Pesë persona u arrestuan ose u vendosën në masë sigurie arrest shtëpiak pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në të cilin u zbulua se 6 mijë euro ndërruan duar për lirimin nga masa e sigurisë arrest me burg të një të arrestuari për trafik klandestinësh.
Pesë persona u arrestuan ose u vendosën në masë sigurie arrest shtëpiak nga SPAK në një rast tjetër të dyshuar për mitëmarrje në sistemin e drejtësisë. SPAK bëri të ditur se gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila është komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec për veprën penale Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Rasti i hetuar me “metoda proaktive”’, një eufemizëm që nënkupton mbajtjen e të dyshuarve në përgjim, zbuloi se tre shtetas Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, ky i fundit avokat, i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh. Pas transferimit të shumës, Gjykata e Apelit të Korçës ndryshoi masën e sigurisë së Orion Balit, i cili ishte ndaluar në korrik të këtij viti duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm nga Korça për në drejtim të kufirit malazez. Policia njoftoi në atë kohë se emigrantët e paligjshëm që dukshëm po përpiqeshin të arrinin Europën Perëndimore përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, kishin paguar 100 euro personi për shërbimin e transportit në Shqipëri.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë urdhëroi arrestimin e bashkëshorit të gjyqtares Arben Cara dhe dy qytetarëve Nejton Bali e Klaudjo Zhilla ndërsa dha masën e sigurisë arrest shtëpie për gjyqtaren dhe avokatin Demiraj.
Gjatë viteve të fundit, së paku nëntë gjyqtarë të tjerë janë arrestuar apo dënuar për korrupsion. Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea u arrestua në vitin 2016 dhe më pas u gjet fajtore për një ryshfet 50 mijë euro të marrë përmes bashkëshortit të tij për një gjyq pronash. Gjyqtari Shkëlqim Miri i gjykatës së apelit Tiranë u arrestua në vitin 2017 pas një hetimi mbi ryshfetin 30 mijë euro të paguar për të lehtësuar një të dënuar për vrasje. Gjyqtari Rasim Doda u gjykua pas një denoncimi se kishte kërkuar 80 mijë euro ryshfet. Gjyqtarët e apelit Durrës Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u gjetën fajtorë për dhënien e një vendimi përkundrejt një shpërbimi në natyrë, udhëtim turistik për në Barcelonë. Gjyqtari i Fierit Roland Hysi u arrestua pasi u përgjua duke i kërkuar seks një gruaje që kërkonte kujdestarinë e fëmijës në gjykatë. Gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u vu nën hetim pas dyshimeve se kërkoi seks nga një qytetare që gjendej në proces divorci. Po kështu gjyqtari Ibrahim Hoxha i Tiranës u arrestua për një ryshfet 600 mijë lekësh.