Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Analiza

Gjurmët e përgjakshme të gjuetisë së paligjshme në Shqipëri

Sami CurriNgaSami Curri
20:50 | 26/02/2021
Në Analiza, Artikull kryesor Analiza, Mjedisi, Në Fokus
Kohe leximi: 6 minuta
A A
0
Shqipëria synon miratimin e një ndalimi të ri, më të gjatë të gjuetisë

Gjahtarë të paligjshëm në ligatinën e Adriatikut, më 27 mars. Foto kortezi e Taulant Bino.

Share on FacebookShare on Twitter

Sipas aktivistëve mjedisorë dhe shoqatave të gjuetarëve, vrasjet dhe plagosjet gjatë gjuetisë janë dëshmi tragjike se moratoriumi nuk ka funksionuar ashtu siç duhet.

Shkatërrimi i një fushenjze (vendstrehim për gjueti) në lagunën “Sektor Rinia” Durrës. | Foto kortezi PPNEA.

Me 26 nëntor 2017, me një natën natë dimri me mot të butë, Klodian Kola dhe Elidon Basha kishin dalë për gjah në Fushë Bulqizë me një motor ‘Yahama’.

Kola, i cili ishte në timon dhe drejtonte motorin, kishte varuar në qafë një çifte gjahu dhe në kohë kishte vendosur një dritë elektrike – të ngjashme me atë që përdornin minatorët, për t’i ndriçuar rrugën. Ngjitur pas tij, Elidon Basha ishte armatosur me një pushkë automatike Model 56, e njohur më mirë si Kalashnikov.

Në afërsi të vendit të quajtur ‘Fusha e Peladhisë’ – ku dikur ngrihej një repart ushtarak, Kola ka parë një lepur dhe ka ndaluar motorin, e ka fikur dhe e ka siguruar me kambalec. Basha ka zbritur, ka lëshuar përdhe pushkën dhe i ka marrë mikut të tij gjahtar çiften, duke bërë 10-15 hapa larg për të qëlluar lepurin.

Ndërkohë, Kola është zgjatur për të ngritur pushkën nga toka dhe ajo ka shkrepur duke e plagosur Bashën në krahun e djathtë. Kola i ka lidhur plagën me bluzën golf dhe është nisur drejt spitalit, ku Basha ka humbur jetën disa orë më vonë për shkak të hemorragjisë.

Fillimisht Kola e ka gënjyer policinë duk i thënë se shoku i tij është vetëplagosur, por më pas ai ka pranuar se gjithçka ka qenë një aksident tragjik.

“Pa dashje kam shkelur këmbëzën e automatikut me gisht dhe arma qëlloi, pa dashje,” tha Kola në dëshminë e tij.

Megjithëse gjuetia është ndaluar me moratorium prej 7 vjetësh, aksidentet e rënda si ai që i mori jetën  të riut Elidon Basha janë raportuar disa herë në media edhe pse statistka të plota nuk ka. Policia e Shtetit në përgjigje të një kërkese për informacion, i tha BIRN se në 5 vjet kishte vetëm një viktimë dhe një të plagosur në aksidente gjuetie.

Megjithatë, një kërkim i pjesshëm në databazën e vendimeve gjyqësorë zbuloi katër çështje penale – dy masa sigurie dhe dy vendime themeli, në të cilat gjuetia e paligjshme referohet si rrethana në të cilët kishin ndodhur katër vrasje – tre të klasifikuara si “vrasje nga pakujdesia” dhe një si “vrasje me dashje”.

Duke komentuar mbi një emision televiziv për gjuetinë paligjshme me 24 shkurt, zëvendës kryeministri Erjon Braçe u shpreh i shqetësuar, duke nënvizuar se ky aktivitet i paligjshëm po merrte jo vetëm jetët e kafshëve të egra.

“Provë e qartë se gjuetia është kaq fakt sa edhe e paligjshme, madje po kthehet në vrasje mes njerëzish që kurrë nuk janë gjuetarë,” shkroi Braçe në rrejtin social Facebok.

Ngjashëm me Braçen të shqetësuar janë dhe aktivistët mjedisorë, të cilët theksojnë se përpos moratoriumit gjuetia e paligjshme vazhdon e pashqetësuar në të gjithë vendin.

