Këshilli i lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ILD për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili u dënuar për korrupsion pasi u arrestua për korrupsion në nëntor të 2017-ës, pasi ndikoi në lehtësimin e dënimit të një të pandehuri për vrasje.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të martën të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Shkëlqim Miri – i cili u dënua për korrupsion nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të rënda me 2 vjet e 6 muaj burgim në 27 nëntor të 2018, vendim i cili u la në fuqi disa muaj me vonë nga Apeli, por duke e zbutur dënimin me 6 muaj.
Zëdhënësja për mediet e Inspektoriatit të Lartë të drejtësisë, Mimoza Koçiu njoftoi të martën se pas paraqitjes së fakteve se gjyqtari Shkëlqim Miri, me veprimet e tij dhe të personave të jashtëm kishte diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit dhe cënuar besimin e publikut te drejtësia, KLGJ ka caktuar ndaj tij masën disiplinore “shkarkim nga detyra”.
Shkëlqim Miri u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Ish-gjyqtari së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe shtetasin Alban Bucin u arrestuan nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi u dyshuan se ndërhynë për të lënë në fuqi dënimin me 8 vite burg për të pandehurin Gentian Doda kundrejt 30 mijë eurove – vendim i cili i dha lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.
Gentian Doda, i cili ishte dënuar në vitin 2012 me 20 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes kishte marrë një ulje dënimi nga Gjykata e Matit dhe më pas trupa gjykuese e Apelit të Tiranës, pjesë e të cilës ishte edhe gjykatësi Miri.
Shkëlqim Miri, 46 vjeç, ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Akuza ndaj ish-gjyqtarit Miri u mbështetën në një sërë përgjimesh dhe më pas në sekuestrimin e sasisë prej rreth 250 mijë eurosh që u gjetën ‘cash' në shtëpinë e tij.