Simbolika e përdorur nëpër kartëmonedhat e një vendi është një shembull i mirë për të parë frymën e kohës kur ato janë prodhuar. Pas prezantimit të dy kartëmonedhave të reja nga Banka e Shqipërisë të martën, gjithkush me të drejtë ngriti pyetjen se pse kemi vetëm meshkuj.
“Ai nxori një monedhë 25 qindarkëshe nga xhepi. Edhe aty, me germa të vogla por të qarta, ishin shkruar të njëjtat slogane, ndërsa në anën tjetër të monedhës ishte portreti i Vëllait të Madh. Edhe nga monedha sytë e tij të ndiqnin ty. Nga monedhat, nga pullat, nga kapakët e librave, nga banderolat dhe pankartat si dhe nga mbështjellat e paketave të cigareve – gjithkund. Gjithmonë sytë të shihnin dhe zëri i tij të mbërthente. Ndërsa flije apo ndërsa ishe zgjuar, ndërsa po punoje apo po haje, në shtëpi apo në rrugë, në banjo apo në krevat – nuk kishe ku të shpëtoje.”
Ky është një paragraf i nxjerrë nga romani 1984 nga George Orwell. Sloganet të cilat i referohet Orwell janë të famshmet: LUFTA ËSHTË PAQE, LIRIA ËSHTË SKLLAVËRI dhe INJORANCA ËSHTË FORCË.
Harrojini të gjitha të tjerat dhe përqendrohuni te monedha apo te kartëmonedhat. Në shtëpi apo në rrugë, ndërsa po hamë një drekë të mirë apo po ëndërrojmë të hamë, nëse jemi duke parë ëndrra me sy hapur apo me sy mbyllur, paratë i kemi gjithmonë me vete. Dhe bashkë me paratë kemi përmbajtjen e tyre, figurat historike, portretet e të cilave janë stampuar mbi to dhe kuptimi që këto figura kanë për ne, për kohën kur po jetojmë dhe për aspiratat për të ardhmen.
Dy kartëmonedha të reja do të jenë në xhepat e shqiptarëve brenda pak ditësh. Një kartëmonedhë 10 mijë lekëshe, më e madhja e shtypur në kohën tonë, me portretin e poetit Asdreni dhe një tjetër, 1 mijë lekëshe, me portretin e Pjetër Bodganit, e ri-dizajnuar pa ndryshimin e personazhit. Shtimi i një mashkulli tjetër në portretet e kartëmonedhave hapi një debat të vakët nëpër median sociale se pse në të gjashta kartëmonedhat ekzistuese ka vetëm meshkuj dhe asnjë grua.
Por nëse shohim rëndësinë e madhe që kanë kartëmonedhat dhe simbolikat e tyre në jetët e njerëzve, mund të themi me të drejtë se debati mbi përmbajtjen e tyre është shumë i vonuar dhe shumë tepër i vakët.
Monedhat dhe kartëmonedhat mbartin frymën, propagandën dhe vlerat e kohës kur konceptohen dhe prodhohen dhe këto shqiptaret nuk bëjnë përjashtim.
Dhe për aq sa mund të shohim nga përmbajtja e monedhave dhe kartëmonedhave të kohës sonë, mund të themi se në to nuk është se na mungojnë vetëm gratë, (në fakt emri i Mbretëreshës Teuta gjendet te monedha 100 lekëshe), por për faktin se antikiteti i hershëm dhe nacionalizmi folklorik është tipari dominues i këtyre mesazheve në monedha.
Kalaja e Beratit gjendet te monedha 10 lekëshe, anija liburne te monedha 20 lekë, Mbreti Gent te ajo 50 lekë dhe Mbretëresha Teuta te monedha 100 lekëshe. Genti gjendet edhe te kartëmonedha 2000 lekëshe.
Tre shkrimtarë të Rilindjes Kombëtare, Naimi, Pjetër Bogdani dhe Asdreni, si dhe politikani themelues i vendit Ismail Qemali dhe heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, plotësojnë serinë e kartëmonedhave. Ajo që ndoshta është monedha më e bukur, 1 lekëshi që paraqet një pelikan kaçurrel, është për fat të keq, ajo që qarkullon më pak.
Dizajnët e monedhave dhe kartëmonedhave kanë qenë historikisht një punë plot telashe. Diktatorët dhe qeveritë më pak diktatoriale e kanë përdorur paranë si për të kërcënuar publikun ashtu edhe për të përçuar një mesazh propagandistik të rolit qendror që ka sundimtari në jetët e njerëzve.