Mirjan Topi nga Qendra “Shpendët e Shqipërisë”, i tha BIRN se nga vëzhgimet në terren në disa zona i rezulton se “zbatimi i moratoriumit të gjuetisë është pothuajse inekzistent”.

Ndërkohë, përfaqësuesit e shoqatave të gjuetarëve fajësojnë moratoriumin, duke theksuar se ndalimi i gjuetisë së ligjshme e ka përkeqësuar situatën, duke i vendosur armët e gjahut në duar të patrajnuara.

“Në të shumtën e rasteve i përdorin adoleshentët për gjueti të kundërligjshme,” tha Themi Perri, kreu i Federatës së Gjuetarëve të Shqipërisë, ndërsa shtoi se në disa raste kjo politikë ka sjellë pasoja fatale.

Rezultatet e dyshimta të moratoriumit

Moratoriumi për ndalimin e gjuetisë u miratua fillimisht në mars të vitit 2014 për 2 vite, dhe në vitin 2016 u zgjat edhe me 5 vite të tjera. Qëllimi i këtij ligji ishte ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i tha BIRN se moratorium i gjuetisë u ndërmor për shkak të gjendjes kritike të popullatave të faunës së egër gjatë dy dekadave të fundit, si pasojë e gjuetisë së pakontrolluar. Ministria tha se kishte shumë armë gjahu në qarkullim, ndërsa kishte një shqetësim edhe nga gjuetarët e huaj, një pjesë e të cilëve klandestinë.

“Ka rikthyer dhe përmirësuar tërësisht situatën për faunën e egër në vendin tonë,” tha Ministria për moratoriumin, duke iu referuar sondazheve të kryera nga një numër aktorësh – përfshirë disa organizata jo-qeveritare.

Ndryshe nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, Mirjan Topi i tha BIRN se moratoriumi ndaloi të gjuanin vetëm profesionistët, të cilët i zbatonin edhe rregullat që ishin në fuqi para tij.

“Moratoriumi nuk ka gjetur askund zbatim në nivelet e pritura,” tha Topi, ndërsa theksoi se nuk ka pasur studime që të vlerësonin nëse pati apo jo përmirësim të gjendjes së faunës për shkak të moratoriumit.

Ai shton se vetëm Rrjeti Kombëtar i Zonave të Mbrojtura u vu nën kontroll, por përtej këtyre zonave gjithçka mbeti e pandryshuar.

“Rastet e ‘gjahkeqësisë’ kanë qenë gjithmonë prezente dhe gjatë viteve të fundit tepër të shpeshta,” tha Topi, duke veçuar si problem zonat malore, në të cilat kontrollet kanë qenë më pak të pranishme.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për vitet 2018-2020, tregojnë se shumica e atyre që janë ndaluar në gjueti të paligjshme ishin edhe me armë të paregjistruara.

Sipas policisë, nga 53 raste të gjuetisë së paligjshme në tre vitet e fundit,  32 persona u ndoqën penalisht edhe për “mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë”.

Të dhënat e marra nga Ministria e Mjedisit për vitet 2014 -2018 dhe Policia e Shtetit për vitet 2018-2020, tregojnë se rastet e gjuetisë së paligjshme mbetën thuajse të pandryshuara në vite, me një mesatare prej 18 rastesh të identifikuara në vit për gjatë gjithë kohëzgjatjes së moratoriumit.

Të vetmet vite me numra të vegjël ishin 2017 me vetëm 6 raste dhe 2019 me 9 raste.

Federata e Gjuetarëve të Shqipërisë, e cila disa herë është përpjekur të rrëzoi moratoriumin dhe që në vitin 2020 i dorëzoi Kuvendit një peticion mbi 20 mijë firma – në të cilin kërkohej abrogimi i ligjit, pretendon se gjuetia e paligjshme u favorizua gjatë kohëzgjatjes së tij.

Kreu i Federatës, Themi Perri i tha BIRN se gjatë viteve të moratoriumit fauna e egër ishte dëmtuar më shumë se sa ishte mbrojtur.

“Ka 7 vite që është vendosur me vendim parlamenti, por ka po 7 vite që nuk ka funksionuar as edhe një ditë,” tha Perri.

