farmacia e lagjes por një maskë kushtonte 800 lekë të reja. Unë duhet të blej 4 maska dhe tani mbahemi vetëm me një rrogë… nuk kam ndërmend ta çoj gjysmën e rrogës duke blerë vetëm maska”, u shpreh Valbona Malaj, një qytetare e Tiranës me profesion sekretare, e cila tashmë ka zgjedhur t’i blejë maskat në rrobaqepësinë e lagjes, pasi nuk është e detyruar ta ndërrojë atë disa herë, por vetëm ta lajë dhe ta ripërdorë ditës tjetër.
Për shkak të mungesës së maskave në farmaci, disa banorë të Tiranës kanë zgjedhur ta qepin vetë maskën mbrojtëse, duke u bazuar në videot e shumta ilustruese që qarkullojnë në internet.
“Në farmaci nuk gjeja maska, më thanë që do merrnin së shpejti, por unë dilja vazhdimisht jashtë, kështu që duhet të isha e sigurt…kështu mendova pse mos ta qep vet”, u shpreh Marina, një banore e Tiranës e ardhur nga Rusia, tashmë prej 20 vitesh rezidente në Shqipëri.
“Në kanalet e ‘YouTube’ gjen plot video ku të mësojnë si t’i qepësh maskat në shtëpi”, vijoi ajo, duke shtuar se maskat që i qep vetë nuk kanë ndonjë ndryshim nga ato që blen në rrobaqepësi.
Pronari i rrobaqepësisë “Mandrin” gjithashtu tregon se këto maska janë tepër të thjeshta për t’u përgatitur dhe me materiale tepër higjienike.
“Maskat tona kanë 8-fish garzë, gjë që garanton mbrojtje të mirë,” tregon mjeshtri i rrobaqepësisë “Mandrin”.
“Klientët mund t’i lajnë, t’i hekurosin e prapë maskat nuk i gjen gjë. Garza konsiderohet si materiali më higjenik”, shpjegoi ai.
Ngjashëm u shprehën për BIRN edhe 2 pronaret e një atelier-i të vogël pranë rrugës ‘Myslym Shyri”, të cilat pranuan se materialet që përdorin janë napat/garzat të palosura shumëfish, por ndonjëherë përdorin edhe copë të thjeshtë me ngjyrë, për ata klientë që kërkojnë ngjyrat.
“Mesatarisht në ditë shesim diku 20-30 maska,” u shprehen ato duke theksuar se të gjitha shitjet i kryejnë pranë dyqanit të tyre.
Edhe pronarët e rrobaqepësisë ‘Caja’ në Tiranë thonë se prej gati dy javësh aktiviteti i tyre është kufizuar në qepjen maskave mbrojtëse.
“Në fillim filluan të na kërkonin të afërmit pasi filloi karantina dhe mbaruan maskat në farmaci, më pas filluam të qepnim dhe për klientët tanë,” shpjeguan ata, duke shtuar se mesatarisht shiten nga 5 deri në 20 maska në ditë.
Rrobaqepësit thanë se kanë dhuruar rreth 150 maska tek ata persona që nuk kanë pasur mundësinë ekonomike për t’i blerë, duke nënvizuar se këtë punë nuk po e bëjnë për të fituar para por për humanizëm.
“Ne përdorim material 100% pambuk, që mund të lahet deri me 90 gradë nxehtësi, për t’i dezinfektuar,” shpjeguan ata, duke theksuar se fillimisht i kanë provuar vetë maskat, “duke i larë dhe duke i ripërdorur.”
“Klientelën e fustaneve, të kamishave dhe të mbulesave e kemi humbur totalisht gjatë këtyre ditëve, kështu që shpresojmë që t’i rikthehemi sa më shpejt normalitetit pasi aktualisht nuk po fitojmë asgjë”, përfunduan rrobaqepësit nga Tirana”.