Lulzim Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj u shpallën në kërkim nga SPAK për vrasjen e tre personave në dy ngjarje, përfshi edhe ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lamaj me bombë me telekomandë në ashensorin e pallatit ku jetonte.
Policia e Shtetit njoftoi të shtunën ndalimin në Emiratet e Bashkuara Arabe të një prej anëtarëve të “Bandës së Durrësit”, Plaurent Dervishajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar së bashku me kunatin e tij, Lulzim Berisha për përfshirjen në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi në shkurt të vitit 2005. Ndërkohë, Lulzim Berisha vazhdon të mbetet në arrati.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën se hetimi për vrasjen e Lamajt dhe Arsit, i pezulluar vite më parë, është rihapur në vitin 2020 dhe më 2 dhjetor gjykata ka vendosur masë sigurie arrest me burg për shtetasit Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taullan dhe L. Reçi, si të përfshirë në këtë ngjarje. Por, dy të dyshuarit, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj nuk u arrestuan nga policia.
Policia njoftoi se arrestimi i Dervishajt është bërë i mundur nga homologët e Interpol ABU DHABI, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e Interpol Tiranës, bazuar në urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga SPAK.
Plaurent Dervishaj akuzohet nga SPAK për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Arrestimi i tij në Emirate u krye për qëllime ekstradimi.
I pyetur nga BIRN nëse Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, drejtori i Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar në Policinë e Shtetit, Andi Likaj tha se ekzistojnë marrëvshjet me të gjitha shtetet e botës.
“Do e sjellim këtu,” tha ai duke iu referuar Dervishajt.
Krahas Berishës dhe Dervishajt, nën akuzë për vrasjen e Lamajt e Arsit është edhe Emiljano Shullazi, i cili është aktualisht nën gjykim për akuza krimesh të tjera.