Ai pretendon se moratoriumi e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e faunës së egër në Shqipëri.

“Nëse në sezonin e gjuetisë, bëhej ditën dhe me rregulla të forta, tani po gjuhet edhe natën, ku po rrezikohen kafshë që janë të ndaluara me ligj të gjuhen,” shtoi Perri.

Mungesa e trajmimeve rrezikon gjuetarët

Gjahtari i paligjshëm në ligatinën e Adriatikut. Foto kortezi e Taulant Bino.

Enton Mele, kryetar i Këshillit Kombëtar të Federatës Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim, shprehet se bllokimi i aktivitetit të gjuetisë për të gjithë speciet ka dhënë efekte negative edhe sa i përket sigurisë së gjuetarëve.

Mele shprehet se moratoriumi ka bllokuar përgatitjet për ata që duan të ushtrojnë gjueti dhe e ka nxjerrë aktivitetin në ilegalitet duke u hapur rrugë aksidenteve.

“Ky proces normalisht në të gjithë botën zhvillohet nga forumet e gjuetarëve,” tha ai.

Mele thotë se gjuetia ka rregulla strikte që mbrojnë gjuetarët dhe që nëse nuk zbatohen përfundojnë në aksidente të rënda.

Ai shton se me moratoriumin, Federata e Gjuetarëve të Shqipërisë është mënjanuara nga menaxhimi i procesit të gjuetisë dhe ata që ushtrojnë aktivitetin ilegalisht nuk janë as të regjistruar dhe as të trajnuar.

“Sot nuk kemi certifikim zyrtar të një personi i cili duhet ta kalojë këtë proces, përpara se të pajiset me leje arme,” tha Mele.

“Të gjitha anomalitë lindin nga një proces i parregulluar ligjërisht,” theksoi ai, ndërsa shtoi se nëse do të përfshihej komuniteti i gjuetarëve të ligjshëm dhe federata do të ndihmonin në kontroll më të mirë të situatës.

Për përfaqësuesin e Federatës, shqetësues është edhe përfundimi i moratoriumit pa përgatitur rregulla të qarta në vijim dhe pa legjislacionin e duhur.

“Gjithë kjo periudhë 7-vjeçare duhet të ishte shfrytëzuar për trajnime dhe për masa rregulluese në mënyrë që ne mos e gjejmë veten në kushtet e një gjuetie të parregulluar dhe abuzive,” përfundoi Mele.

Etiketa: Mjedisi
Tjetri
Arkeologu: Torra ‘veneciane’ e Durrësit është ndërtim i sundimit Osman

Arkeologu: Torra ‘veneciane’ e Durrësit është ndërtim i sundimit Osman

Më të lexuarat

Kompania e lidhur me zyrtarin e PS ndërtoi kate pallati ‘pa leje’ në zemër të Tiranës

Organizatat ndërkombëtare shpërthejnë me kritika ndaj Veliajt për “demaskimin” e Lolitës dhe JOQ

17:47 | 31/03/2023
Shqipëria synon miratimin e një ndalimi të ri, më të gjatë të gjuetisë

Gjurmët e përgjakshme të gjuetisë së paligjshme në Shqipëri

20:50 | 26/02/2021
Kreu i ri i SPAK u zgjodh mes spekulimeve dhe nën monitorimin nga afër të ndërkombëtarëve

KLP sfidon Kolegjin dhe propozon rikthimin e prokurorit Besnik Cani në detyrë

15:12 | 30/03/2023
Ujërat e ndotura pengojnë programin e “Flamurit Blu” në bregdetin shqiptar

Ujërat e ndotura pengojnë programin e “Flamurit Blu” në bregdetin shqiptar

19:29 | 27/03/2023
Në rajonet e thella shqiptare, migrimi bëhet pothuajse i pashmangshëm

Në rajonet e thella shqiptare, migrimi bëhet pothuajse i pashmangshëm

14:05 | 27/03/2023
“Mbretërit e Parë të Europës”: Objektet prehistorike ekspozohen në SHBA

“Mbretërit e Parë të Europës”: Objektet prehistorike ekspozohen në SHBA

18:04 | 24/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.