Kuvendi votoi të hënën me 97 vota pro ndryshimet në kodin zgjedhor, duke çmontuar koalicionet që kanë funksionuar në tre zgjedhjet e fundit dhe duke i dhënë votuesve të drejtën të japin një votë pëlqyese por jo përcaktuese për kandidatët për deputetë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi të hënën ndryshimet e kërkuara nga kryeministri Edi Rama në kodin zgjedhor, të parat ndryshime të tilla të njëanshme në sistemin zgjedhor të vendit në më shumë se dy dekada.
Ndryshimet në kodin zgjedhor u votuan me 97 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.
Bashkë me deputetët e Partisë Socialiste votuan edhe një numër deputetësh nga ata që njihen si “opozita e re” apo “opozita parlamentare” ndërsa deputetët më të zëshëm të opozitës së re, si Rudina Hajdari, protestuan ndaj projektit të Ramës për hapjen e listave me votë pëlqyese por jopërcaktuese.
Opozita jashtëparlamentare protestoi ndaj ndryshimeve duke i quajtur ato “të njëanshme” dhe që dëmtojnë shanset e vendit për integrim europian.
Shqipëria ka kryer ndryshime të sistemit zgjedhor me konsensus në vitet 2003 dhe 2008 ndërsa PD dhe PS i kanë lejuar vetes të bëjnë ndryshime të njëanshme në sistem respektivisht në vitet 1996 dhe 2000.
Ndryshime të njëanshme
Sipas ndryshimeve të miratuara, partitë politike nuk mund të bëjnë më koalicione parazgjedhore bazuar në një formulë të veçantë të ndarjes së mandateve brenda koalicioneve, formulë që ka funksionuar në zgjedhjet e viteve 2009 -2017.
Kjo nuk i ndalon partitë që të krijojnë lista të përbashkëta garimi, por në këtë rast, këto parti kanë nevojë të bien dakord paraprakisht se sa kandidatë fitues do të ketë secila palë. Sistemi i ndarjes së mandateve, që mbetet i mbështetur në formulën D’Hondt duket se favorizon atë parti që arrin të marrë qoftë edhe një votë më shumë në secilin qark ku garohet ndërsa disfavorizon partitë e vogla në krahasim me të mëdhatë.
Rama, i cili është akuzuar se po bën një ndryshim në rregullat e lojës pa kompromis duke shkelur më shumë se dy dekada dakordësi politike në vend, tentoi të distancojë veten gjatë fjalimit në parlament duke deklaruar se ai po voton “punën e komisioneve” dhe jo thjeshtë propozimet e veta.
Opozita jashtëparlamentare e përbërë nga PD dhe LSI dha opinionin e saj mbi ndryshimet të dielën në darkë. Sipas Oerd Bylykbashit nga PD, ndryshimet tregojnë dobësitë politike të Ramës ndërsa sipas Petrit Vasilit, nga LSI, vota e sotme në parlament godet rëndë procesin e integrimit europian të vendit pasi ndryshimet në sistemin zgjedhor me kompromis mes palëve politike janë një nga kriteret që duhet të plotësohen nga Shqipëria.
“E gjithë kjo bëhet për vetëm një qëllim, që Edi Rama të reduktojë sa të mundet humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme,” deklaroi Bylykbashi.
“Votimi nesër është prova e fundit të paralajmëruar të Edi Ramës. Votimi i nesërm varros integrimin europian të Shqiptarëve,” komentoi Petrit Vasili.
Votë pëlqyese
Ndryshimi tjetër i miratuar sot është që mbështetësit e secilës parti politike, përveç partisë së vet, do të kenë mundësinë të japin edhe një votë pëlqyese për listën e kandidatëve të përcaktuar zakonisht nga kryetari i partisë. Sipas formulës së socialistëve, një kandidat për deputet i një partie të caktuar, është në gjendje që të ndryshojë renditjen në listë në rast se ai arrin të marrë më shumë vota se sa mesatarja e kandidatëve të tjerë të partisë. Një formulë e tillë jep shumë pak shanse arithmetikore për të ndryshuar renditjen e caktuar nga partia ndërsa e zhvlerëson votën e një votuesi për kandidatin në një farë pëlqimi pa pasoja konkrete.
Rama nuk e fshehu gjatë fjalës së tij në parlament se lista do të jetë e mbyllur, madje përsëriti argumentin se listat e hapura ndihmojnë krimin në zgjedhje.
“Lista të hapura që zënë formulën e hapjes, mbjellin llumin, paranë e zezë, forcat që ushtrojnë presion nëpër komunitete,” deklaroi ai.
Sipas Ramës, Partia Socialiste “është një familje politike ku ka rregulla dhe ka të drejtë që të rendisë skuadrën e vet, nga portieri te sulmuesi bashkë me rezerva dhe çdo rezervë që merr votat futet në fushë, shumë e thjeshtë.”
Sali Berisha dhe Edi Rama arritën një marrëveshje në vitin 2008, në bazë të së cilës, partitë politike garojnë me lista të mbyllura në zgjedhje parlamentare dhe ato për këshillet bashkiake të pushtetit vendor. Sistemi duket se ka zgjeruar hendekun mes deputetëve dhe votuesve, mes këshilltarëve bashkiakë dhe votuesve, duke i dhënë mundësi disa figurave jo shumë të pëlqyera të partive të fshihen nëpër listat e partisë dhe jo të garojnë drejtpërsëdrejti. Por sistemi ka ngritur shqetësime edhe për themelet e demokracisë për shkak se në sistemet e demokracive liberale, parlamenti kontrollon ekzekutivin ndërsa në rastin e Shqipërisë, kryeministrat kanë qenë në gjendje të ushtrojnë kontroll tërësor të parlamentit.
Më herët këtë vit, si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha pranuan publikisht se dëshira e përgjithshme e popullsisë është që mbështetësit e secilës parti të kenë mundësi të zgjedhin deputetin, por që të dy shprehën gjithashtu publikisht dëshirën për të mos i hapur listat. Sipas Bashës, kjo çështje “duhet të diskutohet gjerësisht më vonë” ndërsa sipas Ramës “listat e hapura nuk do ta përmirësojnë cilësinë e parlamentit”.
Ndërsa drejtuesit e politikës kërkuan dhe duket se mbajtën listat e mbyllura, disa deputetë të opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, e cila i zgjodh më 2017 nga listat e PD-së dhe Ralf Gjoni nga listat e LSI-së, kërkuan me ngulm që shqiptarët të votojnë në një sistem me lista të hapura, në të cilin, mbështetësit e secilës parti përcaktojnë se cili nga kandidatët e partisë shkon në parlament dhe cili nuk shkon.
Rama u duk sikur bëri një kthesë në korrik të këtij viti kur deklaroi se dëshironte heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe hapjen e listave, kjo sipas tij, kërkesë e opozitës parlamentare. Hajdari, e cila bashkë me deputetët e tjerë të opozitës parlamentare i lejuan Ramës ndryshimet e korrikut, të hënën më 5 tetor protestoi pa sukses ndaj asaj që ajo e quajti një “hapje e gënjeshtërt” e listave zgjedhore.
Debati mbi listat e hapura duket se gjithsesi shkaktoi një farë sikletosjeje për kreun e PD-së dhe atë të PS-së. Disa muaj më parë, Basha deklaroi se do të bëjë zgjedhje të brendshme në parti për të identifikuar kandidatët për deputetë, ndërsa Rama shpalli se do të ndërmarrë në proces të ngjashëm brenda PS-së, por njëkohësisht kritikoi procesin brenda PD-së si farsë.