
Moslejimi i autoriteteve të qytetit të ndihmojnë ata që janë prekur më shumë nga pasojat ekonomike të COVID-19 është një përpjekje e maskuar për të marrë hak ndaj një sërë humbjesh në qytetet kryesore të Turqisë në zgjedhjet lokale vitin e kaluar, thonë kritikët e partisë në pushtet dhe presidentit të Turqisë, Edrdogan.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, autoritetet e qytetit në qytetin e Stambollit, Turqi, i kanë siguruar më shumë se 3,600 familjeve një ndihmë prej 300 lirash (41 euro) dhe 6,400 familjeve të tjera nga 600 lira secila (82 euro) për të ndihmuar në krizën e shkaktuar nga koronavirusi.
Paratë u grumbulluan nga dhurimet në një qytet të drejtuar që nga mesi i vitit 2019 nga kundërshtarët e Partisë Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet të Turqisë, AKP.
Por fushata për të ndihmuar ata më në nevojë zgjati vetëm një ditë e gjysmë, tha për BIRN bashkia e Stambollit, IBB, sepse qeveria turke i ndaloi bashkitë të mbledhin donacione dhe të shpërndajnë ndihma. Dhe kjo nuk është e gjitha.
“2.7 milion lira turke (365,000 euro) nuk mund të përdoren duke qenë se qeveria bllokoi llogaritë tona bankare”, tha IBB.
Kritikët e AKP-së dhe udhëheqësit të saj, presidenti Rexhep Tajip Erdogan, thonë se ata po shfrytëzojnë pandeminë COVID-19 për të marrë hak për humbjen e partisë në shumicën e qyteteve të mëdha në Turqi ndaj opozitës në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Erdogani, thonë ata, është i vendosur të parandalojë gjasat që kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, të fitojë më tepër popullaritet.
“Liderit lokalë, ku është përqendruar pandemia, tërheqin vëmendjen në çdo vend”, tha shkencëtarja politik Sezin Oney.
“Të gjithë sytë janë te Nju Jorku në SHBA, Bergamo në Itali dhe Stamboll në Turqi dhe natyrisht kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, merr vëmendje”, tha ajo.
“Humbja e Stambollit ishte shumë e dhimbshme për Erdoganin dhe kjo dhimbje ndihet përsëri në një krizë të tillë.”
Sundimi i Erdoganit kërcënohet nga kryetari i bashkisë së Stambollit

Sipas shifrave zyrtare, që nga 21 prilli Turqia kishte më shumë se 95,000 raste të konfirmuara me COVID-19, duke u renditur kështu mbi Kinën dhe duke u bërë vendi i shtatë më i prekur në botë. Turqia ka rreth 2,259 të vdekur.
Më 20 prill, Erdogan njoftoi masa të reja për të frenuar përhapjen, përfshirë një izolim total në shtëpi për katër ditë. Në fillim të muajit, Ministria e Brendshme ndaloi bashkitë të mbledhin donacione për të ndihmuar ata më të prekur nga pandemia dhe bllokoi llogaritë bankare që përdoreshin për të bërë këtë.
Erdogani i ka vënë syrin bashkive të drejtuara nga opozita, duke i akuzuar ata për krijimin e një “shteti paralel” dhe përdorimin e metodave “terroriste” për të dëmtuar përpjekjet e qeverisë. Të gjitha masat, tha ai, duhet të merren dhe drejtohen nga qeveria qendrore, e cila ka filluar fushatën e vet për të rritur donacionet. “Luftimi i pandemisë kërkon planifikim qendror dhe koordinim të fortë”, tha Erdogan më 20 prill, duke u bërë thirrje bashkive të drejtuara nga opozita të ndalojnë “shfaqjet e tyre politike”.
Analistët thonë se hapat e qeverisë shënojnë vazhdimin e një beteje politike të lartë, që po zhvillohet që kur AKP-ja humbi pushtetin në disa qytete të mëdha turke, duke përfshirë Stambollin, qendrën ekonomike dhe kulturore të vendit, kryeqytetin Ankaranë dhe qytete të tjera të mëdha industriale, turistike dhe bujqësore qendra të tilla si Izmiri, Adana, Antalia dhe Mersini në zgjedhjet që u mbajtën në mars të vitit të kaluar.