Në kohën e komunizmit, kartëmonedhat dhe monedhat ishin pasqyrë besnike e mënyrës se si regjimi dëshironte ta shihte veten. Në to kishte shumë gra, por edhe burra, që të gjitha, anonime. Seria e parë e vitit 1947 paraqiste një partizan mashkull. Në vitin 1949, u shfaq një grua me një tufë grurë në krah ndërsa seria e vitit 1964, e cila ishte edhe më jetëgjata dhe që gjerësisht përbën atë që shqiptarët mbajnë mend nga koha e Komunizmit, përmban kooperativistë dhe kooperativiste, punëtorë dhe punëtore apo objekte industriale. Kishte natyrisht edhe partizanë dhe partizane. [Link Banka e Shqipërisë]
Dizajnët e monedhave të sotme i përkasin vitit 1996 me përjashtim të 2 mijë lekëshit me Mbretin Gent që i përket vitit 2007 dhe 10 mijë lekëshit me Asdrenin.
Por çfarë na thonë ne këto figura për kohën në të cilën jetojmë? Dhe për më shumë, a mos vallë e fyejmë Naim Frashërin duke ia vënë portretin e kartëmonedha më me pak vlerë, apo e fyejmë kontributin e Asdrenit dhe vetësakrifikimin e tij financiar duke e vendosur në një kartëmonedhë?
Ka edhe një ironi historike me vendosjen e Asdrenit në kartëmonedhë. Sipas Robert Elsie, Aleksandër Stavre Drevona erdhi në Shqipëri në vitin 1937 në moshën 65 vjeçare, me shpresë se do t’i jepnin një pension për kontributin e tij për tokën amë. Atij nuk ia dhanë pensionin.
Vende të ndryshme kanë gjetur zgjidhje të ndryshme për dilemat që mbartin kartëmonedhat. Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë vende si Gjermania apo Franca zgjodhën që në kartëmonedha të kenë burra dhe gra që kontribuuan në arte, letërsi apo shkencë dhe jo politikanë. Ndërsa Banka Qendrore Evropiane vendosi që në kartëmonedhat e saj të ketë dritare dhe dyer për të simbolizuar frymën e hapjes dhe bashkëpunimit ndërsa një seri e re paraqet imazhin e Evropës, perëndisë greke nga ku kontinenti ka marrë emrin, por asnjë nga kartëmonedhat nuk mbart fytyra njerëzish apo fytyra politikanësh. Vendeve anëtare u është krijuar mundësia të shprehin karakteristikat e veta kombëtare te monedhat, përfshirë të drejtën për të prodhuar monedha përkujtimore çdo vit. [Dizajnët e monedhave përkujtimore Euro gjenden këtu]
Shumica e vendeve zgjedhin të përkujtojnë ngjarje shkencore apo kulturore dhe në përgjithësi, mund të thuhet se fytyrat e njerëzve janë në rrallim në praktikën e prodhimit të monedhave dhe kartëmonedhave. Me pak fjalë, duket sikur ka një lloj ikonoklastie kundër portreteve të politikanëve në monedha.
Por ka edhe një tendencë tjetër: Në vitin 2020, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi një program për Shtypshkronjën e Parasë së Shteteve të Bashkuara, për të prodhuar monedha çerekdollarëshe [link] për të përkujtuar gratë që kontribuuan në të drejtat qytetare, në shkencë, në qeverisje apo në arte.
Përmes një konsultimi të gjerë që vijon edhe tani, disa nga gratë më me ndikim në historinë e Shteteve të Bashkuara do të përkujtohen në këtë mënyrë. Dy të parat janë shkrimtarja Maya Angelou dhe austronautja Sally Ride. [Link]
Wilma Mankiller, aktiviste e të drejtave të popullsisë indigjene, Adelina Otero-Warren, një aktiviste për të drejtat e votës së hispano-amerikanëve dhe Anna May Wong, kinezo-amerikania e parë që u bë yll hollivudi, do të jenë gratë e tjera që do të përkujtohen në këtë mënyrë.
Prodhimi i monedhave të tilla është konkluzion i një reflektimi të gjatë shoqëror. Ajo çfarë mungon nga simbolika e dollarit, janë gjysma e popullsisë, gratë, por janë edhe aktivistet e panumërta që luftuan për ta bërë shoqërinë më të mirë.
Fakti është që në Shqipëri nuk ka ndonjë reflektim të tillë.
Shqipëria e ka edhe një traditë të prodhimit të monedhave përkujtimore por jo të tilla që të jenë për qarkullim ndërsa dizajnët e tyre nuk bëjnë shumë dallim nga ato të monedhave dhe kartëmonedhave të zakonshme. Ato janë gjithashtu kryesisht Skënderbe, Skënderbe dhe Skënderbe me ndonjë ndërprerje të shkurtër me Ismail Qemali apo me monedha që përkujtojnë ngjarje të tjera, 100 vjetori i Pavarësisë më 2012, apo 85 vjetori i Tiranës kryeqytet. [Link monedhat përkujtimore]
As në këto monedha përkujtimore nuk gjendet ndonjë grua e aq më pak, të ketë ndonjë reflektim për vuajtjet e të shkuarës, dhunimin e të drejtave themelore të njeriut apo përpjekjet për demokraci.