Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, numri i vdekjeve në vend u rrit me 882 vetë. COVID-19 duket se ka shkaktuar gjysmën e këtyre vdekjeve.
Numri i vdekjeve të raportuara në zyrat e gjendjes civile në periudhën nëntëmujore janar-shtator 2020 ishte 17,398, me një rritje prej 882 personash në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i vdekjeve gjatë viteve të fundit ka qenë në përgjithësi stabël ndërsa rritja e vitit aktual mund të jetë e nënraportuar për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Në fakt, në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti, numri i vdekjeve ka shënuar rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërsa në tremujorin e tretë është shënuar një rritje prej 1288 personash. Viktimat e shkaktuara nga koronavirusi i ri duket se shpjegojnë një pjesë të vdekjeve shtesë.
Shqipëria shënoi vdekjen e parë të lidhur me koronavirusin më 11 mars, vetëm dy ditë pasi identifikoi për herë të parë praninë e këtij virusi në vend. Që nga kjo datë deri më 30 shtator 2020, Shqipëria numëroi 387 viktima sipas statistikave zyrtare. Shumica e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në muajt gusht e shtator.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur më herët se ajo klasifikon si viktima të COVID vetëm rastet kur personat vdesin nga komplikimet e shkaktuara nga kjo sëmundje ndërsa së paku disa raste të vdekjeve të pacientëve me COVID-19 nuk janë llogaritur në këto statistika për shkak se është vlerësuar se vdekja ka ardhur nga shkaqe të ndryshme.
Shqipëria numëroi viktimën 605 nga COVID-19 të premten më 13 nëntor, ndërsa numri i viktimave nga kjo sëmundje ka pësuar rritje dramatike gjatë javëve të fundit. Që nga fillimi i nëntorit, në Shqipëri kanë vdekur mesatarisht 7.4 persona në ditë dhe nëse situata ndjek këtë tendencë, Shqipëria do të ketë qindra viktima të tjera nga koronavirusi gjatë muajve në vazhdim.