Autoritetet elektorale kërkuan mbajtjen përsëri të votimeve në Stamboll, të cilin Imamoglu e fitoi në qershor me një diferencë prej më shumë se 800,000 votash.
Imamoglu shihet gjerësisht si e vetmja figurë politike e aftë të kërcënojë kontrollin e autoritar 18-vjeçar të Erdoganit. Vetë Erdogani kka qenë kryetar bashkie i Stambollit.
“Në çdo vend të botës një kryetar bashkie që shpërndan bukë dhe ushqime nuk do të trajtohej si udhëheqësi i një organizate terroriste”, tha Imamoglu më 22 prill. “Ne nuk kemi asnjë përparësi tjetër përveç e t’i shërbejmë popullit.”
Gazetari Leven Gultekin tha në emisionin e tij të përjavshëm në Media Scope TV: “Erdogani nuk duron dot opozita të përdor të njëjtat metoda për t’u ngritur në politikë.”
“Komunat e drejtuara nga opozita e kanë të ndaluar të shpërndajnë ushqime dhe bukë me me vendime të paligjshme dhe aspak etike”, tha ai. “Erdogani ndalon bashkitë që mund të ndihmojnë miliona njerëz në nevojë, thjesht për shkak të llogaritjeve politike që ai bën.”
CHP0-ja e opozitës e akuzoi Erdoganin se po zhvillonte një fushatë “urrejtje dhe hakmarrje” kundër bashkive të drejtuara nga kjo parti.
“Vendi ynë nuk po lufton vetëm pandeminë, por edhe arrogancën e pallatit”, tha zëdhënësi i CHP-së, Faik Oztrak, duke iu referuar pallatit presidencial të Erdoganit.
“Mos është gjë krim?”

Qeveria turke ka luftuar për të mbajtur nën kontroll informacionin që mbërrin te publiku mbi përhapjen e koronavirusit dhe ndikimin e tij në sistemin shëndetësor dhe ekonominë, por vazhdojnë ende pyetjet mbi saktësinë e shifrave zyrtare.
Pandemia ka ardhur pas një vargu krizash politike dhe ekonomike për Erdoganin që kanë zbrazur arkat e shtetit.
“Sipas hulumtimit tonë, 60 për qind e qytetarëve turq nuk kanë asnjë kursim që të mund ta përdorin në një situatë të jashtëzakonshme si pandemia”, tha Oney. “Shumë njerëz mbështeten tek të ardhurat e tyre të përditshme dhe hanë ato që mund të marrin atë ditë.”
Peizazhi politik në Turqi është shumë i polarizuar, tha ajo, dhe konflikti midis Erdoganit dhe bashkive të drejtuara nga opozita po e përkeqëson situatën. “Ky konflikt dëmton përgjigjen ndaj pandemisë”, tha Oney për BIRN. “Njerëzit po humbasin të dashurit e tyre dhe problemet ekonomike po shtohen.”
Në Stamboll, autoritetet e qytetit thanë për BIRN se ata kanë shpërndarë ushqime dhe pako me produkte higjienike për 7,000 familje dhe planifikojnë të bëjnë dhurime të ngjashme për 500,000 familje të tjera.
Në Ankara, bashkia e drejtuar nga opozita njoftoi gjithashtu më 21 prill se do të shpërndajë 100,000 pako ndihme në javë.
Duke iu përgjigjur kritikave të Erdoganit, kryebashkiaku nga partia e opozitës në qytetin portual jugor të Mersinit, Vahap Secer, tha për radi RS FM: “Ne rritëm kapacitetin tonë të prodhimit të bukës dhe po shpërndanim 35,000 bukë falas për ata që kanë nevojë, por qeveria na e ndaloi këtë gjë.”
“Ne ndihmuam ata që thonë se kanë nevojë për ndihmë. A është gjë krim kjo gjë?”