Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtor ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, duke e dënuar me 2 vjet heqje lirie për fshehje të pasurisë.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi të enjten me 2 vjet burg dhe konfiskim pasurie ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Llalla ishte prezent në gjykatë por nuk e komentoi vendimin për gazetarët.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.