
Një 36-vjeçar, minator në një prej galerive në zonën D në Bulqizë, është plagosur pas shpërthimit të një mine.

Një minator u plagos të hënën në galeritë e zonës krom-mbajtëse D në Bulqizë, pas shpërthimit të një mine në një nga galeritë e nxjerrjes së kromit. Sipas komunikatës paraprake të policisë bëhet me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 12:00. “Gjatë punës është aksidentuar shtetasi V. D., i cili është transportuar drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.” thuhet në deklaratën e DVP Dibër.
Burime nga spitali i Bulqizës i thanë BIRN se minatori i plagosur kishte dëmtime në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Minatori i aksidentuar është dërguar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore.
Aksidentet në zonën minerare të Bulqizës janë shpeshta. Pak javë më parë në Martanesh, duke salduar brenda në galeri dhe si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori u asfiksuan tre minatorë. Pesë të vdekur dhe 28 të plagosur u raportuan gjatë vitit 2020 vetëm në minierat që ushtrojnë aktivitet në qarkun e Dibrës.